Arrestohet në Britaninë e Madhe i shumëkërkuari Gentian Doda. Ai akuzohet për vrasjen e dyfishtë të Gazmir Dedjas dhe Asllan Gjokës, ngjarje e ndodhur në 1997 në Burrel.
Doda raportohet se është arrestuar 3 muaj më parë, ndërsa pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë.
Historia e dënimit të Dodës çoi në pranga gjyqtarin Shkëlqim Miri, ndaj të cilit u ngrit akuza e korrupsionit, pasi dyshohet se mori 20 mijë euro rryshfet në këmbim të lehtësimit të akuzës.
Doda ishte dënuar me 20 vjet burg, por i shpëtoi këtij dënimi pas vendimit të dhënë nga trupa gjykuese në Apel, ku bënte pjesë edhe gjyqtari Miri.
Gentian Doda u ekstradua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2012, pasi u arrestua atje për llogari të autoriteteve shqiptare, për vrasjen e dy personave në 1997.
Në vitin 2001, Doda ishte dënuar me 20 vjet burg. Pas ekstradimit nga SHBA, ai u çua në burgun e Fushë Krujës për të shlyer dënimin, por kërkoi rishikim vendimi me pretendimin se ishte dënuar në mungesë.
Dosja u gjykua në Gjykatën e Lartë, e cila e riktheu për rigjykim në atë të Matit.
Një treshe gjykuese vendosi të lehtësojë pozitën e të dënuarit, duke bërë rikualifikim të veprës penale, nga vrasje në plagosje të rëndë me dashje.
Hetimet e nisura në 2017, nxorën në dritë faktin se gjyqtari Shkëlqim Miri kishte marrë ryshfet, për të vendosur në favor të Dodës, i cili u shpall fajtor për akuzën e plagosjes dhe dënimi iu reduktua.
Pas vendimit të Apelit, Gentian Doda rifitoi lirinë. Ai mundi të arratisej jashtë vendit, ndërsa në Shqipëri u arrestua gjyqtari dhe të afërm e miq të të dënuarit.
Përplasjet
Doda dhe viktima Gazmir Dedja kanë qenë anëtarë të grupeve rivale në Burrel, konflikti ndërmjet të cilëve ka vijuar për shumë vite dhe me shumë viktima. Në vitin 2010, në Tiranë është vrarë edhe vëllai i viktimës, Halil Dedja, i cili u gjet i vdekur në hyrje të pallatit ku banonte. Ditën e ngjarjes së vitit 1997, autori Gentian Doda dhe viktima Gazmir Dedja janë konfliktuar verbalisht dhe më pas, i pandehuri e ka qëlluar me automatik, duke e plagosur rëndë. Nga plumbat ka mbetur i vrarë aksidentalisht Asllan Gjoka.
Menjëherë pas krimit, i pandehuri është larguar jashtë Shqipërisë dhe është arrestuar në vitin 2012 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet shqiptare. Pas ekstradimit, i akuzuari kërkoi rivendosjen në afat dhe rishikim të dënimit të dhënë më parë ndaj tij për këtë vepër penale.
Gentian Doda ëshë banor i qytetit të Burrelit. Më datë 27.10.1997 rreth orës 11. 50 i pandehuri Gentian Doda, pasi ka mbajtur nën vëzhgim viktimën Gazmir Dedja, kur ky i fundit ndodhej përpara lokalit të shtetasit Ramiz Drici, ndërkohë që ishte i pozicionuar tek tuneli i pallatit në qendër të qytetit, e ka qëlluar viktimën me breshëri automatiku duke e plagosur atë, si dhe shtetasin Asllan Gjoka që kalonte rastësisht, të cilët me gjithë ndihmën e shpejtë që u është dhënë, më pas kanë gjetur vdekjen.
Viktima Gazmir Dedja u ka deklaruar të afërmve të tij në spital se autori i ngjarjes ishte Gentian Doda, ndërsa familjarët e viktimës tjetër nuk kanë bërë kallëzim.
Shtetasi Gentian Doda është hetuar dhe gjykuar në mungesë, me mbrojtës të caktuar nga familjarët. Ai u dënuar në 2001 me 20 vjet burg në mungesë.
Ai ka pretenduar se nuk ka pasur dijeni për asnjë vendim ndaj tij, pasi ai nuk ka qenë në Shqipëri dhe të gjithë procedurat janë bërë në mungesën e të gjykuarit, dhe ai ka marrë dijeni vetëm me datë 13.07.2012 kur është ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndaj ka kërkuar rigjykim të çështjes në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese.
Ekstradimi
Në fazën e ekzekutimit të vendimit penal të formës së prerë nr.41, datë 26.04.2001 të Gjykatës së rrethit gjyqësor Mat, me kërkesën datë 06.06.2011 të Ministrit të Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, Gjykata për Distriktin Qëndror, Kaliforni, SHBA ka shpallur ekstradimin e kërkuesit vetëm për pjesën e dënimit që lidhet me krimin e vrasjes me paramendim dhe nënsekretari i shtetit për çështjet politike më datë 27.06.2012 ka nënshkruar urdhrin që ka autorizuar dorëzimin e kërkuesit nën mbikëqyrjen e Marshallit të SHBA-së për Distriktin qendror të Kalifornisë.
Referuar shkresës datë 16.07.2012 të Zyrës Qendrore të Interpol Tirana rezulton se më datë 13.07.2012, ora 23.25 është kryer ekstradimi i kërkuesit Gentian Doda.
Nga aktet e përcjella nga autoritetet gjyqësore të Sh.B.A-së rezulton se Departamenti i Shtetit i është referuar notës së Ambasadës nr.12/049, datë 27.01.2012, me të cilën Ambasada ka transmetuar një garanci, se Gentian Dodës, i garantohet e drejta për rigjykim për shkak të gjykimit të tij në mungesë.