Nga Boldnews.al
Kryetari i Gjykatës së Apelit Administrativ të Tiranës, Kastriot Selita, u konfirmua së fundmi në procesin e Vetingut, megjithëse ndaj tij kishte një numër rekord denoncimesh nga publiku-plot 11 të tilla, një prej të cilave ishte nga kolegët e tij që vinin në pikëpyetje vendimmarrjen për emërimin në detyrën e prokurorit të Bledar Valikaj, bashkëshortit të deputetes socialiste, Ermonela Felaj.
Pak para Selitës, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) shkarkoi nga detyra kryegjyqtaren e Tiranës, Enkelejdi Hajro, për të cilën kishte 8 denoncime publike. Por, në vendimin e zbardhur, rezultoi se asnjë prej këtyre denoncimeve nuk ishte marrë në konsideratë nga trupa e KPK-së dhe Hajro u shkarkua për problematika të pasurisë.
Përjashtim i publikut?
Reforma në Drejtësi kishte si synin madhor rikthimin e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë. Nisur nga kjo premisë, aktorë e faktorë të rëndësishëm, vendas e ndërkombëtarë, ndërmorën një prej ndryshimeve më radikale të Kushtetutës dhe korpusit ligjor që lidhen me institucionet e drejtësisë, në 30 vitet e fundit.
Ekspertët e Nivelit të Lartë, trupa e juristëve që hartoi draftin e Reformës në Drejtësi, vinte theksin pikërisht tek “rikthimi i besimit të publikut”.
Në dokumentin strategjik të Korrikut 2015, Ekspertët e Nivelit të Lartë shpreheshin se “Synimi i përgjithshëm i procesit të reformës është krijimi i një sistemi drejtësie të besueshëm, të drejtë, të pavarur, profesional dhe të orientuar drejt shërbimit, të hapur, të përgjegjshëm dhe efiçient, i cili të gëzojë besimin e publikut, të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm social-ekonomik të vendit dhe të mundësojë integrimin e tij në familjen evropiane”.
Ky tekst frymëzues, i shoqëruar me një propagandë të ngjeshur qeveritare e të mbështetur nga një mori organizmash jo-qeveritare që u furnizuan me fonde për të trumpetuar Reformën në Drejtësi, nxitën qytetarë të shumtë që t’i drejtoheshin dyerve të Komisionit të Vetingut, sapo ky proces nisi në fund të vitit 2017.
Kronikat patetike të televizioneve pro-qeveritare, të cilat prezantonin qytetarë hallexhinj në dyert e strukturave të Vetingut, mbushën hapësirën publike.
Deri në Maj 2018, Komiteti Shqiptar i Helsinkit numëronte “736 denoncime apo ankesa, në total, për subjektet e vetingut (gjyqtarë e prokurorë)”. Ky numër, me shumë mundësi është shtuar prej hartimit të raportit nga KSHH.
Në të njëjtin dokument, Komiteti i Helsinkit konstaton se “Referuar vendimeve të deritanishme të KPK-së rezulton se këto ankesa janë hetuar administrativisht dhe i janë komunikuar subjekteve të vettingut. Numri i lartë i ankesave të qytetarëve është tregues i besimit të publikut tek procesi dhe institucionet e vettingut që po e zbatojnë atë”.
Gjithësesi, një vëzhgim i realizuar nga “Boldnews.al” mbi vendimmarrjen e trupave të Komisionit të Vetingut, zbulon se një numër minimal i këtyre ankesave kanë shërbyer si bazë për të konstatuar problematika tek gjyqtarët e prokurorët.
Një numër, akoma më i vogël ankesash, thuajse sa gishtat e një dore, janë konsideruar të një niveli të tillë, për të vënë në pikëpyetje integritetin personal dhe profesional të gjyqtarëve e prokurorëve.
Këto të dhëna minimale krijojnë pikëpyetje mbi faktin nëse denoncimet publike janë të pavërteta/të paplota apo strukturat e Vetingut, në rastin më të mirë kryejnë një hetim sipërfaqësor mbi informacionet e qytetarëve ose, në rastin më të keq, i injorojnë ato.
“Në emër të publikut”
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), që në fillimet e punës së tij, dha sinjalin se do të vepronte “në emër të publikut”. Në dy vendimmarrjet e para, ato për gjyqtarët Kushtetues Fatos Lulo e Altina Xhoxhaj, trupa e Vetingut, i shkarkoi duke përdorur edhe shprehjen standarte “cënoi besimin e publikut”.
Më tej, kjo shprehje u përdor gjerësisht jo vetëm nga KPK, por edhe nga shkalla e dytë e Vetingut, Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
Deri sa, erdhi një moment, kur, u shfaqe hapur, se vetë strukturat e Vetingut “cënuan besimin e publikut”. Në shkurt 2019, fillimisht KPK dhe më pas KPA morën dy vendime, të cilat shkuan në të kundërt me pritshmëritë e opinionit publik.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të drejtueses së Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela. Ky vendim shkaktoi reagim të fuqishëm publik, për shkak të problematikave të shumta që Prela kishte me pasurinë dhe integritetin profesional.
Por, KPK, e cila sillet e vendosur të flasë “në emër të publikut”, duket se në rastin e Prelës e injoroi tërësisht opinionin qytetar, por edhe një seri provash e faktesh, të mjaftueshme për ta nxjerrë drejtuesen e Krimeve të Rënda nga sistemi i drejtësisë.
Pak ditë më pas, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të shkarkojë nga detyra prokuroren Antoneta Sevdari, njëkohësisht anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Edhe ky vendim shkaktoi një reagim të fuqishëm publik, duke ngritur dyshime mbi arsyet e vërteta që fshiheshin pas shkarkimit të një prej prokuroreve, për të cilat publiku e konsideron “shumë korrekte”.
Edhe në rastin e Sevdarit, ashtu si në atë të Prelës, strukturat e Vetingut nuk e përfillën aspak opinionin publik, duke vënë pikëpyetje mbi sinqeritetin e tyre kur flasin për “besimin e publikut”.
Si matet “besimi i publikut”???
“Besimi i publikut” është një indikator abstrakt, i pamatshëm. Të paktën, ligji nuk ka parashikuar asnjë mekanizëm për të lehtësuar trupat e Vetingut në “përllogaritjen” e besimit të publikut dhe, aq më tepër, të cënimit të tij.
Por kjo nuk i ka penguar institucionet e rivlerësimit që të përdorin rëndom termin “cënim i besimit të publikut” në rastet e shkarkimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Është tërësisht e paqartë se ku bazohen trupat e Vetingut për të arritur në konkluzionin se subjektet e rivlerësimit janë shkarkuar nga detyra për shkak “të publikut”.
Vendimmarrjet e KPK-së për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga detyra, si edhe ato të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, megjithëse me dyshime për standarte të shumëfishta, janë bazuar në kriteret e matshme, përgjithësisht në atë të pasurisë dhe, në raste më të pakta, të dyshimeve për lidhje me eksponentë të krimit të organizuar
Por, në asnjë rast të vetëm, trupat e Vetingut nuk kanë dhënë shpjegime se si e kanë matur besimin e publikut për një gjyqtar a prokuror të caktuar dhe, për më tepër, se si kanë arritur në konkluzionin që subjekti i rivlerësimit “ka cënuar besimin e publikut”.
Mbetet vetëm për t’u besuar që anëtarët e trupave të Vetingut delirojnë, duke e prezantuar veten si përfaqësues besnik të opinionit të publikut.