Gjykata për Krime të Rënda ka marrë të pandehur Hysnie Hoxhallarin dhe Kasëm Pirjasin, si të dyshuar për vrasjen e nënë e bir në Vlorë, rreth një vit më parë.
Ata akuzohen për veprën penale të vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare, kryer në bashkëpunim, ndërsa në javët në vijim pritet të fillojë procesi për ta. Sipas Prokurorisë, në muajin janar të vitit që lamë pas, Kasëm Pirjasi në bashkëpunim me Hysnie Hoxhallarin, kanë vrarë burrin dhe vjehrrën e kësaj të fundit, duke i goditur me sende të forta metalike dhe më pas vënë zjarrin banesës ku ata po qëndronin.
Në fillim, ngjarja është raportuar si aksidentale dhe se vdekja e Olsi dhe Selkie Hoxhallari kishte ndodhur për shkak të asfiksisë nga tymi i zjarrit. Por pas shenjave të konstatuara në kufomat e viktimave pas ekspertimit, janë ngritur dyshime se kemi të bëjmë me një vrasje e për këtë janë referuar materiale në Prokurorinë e Vlorës, e cila ka kryer hetimet paraprake.
“Hetimet intensive nisën menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në muajin janar, ku u gjetën të pajetë e të djegur në banesën e tyre shtetasi O.H. dhe nëna e tij shtetasja S.H., pasi nga grupi hetimor u krijua bindja se nuk kishim të bënim me një ngjarje aksidentale, por me një vrasje”, shkruan Prokuroria.
ARRESTIMI DHE HETIMET
Disa kohë pas ngjarjes së rëndë që u paraqit fillimisht si një vdekje aksidentale, Policia e Vlorës bëri arrestimin e Hysnie Hoxhallarit, 32 vjeçe, banuese në Vlorë dhe Kasëm Pirjasit, 26 vjeç, banues në Strum, Fier. Sipas Prokurorisë, këta persona kanë pasur një lidhje intime me njëri-tjetrin dhe kjo dyshohet të jetë një nga motivet e krimit të rëndë. Hetimet e kryera fillimisht nga Prokuroria e Vlorës, iu kaluan për kompetencë Prokurorisë për Krime të Rënda, pasi për shkak të marrëdhënieve që kishte e pandehura Hoxhallari me viktimat, vrasja konsiderohet për shkak të marrëdhënieve familjare.
“Të dy shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, kanë dhunuar e më pas kanë vrarë shtetasit Olsi Hoxhallari dhe Selkie Hoxhallari, si dhe kanë shkaktuar zjarr në banesë me qëllim fshehjen e provave duke synuar për ta devijuar ngjarjen si ‘aksidentale’. Në cilësinë e provës materiale është gjetur dhe sekuestruar arma e ftohtë me të cilën dyshohet se është kryer krimi (mjet prerës i fortë prej metali). Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprën penale ‘Vrasja në rrethana cilësuese, kryer në bashkëpunim’, e parashikuar nga nenet 79/dh dhe 25 të Kodit Penal”, njoftonte Policia disa muaj më parë.
Ndërkohë, Krimet e Rënda i kanë marrë të pandehur dy të prangosurit për veprën penale të “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 79/c dhe 25 të Kodit Penal. PËRGJIMET Kanë qenë përgjimet dhe këqyrja e tabulateve telefonike që kanë ndihmuar Prokurorinë në zbardhjen e krimit. Sipas akuzës, Hysnie Hoxhallari ka pasur në përdorim për një periudhë kohe të shkurtër rreth 6 numra që përdoreshin nga i njëjti telefon. Ndryshe nga sa kishte deklaruar më herët 32-vjeçarja që kishte në përdorim vetëm dy.
Pas vrasjes së burrit dhe vjehrrës, Hysnie Hoxhallari shfaqet e shqetësuar në komunikimet me motrën e saj, teksa i kërkon mendim për të fshehur kartat e telefonit që të mos gjenden nga hetuesit. Pas konstatimit të numrave celularë, Prokuroria ka administruar nga kompania celulare të gjitha thirrjet hyrëse dhe dalëse nga ku ka rezultuar se kontaktet më të shumta të Hysnie Hoxhallarit kanë qenë me një numër që e mbulonte antena e shërbimit në fshatin Strum, vend ku kishte lindur Hysnia.