Kopshti Botanik drejt kthimit në truall ndërtimi/ Qeveria ja heq Universitetit dhe ja kalon Erion Veliajt

Qeveria ka vendosur, në mbledhjen e të mërkurës, të transferojë pronësinë dhe administrimin e Kopshtit Botanik të Tiranës nga qeveria dhe Universiteti i Tiranës tek Bashkia Tiranë.

Vendimi i jep të drejtën bashkisë ta përdorë kopshtin “për ushtrimin e funksioneve të veta”, pa qartësuar këto “qëllime”, duke i lënë hapësirë bashkisë për çdo gjë.

Deri tani, Kopshti ka qenë pronë shtetërore nën administrimin e Universitetit të Tiranës, ndërsa tani ai do të jetë pronë lokale bashkiake.

Si pronë shtetërore, kopshti nuk mund të tjetërsohej veçse me procedurë të hapur konkurimi dhe me vendime qeverie e ligje Kuvendi.

Tani, si pjesë e Bashkisë Tiranë, ai mund të tjetërsohet me një vendim të thjeshtë të Këshillit Bashkiak Tiranë. Duhet patur parasysh se, pas zgjedhjeve të 30 qershorit, këshilli përbëhet i gjithi nga përfaqësues socialistë—të gjithë njerëz të bindur të kryebashkiakut Veliaj dhe kryeministrit Rama.

Exit.al kontaktoi me drejtues të Universitetit dhe mësoi se vendimi është marrë pa e diskutuar dhe pa vënë fare në dijeni Universitetin e Tiranës, i cili e ka nën administrim pronën dhe e përdor si laborator në natyrë për një sërë degësh studimore.

Për të ruajtur në dukje interesat studimore të Universitetit, vendimi shprehet se se Bashkia nuk mund të ndryshojë destinacionin e pronës dhe duhet të bëjë një marrëveshje me Universitetin për përdorimin e tij.

Por pyetja shtrohet, nëse ky kopsht do të vazhdojë të shërbejë si kopsht botanik dhe laborator për Universitetin e Tiranës, pse duhet që pronësia dhe administrimi t’i kalojnë Bashkisë Tiranë?

Për më tepër, edhe pse vendimi shperhet se nuk mund të ndryshohet destinacioni i kopshtit, kjo pikë mund të ndryshohet në çdo moment, pasi duke qenë pronë e bashkisë, bashkia ka të gjitha të drejtat mbi pronën, madje edhe të tjetërsimit tek privatët.

Për këtë fakt, pika e “mosndryshmit të destinacionti” duket një sajesë e momentit për të mbuluar planet e ardhshme, për të mos alarmuar që tani për shkatërrimin e Kopshtit Botanik.

Në të vërtetë, është e arsyeshme të mendohet se arsye e vetme e transferimit është hedhja e hapit të parë drejt kthimit të tokës seë Kopshtit Botanik në truall ndërtimi nga Bashkia Tiranë.

LEXO EDHE  Zbardhet urdhri i fshehtë/ Policëve nuk ju lejohet të prekin plantacionet e drogës së zyrtarit Rilindas! Emri

Mbetet thjesht për t’u parë se çfarë PPP-ja do të propozojë së shpejti Bashkia për kthimin e Kopshtit Botanik në zonë ndërtimi.

Edi Rama ka patur plan që në fillim të viteve 2000-ë për ta kthyer gjithë onën e Parkut të Liqenit në zonë ndërtimi, madje një variant i këtij plani përfshinte tharjen e liqenit dhe ndërtimin në tokën e zënë prej tij.

Por këto ishin ide që u përhashtuna nga kryeminsitrat përkatës. Tani që ai kontrolon edhe qeverinë edhe Bashkinë Tiranë, duket i vendosur që të ndërtojë, fillimisht, në të gjitha pjesët anësore të Parkut, përfshi hapësirën e ish-Gardës së Republikës, hapësirën përqark restorantit Juvenilja, hapësirën e ish-restorantit Lion Park, gjithë zonën pas ish-Hotel Sheratonit.

Qeveria Rama ka patur një linjë të përhershme të saj tjetërsimin e pronave më të lakmuara të Tiranës tek privatët për ndërtime tregtare. Ajo ka qenë novatore në sajimin e skemave të shumëllojshme korruptive për tjetërsimin e pronave publike të Tiranës në duart e privatëve.

Këtë e provojnë një sërë rastesh skemash të paimagjinueshme më parë nga stadiumi kombëtar i cili u kthye, praktikisht, në truall ndërtimi për qendër tregtare dhe hotel—vetëm fusha do jetë në pronësi të Federatës, ndërsa çdo centimetër i ndërtesës së stadiumit do të jetë krejtësisht në pronësi private; tek tjetërsimi me ligj special i truallit të Teatrit Kombëtar për ta mbushur me ndëtime të larta zonën më qendrore të Tiranës; tek projeket për ndërtimin mbi ndërtesën e Universitetit të Arteve; tek ndërtimet kudo përqark Parkut Rinia.

Ndërkohë po shkatërrohet dhe mbushet me ndërtime të larta i gjithë blloku me vila midis Rrugës së Elbasanit dhe Bulevardit Papa Gjon Pali. Ndërtimet të larta po planifikohen, gjithashtu, në zonën midis Bulevardit Xhorxh Bush dhe Sheshit Avni Rustemi dhe një sërë zonash të tjera qendrore.

Tashmë mund të thuhet me siguri se në pak vjet Tirana do jetë një qytet i transfromuar tërësisht, sipas interesave të Edi Ramës, në një bashkësi ndërtimesh betoni pa ndërprje—qytet pa parqe e lulishte, pa hapësira sportive, pa sheshe, pa hapësira boshe, pa infrastrukturë argëtuese, pa lehtësira dhe mundësi për këmbësorët.

/Exit.al/