Me 10 qershor Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkaroi nga detyra kreun e Gjykatës së Apelit Shkodër, Fuat Vjerdha. Sipas vendimit të zbardhur Komisionit të Pavarur i Kualifikimit ka arritur në përfundimin se Vjerdha ka cënuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë për kriterin e profesionalizimit dhe pasurisë, çfarë ka sjellë shkarkimin e tij nga detyra.
Trupa gjykuese e KPK e përbërë nga Olsi Komici kryesues, Lulzim Hamitaj relator dhe Pamela Qirko anëtare evidentojnë në vendimin e zbardhur një sërë problematikash për këto dy kritere.
Në vendimin e zbardhur thuhet se lidhur me aftësitë profesionale të gjyqtarit Fuat Vjerdha janë konstatuar mangësi profesionale të përsëritura, shkelje procedurale dhe gjykim i dobët, për shkak të të cilave ai nuk arrin nivelin kualifikues.
“Nga vlerësimi tërësor dhe kryesisht për sa i takon aspektit etiko-profesional, rezulton se subjekti i rivlerësimit ka cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë…”, citohet në vendimin e KPK, ku shtohet se lidhur me kriterin e pasurisë, Vjerdha ka kryer “deklarime të pamjaftueshme në deklaratën veting dhe nuk ka justifikuar në mënyrë bindëse mospërputhjen e kësaj të fundit me deklaratat periodike lidhur me kursimet cash dhe gjendjet e likuiditeteve në llogaritë bankare.”
Ndërkohë, gjyqtari Vjerdha është vlerësuar pozitivisht për pastërtinë e figurës, pasi nuk janë evidentuar kontakte të papërshtatshme me persona të lidhur me krimin e organizuar.
Kryetari i Gjykatës së Apelit Shkodër, Fuat Vjerdha ka marrë titullin “jurist” nga Universiteti i Tiranës në vitin 1994 dhe më datë 6 korrik 1995 është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër. Në vitin 2005 ai është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër dhe prej vitit 2011 deri në shpalljen e vendimit të shkarkimit të tij nga detyra deri më 10 qershor 2019 ka ushtruar detyrën e kryetarit të kësaj gjykate.
Dy ditë pas zhvillimit të seancës dëgjimore të zhvilluar më datë 6 maj 2019, Komisioni njoftoi rihapjen e hetimeve për Vjerdhën dhe u zhvillua një seancë tjetër më datë 7 qershor, kur ai u përball edhe me lehtësimin e akuzës ndaj Sokol Mjacajt, që ishte dënuar nga Shkalla e Parë për bashkëpunim në vrasje. Pas lirimit Mjacaj ekzekutoi dy turistë çekë.
Problemet profesionale
Në vendimin e zbardhur të Komisionit thuhet se në ushtrimin e funksionit si kryetar i gjykatës, për gjyqtarin Vjerdha janë identifikuar problematika lidhur me shortimin e çështjeve dhe caktimin e përshpejtuar të seancës së parë gjyqësore. Nga vëzhgimi i pesë dosjeve gjyqësore janë konstatuar mangësi në aftësinë për të administruar dosjet dhe për të mbikëqyrur saktësinë dhe plotësinë e akteve të dosjes. Mangësitë janë relativisht të njëjta në mungesë të aktit formal për caktimin e seancës dhe mungesës së relacionit me shkrim. Në disa raste janë vërejtur edhe mos dokumentime në vonesat për fillimin e seancave gjyqësore e dosje të painventarizuara.
Komisioni ka evidentuar disa problematika lidhur me lehtësimin e akuzës ndaj Sokol Mjacajt, i dënuar me 10 vjet heqje lirie nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër për bashkëpunim në vrasjen e të miturit 13 vjeçar A.L. në vitin 2010, i cili pasi fitoi lirinë kreu një vrasje të dyfishtë.
Gjykata e Apelit Shkodër, ka ndryshuar akuzën ndaj Mjacajt duke mos e konsideruar atë si bashkëpunëtor në vrasje, por duke e marrë të pandehur e deklaruar fajtor për veprat penale “të sigurimit të kushteve për të kryer vrasje” dhe “moskallëzim krimi” e duke e dënuar atë me 4 vjet heqje lirie.
Në vendimin e KPK thuhet se duke ndryshuar cilësimin juridik të veprës, gjykata ka lehtësuar pozitën e të pandehurit kur edhe pas përsëritjes së pjesshme të hetimit gjyqësor nuk ka rezultuar që, nga analiza e vlerësimit të fakteve dhe të dëshmive të dëshmitarëve të pyetur, të kenë diktuar gjykatën për të ndryshuar cilësimin juridik të veprës.
Lidhur me këtë vendimmarrje Vjerdha ka pohuar para Komisionit se trupi gjykues është shprehur në bazë të bindjes së brendshme, të cilën ai vijonte ta kishte ende. Ai ka shtuar se ndoshta ka qenë i gabuar vlerësimi mbi akuzën “sigurim i kushteve për të kryerjen e vrasjes”, pasi me këtë pjesë të dënimit ai është penalizuar nga trupi gjykues dhe kurrsesi ai nuk ka qenë i favorizuar.
Në vendim thuhet se edhe Inspektoriati i Ministrisë së Drejtësisë ka konstatuar se trupa gjykuese e KPK-së në këtë rast nuk ka respektuar Kodin e Procedurës Penale.
Një prej problematikave që ka gjetur Komisioni gjatë verifikimit të kësaj dosje ka qenë edhe kalimi afatit 9-mujor të shqyrtimit të çështjes dhe se të gjitha seancat gjyqësore kanë filluar me vonesë, pa u pasqyruar në procesverbal shkaku i vonesës, duke shkelur Kodin e Etikës Gjyqësore. Komisioni konsideron se kjo praktikë ka sjellë uljen e transparencës dhe çmon se me procedurat e gabuara dhe joetike të ndjekura përgjatë këtij procesi gjyqësor trupa gjykuese e Apelit Shkodër ku ishte pjesë edhe gjyqtari Vjerdha, kanë cënuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.
Bazuar në denoncimin e një qytetari, KPK ka administruar një dosje për një çështje të konkluduar nga Gjykata e Apelit Shkodër në vitin 2019. Komisioni ka konstatuar se në seancën e datës 20 mars 2019, gjatë një diskutimi midis palëve mbi legjitimitetin e paraqitjes së një prove të re, përfaqësuesi i bashkisë Lezhë, ka pohuar se dokumenti që ai po kërkonte të paraqiste si provë të re, i është kërkuar më herët nga kryetari i trupës, gjyqtari Fuat Vjerdha.
I pyetur si dëshmitar ai ka thënë se Vjerdha ja ka kërkuar këtë provë pasi ka fikur mikrofonat. Edhe pse gjyqtari Vjerdha ka mohuar të ketë qenë ai që ta ketë kërkuar këtë provë, ka pranuar para Komisionit se ka qenë një tjetër gjyqtare që e ka bërë këtë gjë, duke marrë sipas KPK-së, një provë që ka rezultuar të mos të kishte lidhje me objektin e gjykimit.
Në vendim thuhet se pasi trupi gjykues i Apelit Shkodër ka vendosur rrëzimin e kërkesës në fjalë, duke argumentuar se avokatja e paditësit ka të drejtë që shprehet kundër kësaj kërkese, pasi ajo provë duhej të ishte paraqitur me kohë, ka riçelur hetimin gjyqësor dhe e ka administruar duke konsideruar se nuk mund të anashkalohej pasi ishte e domosdoshme.
“Qëndrimi i mësipërm i Gjykatës së Apelit rezulton të jetë kontradiktor, i paqartë dhe jo në përputhje me ligjin, duke lënë përshtypjen se trupi gjykues – pasi ka konstatuar pabazueshmërinë e kërkesës procedurale të një pale ndërgjyqësore, i mbyll derën marrjes së një prove të re – por në njëfarë mënyre, vetë gjykata realizon qëllimin e palës duke hapur një dritare për të mundësuar hyrjen e provës së re në dosjen gjyqësore, në mosrespektim të dispozitave procedurale në fuqi”, thuhet në vendimin e KPK. Komisioni çmon se këto shkelje lidhen me procedurat e gabuara dhe jo etike të ndjekura përgjatë një procesi gjyqësor dhe kanë cënuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.
Komisioni vlerëson të parregullt edhe një vendimmarrje të Gjykatës së Apelit Shkodër të vitit 2010, ku Vjerdha ka qenë anëtar i trupës, kur është prishur vendimi i Shkallës së Parë për dënimin e tre nëpunësve të zyrës së Urbanistikës së bashkisë Shkodër, të akuzuar për “shpërdorim detyre” pasi kishin dhënë një leje në kundërshtim me ligjin. Shkalla e Parë i ka dënuar të tre të nëpunësit, ndërsa Gjykata e Apelit ka vlerësuar se vetëm drejtori i zyrës së Urbanistikës ka qenë përgjegjës, ndërsa për dy të tjerët edhe pse ka arsyetuar se me veprimet dhe mosveprimet e tyre nuk kanë përmbushur detyrën ka munguar lidhja shkakësore midis veprimeve apo mosveprimeve të tyre me pasojat e ardhura nga ndërtimi i këtyre dy objekteve.
Ky arsyetim i Apelit është cilësuar si i gabuar nga Gjykata e Lartë që ka arsyetuar se veprimet dhe mosveprimet e të gjykuarve kanë lidhje të drejtpërdrejtë me pasojën e ardhur duke legjitimuar ndërtimin e dy objekteve në kundërshtim me ligjin.
Edhe KPK vëren se trupa gjykuese e Apelit Shkodër ku ka bërë pjesë edhe Vjerdha nuk ka vlerësuar provat në harmoni me njëra-tjetrën dhe në mënyrë koherente duke kryer arsyetim të dobët mbi lidhjen shkak-pasojë.
Komisioni identifikon një rast të shqyrtuar nga Vjerdha kur ai pa arsye ka tejkaluar afatet e ankimit të kryer për një vendim të shkallës së Parë të vitit 2012 që kishte të bënte me rivlerësimin e masës së sigurimit të padisë. Sipas Komisionit, duhej që në këtë rast të vendosej me procedurë të përshpejtuar dhe shumë më herët se me vendimin në themel, por ka ndodhur e kundërta. Nga hetimi administrativ janë gjetur mangësi edhe në lidhje me organizmin dhe planifikimin e punës në cilësinë e kryetarit të gjykatës.
Për gjykimin e një çështjeje lidhur me një procedim penal të vitit 2017, ku Vjerdha ka qenë kryesuesi i Trupës Gjykuese të Apelit Shkodër, ka rezultuar se është ndryshuar vendimi i shkallës së parë për dy bashkëshortë të dënuar për veprën penale të “mashtrimit”. Komisioni ka gjetur se Gjykata Apelit Shkodër me vendimin e shpallur më datë 18 tetor 2017 ka cilësuar të pafajshëm një prej të dënuarve në Shkallën e Parë, edhe pse i konsideron bashkëpunëtorë të dy të pandehurit.
“Kjo gjykatë nuk thellohet dhe as nuk e analizon rolin dhe përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të shtetasit F. M, në pjesën arsyetuese të vendimit, por vetëm të bashkëshortes së tij, znj. M. M., edhe pse i konsideron të dy të përfshirë në bashkëpunim”, thuhet në vendim. Në këtë rast Komisioni ka konstatuar mangësi profesionale të Vjerdhës, mosvlerësimin objektiv dhe koherent të disa rrethanave, si edhe aplikim jokorrekt të disa dispozitave ligjore nga ana e tij.
Për një procedim penal të vitit 2007 për veprën penale të vrasjes më paramendim në bashkëpunim të mbetur në tentativë dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake, të gjykuar nga një trupë Gjykuese e Apelit Shkodër me relator Vjerdhën, Komisioni ka evidentuar veprime të kryera në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale. Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për dënimin e dy të pandehurve, bazuar në dëshminë e dhënë prej të dëmtuarit para oficerit të policisë gjyqësore, kur ka thënë se nga tre autorët ka arritur të njohë dy prej tyre duke deklaruar edhe identitetitet përkatëse. Por, gjatë shqyrtimit të çështjes në Apel, i dëmtuari ka ndryshuar deklarimet duke pohuar se nuk ka njohur asnjë prej autorëve.
Komisioni konstaton se pavarësisht se Gjykata e Apelit i ka marrë deklarime të dëmtuarit nuk i ka konsideruar qëndrimet e tij të reja, por ka quajtur të vërteta deklarimet që ai ka dhënë para oficerit të policisë gjyqësore, duke vepruar në kundërshtim me ligjin.
Deklarime të pamjaftueshme të gjendjes cash
Edhe pse nga analiza financiare ka rezultuar se gjyqtari Vjerdha ka pasur burime të mjaftueshme financiare për blerjen e pasurive të deklaruara, si edhe për të përballuar shpenzimet e kryera, ka evidentuar problematikë në gjendjen cash. Në vendim thuhet se, sipas përllogaritjeve dhe analizës së kursimeve cash dhe shpjegimeve të dhëna nga subjekti lidhur me mënyrën e deklarimit të tyre, duke i marrë të mirëqena këto pohime, rezulton se deri në fund të vitit 2016 ai ka realizuar shumën prej 1,582,029 lekësh si kursime cash
Ndërkohë, komisioni ka konstatuar se Vjerdha ka pasqyruar në deklaratën veting vetëm shumën prej 200,000 lekësh si gjendje cash në banesë. “Pra, rezulton një diferencë prej 1,382,029 lekësh vetëm mes gjendjes së kursimeve cash të grumbulluara në fund të vitit 2016, dhe shumës së kursimeve cash të deklaruara nga subjekti në deklaratën veting”, thuhet në vendim.
Shpjegimet e Vjerdhës se diferenca e shumës 1.683.129 lekësh midis deklaratës së vitit 2016 dhe asaj veting vjen si pasojë e shumave të parave që dispononte i ati që jeton me të, nuk e kanë bindur trupën gjykuese të KPK. Komisioni konkludon se dokumentacioni i paraqitur prej tij vlerësohet si pa efekt dhe i parëndësishëm lidhur me analizimin e kësaj pike dhe çmon se mosdeklarimi i posedimit të likuiditeteve në shumën prej 1,683,129 lekësh duhet të konsiderohet si shkak për shkarkimin e tij nga detyra.
Nga hetimi ka rezultuar se gjyqtari Vjerdha nuk ka deklaruar burimin e një autoveture “Daimler-203-CDI”, ngjyrë gri, e vitit 2001, në bashkëpronësi me bashkëshorten e vet të blerë në 16 prill 2014 me vlerë 290 mijë lekë, por Komisioni e ka konsideruar atë si një pasaktësi që duhet mbajtur parasysh në një vlerësim tërësor.
Komisoni nuk ka gjetur problematika lidhur me burimin e disa pasurive të paluajtshme në Shkodër, konkretisht të dy apartamenteve të lidhur me njëri-tjetrin me sipërfaqe të deklaruar 175 m2 me vlerë të deklaruar 87,500 euro; një garazh me sipërfaqe të deklaruar 35 m2 me vlerë 10,000 euro dhe një dyqani me sipërfaqe të deklaruar 41 m2 me vlerë 61,500 euro që gjenden të gjitha në një kompleks. Nga hetimi ka rezultuar se këto pasuri gjyqtari Vjerdha i ka trashëguar nga nëna e cila si bashkëpronare e truallit, në vitin 2013 ka lidhur kontratë këmbimi me një shoqëri ndërtuese. Por, KPK ka gjetur mospërputhje në lidhje me deklarimet e kryera nga Vjerdha në vitin 2017 mbi sipërfaqet ndërtimore që do t’i kalojnë atij në pronësi dhe midis përmbajtjes së kontratave të shkëmbimit e deklarimeve të kryera në seancë dëgjimore dhe në prapësimet e tij.
Ndërkohë, gjyqtari Vjerdha e ka bindur KPK me shpjegimet dhe dokumentet e paraqitura lidhur me pagesën e detyrimeve tatimore të qirasë së përfituar nga dyqani me sipërfaqe 52 m2 në Shkodër, të cilin e ka deklaruar me sipërfaqe 41 m2. Trupi gjykues nuk ka identifikuar probleme edhe lidhur me përfitimin e një trualli me sipërfaqe 965.7 m2 në Tiranë me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të vitit 1995 nga nëna e Vjerdhës.
/Reporter.al/