Mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e automjeteve por edhe kalimtarët, mungesa e sinjalistikës në shumë rrugë kanë bërë që në shkallë vendi të regjistrohen mijëra aksidente rrugore të rënda. Shumica e aksidenteve në Shqipëri, ndodh për shkak të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e drejtuesve të automjeteve. Shpesh hidhen fjalë që rëndom thuhen: E ke marrë patentën me lekë. Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor për herë të parë në rajon do të implementojë vjeshtën e tij viti një sistem monitorimi të testimit të praktikës për të marrë lejen e drejtimit për kategorinë B, autoveturat.
Në kuadrin e nismave të reja drejt inovacionit , projekti do të mundësojë monitorim 360 gradë me audio dhe figurë, livestreaming në kohë reale, gjurmim me GPS të vendndodhjes dhe trajektores së përshkuar nga kandidati, menaxhim dhe analizë të videove dhe video-kamera full HD All in One (NVR), si fjala e fundit e teknologjisë për modernizimin informatik të monitorimit, duke garantuar një proces transparent dhe objektiv për kandidatin dhe autoshkollat.
Sistemi i monitorimit të testimit praktik, do të pasojë testin teorik të rishikuar për lejedrejtimin e kategorisë B, si dhe sistemin e ri të lejedrejtimit i cili po testohet në të gjitha drejtoritë rajonale të DPSHTRR. Sisteme të tilla operative dhe të informatizuara do të sigurojnë një monitorim intereaktiv dhe në kohë reale të të gjitha proceseve duke filluar nga pranimi, testimi e deri te lëshimi i leje drejtimit sipas standardeve më të larta. Nisma të tilla nxisin ndërgjegjësimin e kandidatëve për të qenë sa më të përgatitur në testim dhe mbështesin e promovojnë sigurinë rrugore. “Leje drejtimi e merituar, siguri rrugore e garantuar”, është mesazhi që lexohet në një video ku tregohet e gjithë praktika monitoruese që do ndiqet.
Në momentin e parë që do t’ju duhet të rinovoni patentën tuaj, ajo do të ketë disa ndryshime. Kjo vjen si një nga kushtet e Brukselit për të qenë në koherencë me standardet e Bashkimit Europian. Materiali i kartës do të jetë polikarbonat, jo më pak se 4 shtresa, me jetëgjatësi jo më pak se 10 vjet. Këtë patentë do të mund ta marrin të gjithë ata që aplikojnë për herë të parë dhe ata, të cilëve ju ka skaduar afati. U përhap lajmi se do të ketë patenta të reja por në fakt bëhet fjalë për disa elementë të shtuar sigurie dhe simbole europiane. Sipas ekspertëve këto patenta mendohet se do të jenë të pandryshueshme të paktën për një periudhë 20 vjeçare. Modeli i ri është miratuar që në janar të 2017 gjatë këtij viti ka hyrë masivisht në qarkullim. Aktualisht janë në përdorim të dyja modelet e patentave, edhe ajo vetëm me elementët shqiptare edhe modeli i përcaktuar sipas standardeve europiane.