Presidenti Ilir Meta u shfaq sot në një konferencë për mediat për të dhënë opsionet e tij për zgjidhjen disa mujore të krizës politike në vend.
Ndërsa ka intensifikuar daljet publike, duke apeluar palët për një zgjidhje, në një kohë kur nga Kryeministri Edi Rama nuk pritet ndonjë reflektim, dhe kreu demokrat Lulzim Basha vijon turin e takimeve me mbështetës të opozitës, Meta preferoi sot të përcjellë 4 mesazhe.
Së pari ai vuri theksin te votimet e 30 qershorit, që i konsideroi të paligjshme dhe jokushtetuese, ndërsa kërkoi reflektimin e Kryeministrit Edi Rama. Ai gjithashtu i bëri thirrje institucioneve, veçanërisht KQZ-së që të angazhohet dhe të nisë përgatitjet për zgjedhjet vendore më 13 tetor, që e konsideroi të vetmen datë kushtetuese për zhvillimin e tyre. Një tjetër apel, Presidenti e kishte ndaj forcave politike, që sipas tij duhet të regjistrohen në këtë proces, por theksoi se nuk ka ndërmend që të ndikojë në pjesëmarrjen e atyre partive që nuk i duan zgjedhjet.
Së dyti Meta, përmendi datën 18 tetor, ditë kur BE do të shprehet nëse Shqipërisë i çelen ose jo negociatat. Presidenti e ligji 18 tetorin me 13 tetorin, datën e dekretuar prej tij për mbajtjen e zgjedhjeve vendore, duke theksuar me siguri 101% se nëse në këtë datë nuk ka zgjedhje, nuk ka as hapje negociatash.
Së treti, Presidenti ripërsëriti idenë se në 13 tetor mund të mbahen 3 palë zgjedhje, pra ato lokale, parlamentare, por edhe Presidenciale. Megjithëse Kushtetuta nuk parashikon zgjedhjen e Presidentit nga populli, Meta për të disatën herë ka hedhur propozimin duke aluduar për mundësinë e ndryshimeve Kushtetuese dhe realizimin edhe të zgjedhjeve për Kreun e Shtetit.
Mesazhi i katërt i Presidentit ishte gadishmëria për të dhënë dorëheqjen si Kryetar i Shtetit. Kjo është hera e parë që Meta e artikulon këtë gjë, pasi më parë kishte deklaruar se mandate i tij përfundonte në korrik të 2022. Gjithsesi duket se kriza politike në vend mund t’i ketë ndryshuar mendjen Presidentit që është i gatshëm të ofrojë edhe dorëheqjen apo largimin nga pozicioni i Kreut të Shtetit. Kushti i vetëm në këtë rast i paraqitur nga Meta ishte ai që pasardhësi i tij në këtë detyrë të ishte një figurë me autoritet dhe kredibilitet si ish presidenti Rexhep Meidani.