Ish-deputetja demokrate, Albana Vokshi, ka reaguar ashpër pas vendimit të marrë sot nga shteti Rilindas, i cili ka vendosur të ndjekë penalisht gruan shtatzënë që u qëllua me gusht nga polici i Erjon Veliaj, dhe nuk është marrë asnjë masë ndaj dhunuesit.
Në një shkrim të gjatë Vokshi, shkruan se heshtja e Edi Ramës dhe e Erjon Veliajt ndaj dhunës është edhe më vrastare se grushti i policit barbar mbi gruan shtatzënë.
Postimin i plotë i Vokshit:
HESHTJA QË BËN ME TURP ÇDO GRUA EDRAMISTE DHE ERIONVELIASE
Kam pritur 24 orë, frenova veten që të mos më merrte me vete vala revoltuese e reagimeve në facebook kundër dhunës shtazarake të një banditi me uniformën e policit bashkiak, kundër një gruaje shtatzanë në Tiranë. Tani që vala kaloi, ajo që mbeti është heshtja makabre Edi Ramës, Erion Velisë dhe të gjithë të ngjashmëve të tyre në parlament, qeveri, media dhe organizata që marrin miliona euro apo dollarë për të drejtat e grave.
Pamjet në videon që u bë virale, janë të denja vetëm për një regjim naziskin. Një polic bashkiak godet si burracak me grusht në bark një grua shtatzanë, e cila po mbronte biznesin e familjes së saj nga mbyllja e paligjshme me urdhrin e Erjon Velisë. Skena është shokuese! Por jo për pushtetin dhe gratë e tij.
Asnjë reagim nuk ka nga Kryetari i Bashkisë. Çdo vendim i tij, çdo veprim që ndërmerr, çdo urdhër që jep nuk ka të bëjë as me qytetarët, as me qytetin, por vetem me pushtetin.
Askush nuk e di çfarë mendimi ka Kryetari i Bashkisë për policin e tij naziskin. Heshtja tregon që ndajnë të njëjtin moral. Është e njëjta heshtje kriminale që i rri mbi kokë Erion Velisë për vrasjen e 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj në Sharrë, në vendin që reklamohej si ndër më modernët dhe të sigurtit për të punuar në Tiranë.
Morali i rrënuar i pushtetarit arrogant, të pandjeshëm, të dhunshëm me qytetarët është morali që ka injektuar në shoqërinë shqiptare Edi Rama. Edhe ky nuk foli asnjë fjalë për dhunën shtazarake të ndodhur në mes të Tiranës nga një militant i tij, i veshur me uniformën e policit bashkiak. Është heshtja e ujkut me lëkurë deleje, që i përdor gratë e veta në parlament dhe qeveri vetëm për numra propagande apo për nevoja të tjera kryeministrore. Edi Rama nuk ka dënuar kurrë dhunën ndaj grave dhe, të them të drejtën, nuk e prisja ta bënte as dje. Ashtu si polici shtazë i Erjon Velisë, edhe Rama i dhunon gratë fizikisht, i përcmon ato, i përdor vetëm për dekor dhe kur nuk i duhen, i flak. Edi Rama, ky dhunues verbal, psikologjik, fizik dhe institucional, është modeli që përcillet tek polici bashkiak dhe tek shumë burra e të rinj.
Heshtja për dhunën shtetërore kundër një gruaje shtatzanë bëhet akoma më kriminale, kur konstaton se ajo ka përfshirë edhe gratë ministre e deputete që s’lenë konferencë apo tryezë të rrumbullakët pa mbajtur fjalime të gjata mbushur me arritje virtuale të Qeverisë në mbrojtje të të drejtave të grave. Por dje, asnjë për be nuk reagoi ndaj kësaj dhune kafshërore. Pa ndërgjegje, pa moral përfaqësimi – kanë zgjedhur të heshtin për dhunën në këmbim të karrikes së deputetit apo ministrit.
Pak kohë më parë, media trumbetoi me shumë entuziazëm se bashkëshortja e kryeministrit foli në një konferencë ndërkombëtare për të drejtat e grave. Një zë më shumë i një figure publike, sidomos, bashkëshortes së Kryeministrit, në mbrojtje të tyre, është një lajm shumë i mirë për gratë viktima të dhunës. Por mesa duket, edhe këtë herë, ishte veç një lajm më shumë për propagandën e Ramës dhe fonde me shumë për dieta, udhëtime apo që shkojnë në xhepa pushtetarësh. As znj. Rama nuk e pa me vend të ngrinte zërin për goditjen me grusht në bark të një polici ndaj një gruaje shtatzanë.
Në vend që të bëjë foto për revista mode, me veshje luksi që i përkasin një jete shumë larg realitetit shqiptar, mbase do të ishte në nderin edhe të bashkëshortes së Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Ajola Xoxës, që të ngrinte edhe ajo zërin kundër dhunës ndaj grave dhe fëmijëve që jetojnë në Tiranë e duhet të mbrojë bashkëshorti I saj.
Është po kaq e trishtueshme, kur shoh që gratë fashioniste, të cilat shkruajnë për çdo palë këpucë që blejnë, për modelet e reja të çantave apo fustanet e modës së fundit, nuk kanë hapësirë për të folur për një grua të thjeshtë, shtatzanë, që vishet me shapka të lira plastike, me fustan të thjeshtë pambuku dhe përplaset me policin në mbrojtje të bukës së fëmijës së saj, që goditet me grusht që në bark nga shteti.
Është po kaq revoltuese dhe e paparanueshme heshtja e shoqatave vendase apo organizatave ndërkombëtare me prezencë në Shqipëri, që lëvrojnë miliona euro e dollarë fonde për të denoncuar e ndaluar dhunën ndaj grave.
Të gjithë heshtin!!
Është heshtja që i mbulon të gjitha me turpin e 2 burrave, me të cilët, secila, në një mënyrë a një tjetër, ka lidhur kontratë për t’u pasuruar për vete në kurriz të lirisë sime, të mijëra grave të tjera si unë, të gruas shtatzanë dhe fëmijës së saj ende të palindur!