Komisioneri Publik tërhiqet nga ankimi për gjyqtaren e Krimeve të Rënda, Nertina Kosova. Tërheqja ka ndodhur rreth 4 muaj pasi Komisioneri ankimoi vendimin e KPK. Por pas tërheqjes së Komisionerit Publik mbetet në fuqi vendimi i KPK-së, duke rikonfirmuar në detyrë gjyqtaren.
Kjo është hera e parë që Komisioneri Publik tërhiqet nga ankimimi.
Në seancën e datës 12 qershor, Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi ankimin e Komisionerit Publik, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtares Nertina Kosova dhe mbrojtjen e kësaj të fundit, që kërkoi lënien në fuqi të vendimit të KPK.
Kosova, e cila kaloi me sukses shkallën e parë të vetingut më 18 korrik 2018, pasi KPK e vlerësoi pozitivisht në të tre kriteret, u përball më pas me një ankim të Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, i cili pretendon se hetimi i KPK në kriterin e pasurisë nuk ishte i plotë.
Gjatë seancës së parë në KPA, Komisioneri Publik i kërkoi trupës gjykuese të kryejë një hetim të ri dhe të rivlerësojë pasuritë e gjyqtares dhe personave të lidhur me të. Ballhysa u shpreh se pas hetimit KPA duhet të vendoste ose për rrëzimin e vendimit të KPK-së ose për lënien e tij në fuqi.
Kosova nga ana tjetër e cilësoi ankimin e Komisionerit Publik “të pabazuar në ligj dhe në prova”. Ajo paraqiti pranë Kolegjit 61 dokumente të përbërë nga 364 faqe, të cilat kërkoi të merreshin si prova, në rast se KPA vendoste nisjen e një hetimi të ri gjyqësor. Gjyqtarja edhe pse kundërshtoi pretendimet e Komisionerit kryesisht për cilësimin e të afërmve si persona të lidhur, paraqiti dokumente që sipas saj vërtetonin burimin e ligjshëm të pasurive, raportonte Birn.
Kosova është anëtare e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda prej korrikut 2014. Më parë, ajo ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda si dhe një kohë të shkurtër në Gjykatën e Elbasanit. Ajo po ashtu ka qenë pedagoge në Universitetin e Elbasanit.
KPA caktoi një seancë të dytë më 21 qershor ora 10.00, pasi i la kohë Komisionerit Publik të njihet me provat e reja të sjella nga Kosova dhe të shprehet nëse do të kërkojë marrje të provave shtesë apo vijimin e shqyrtimit bazuar mbi provat e administruara.
Procesi në KPA ndaj Kosovës u shty disa herë, ndërsa seanca e fundit u zhvillua më 3 korrik, seancë ku gjyqtares iu drejtuan disa pyetje shtesë nga relatorja Natasha Mulaj.