Nga Boldnews.al
Këtë të premte, kur anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si rregull duhet të kishin nisur pushimet e tyre, kryesisht në breg të detit, janë detyruar të rikthehen në sallën e mbledhjes. Pika e vetme e rendit të ditës është “miratimi i projekt-aktit pёr mbarimin e mandatit të anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Gentjan Osmani”.
Osmani, prokurori i Krimeve të Rënda dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë deri para dy ditësh, u shkarkua nga 31 Korrik 2019 nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA), për shkak të probleme me pasurinë.
Prokurori Osmani ishte konfirmuar në detyrë nga shkalla e parë e Vetingut, në Korrik 2018. Por, fillimisht një rekomandim i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe më tej ankimi i Komisionerit Publik ndaj vendimit të konfirmimit të tij, ia komplikoi karrierën.Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi 3 seanca gjyqësore për prokurorin Gentian Osmani, në periudhën Qershor-Korrik 2019.
Gjatë procesit në shkallën e dytë të Vetingut, trupa gjyqësore dëgjoi argumentat e Komisionerit Publik, i cili kërkonte shkarkimin e Osmanit, si edhe mbrojtjen e prokurorit, i cili kërkonte lënien në fuqi të vendimit të konfirmimit, të marrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Pasi dëgjoi palët, trupa gjyqësore e KPA vendosi shkarkimin e Osmanit nga detyra. Vendimi i Kolegjit është i formës së prerë.
Në bazë të këtij vendimi, Osmani largohet automatikisht edhe nga pozicioni i anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Pas miratimit të aktit për mbarimin e mandatit të Gentian Osmanit, KLP ia përcjell për dijeni Prokurores së Përgjithshme (të Përkohshme), Arta Marku.
Kjo e fundit, pas vënies zyrtarisht në dijeni për vakancën në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, duhet të shpallë thirrjen për aplikime nga prokurorët e shkallës së parë (nivel, të cilit i përkiste prokurori Gentian Osmani). Aplikantët duhet të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm dhe të dorëzojnë aplikimin brenda 15 ditëve nga publikimi i Thirrjes së Prokurorit të Përgjithshëm (të Përkohshëm).
Brenda 7 ditëve nga dorëzimi i aplikimeve, Prokurori i Përgjithshëm kryer verifikimet për plotësimin e kushteve ligjore të kandidatëve. Pas miratimit të kandidaturave, emrat e aplikantëve i përcillen Mbledhjes së Përgjithshme të Prokurorëve, e cila voton prokurorin që do të plotësojë vakancën në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Duke marrë në konsideratë se Gushti është periudhë pushimi vjetor për pjesën më të madhe të prokurorëve, Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve parashikohet të zhvillohet brenda 15-ditëshit të parë të muajit Shtator 2019.