Prej 5 vitesh e për aq sa ka patur jetë, Rubini i vogël nuk ka dëgjuar dhe folur kurrë. Nëna e Rubinit dhe historia e saj është e dhimbshme, pasi ajo një fëmijë e ka humbur dhe një tjetër e ka sëmurë… e tashmë dhe djali i saj 5 vjeçar mund të mos dëgjojë e flasë kurrë.
Rasti i Rubinit dhe dy fëmijëve të tjerë me të njëjtin problem, u bënë publike në emisionin “shqiptarët për shqiptarët” dhe pas publikimit u arritën të mblidheshin fondet për të kryer operimin e këtyre fëmijëve, i cili kushtonte shtrenjt. Rubini ishte i pari vogëlush që bëri operacionin dhe pas disa javësh, shkoi sërish tek doktori për të provuar tashmë testin e dëgjimit.
Nëna e Rubinit, thotë se prej një jave nuk ka ngrënë ushqim. Pret që i biri të mund të dëgjojë për herë të parë në jetë.
Nëna: Për një javë nuk kam ngrënë thuajse fare. Shihja djalin dhe mendoja a do e sjell të gjallë në shtëpi tim bir? Por kur u krye operacioni dhe doli mirë… tani them që derisa t’i dëgjoj zërin prap. Nuk e di. Sot na thirri doktori që t’i vendosë pajisjen që ai të mund të dëgjojë.
Babai: 4 javë kanë qenë si në ëndërr, pasi ende nuk na besohet që është bërë operacioni. Tani na thanë se është gati për t’i bërë provën e dëgjimit. Shpresojmë që të dali me sukses dhe kjo provë e sotme.
Në hyrjen në spital, mjeku shpjegon se implanti që është vënë në kokën e Rubinit është në gjendje optimale dhe se tashmë ata do të dërgojnë sinjale, në mënyrë që gradualisht 5 vjeari të nisë dhe të dëgjojë. Mjeku shpjegon se ardhja e dëgjimit do të kërkojë kohë, ndërsa sot do të shihet nëse Rubini arrin të dëgjojë, sado pak, një shenjë që tregon se ai gradualisht do të nisë të dëgjojë e flasë.
Mjeku: Sot do i vendosim implantin që do të bëjë të mundur dëgjimin e Rubinit. Shpresojmë më të mirë dhe që nga sot e tutje Rubini të dëgjojë.
E teksa mjeku lëshon sinjale, fytyra e Rubinit tregon atë që nëna e babi e tij prisnin prej 5 vitesh… Rubini arrin të dëgjojë.
Mjeku: Bazuar tek testi i parë kemi një reagim të mirë. Kontrollet do të bëhen herë pas here dhe ato do të bëjnë që dëgjimi do të jetë më i mirë dhe të rikthehet plotësisht dëgjimi.
Në dalje të spitalit, babai i Rubinit është i qeshur në fytyrë dhe falënderon të gjithë shqiptarët që ndihmuan në mbledhjen e fondeve për operimin e Rubinit.
Tani doktori na tha që do gjë shkoi mirë dhe ne tani do të vijojmë të jemi në krah të Rubinit, ta ndihmojmë derisa ai të arrijë të dëgjojë plotësisht. Presim momentin kur Rubini të flasë dhe kjo do jetë një mrekulli për ne. Shpresoj që vetë Rubini të flasë dhe t’i falenderojë vetë shqiptarët