Eneo Bitri kishte luajtur për herë të fundit një ndeshje zyrtare më 3 mars të këtij viti, pikërisht në të famshmen Kamza-Laçi (1-1). Me përjashtimin e Kamzës nga Superiorja, ku ai ishte transferuar në formë huazimi që prej janarit, qendërmbrojtësi u detyrua të qëndronte pa futboll aktiv deri më 10 korrik.
Në këtë periudhë u stërvit rregullisht me Partizanin dhe pas largimit të nigerianit Sodik Atanda, duhet të vinte një trajner i ri (Franko Lerda) që lojtari beratas të mos paragjykohej, por t’i jepej direkt besimi. Bitri duhet ta quajë veten me fat, sepse pas afro 5 muajsh pa futboll, luajti në një ndeshje Champions-i.
Italiani e kishte provuar në miqësoret e fazës përgatitore në Slloveni dhe shtatlarti kishte bindur në krah të Belicës. Historia e qendërmbrojtësit është si një ëndërr, ku fillimisht e sheh veten të demoralizuar totalisht, për t’u ringritur më i fortë se kurrë, madje duke qenë titullar në kompeticionin më prestigjioz për klube në botë. Bitri ka debutuar që 16 vjeç me Tomorin e Beratit në Superiore, për të bërë më pas “stazhin” në Kategorinë e Parë dhe për t’u u afruar te Partizani në sezonin e titullit kampion.
Rivaliteti i madh për një vend në qendër të mbrojtjes bëri që ai të luante vetëm 4 ndeshje (42 minuta) si zëvendësues në pjesën e parë të kampionatit të kaluar me fanellën e kuqe.
Trajneri Skënder Gega ishte munduar t’i jepte një shans, por me ardhjen e Lum Rexhepit në janar, u mendua që të kalonte te Kamza, për të ardhur te 10 korriku, ku bëri një paraqitje të jashtëzakonshme ndaj Karabakut në ndeshjen e tij të parë si titullar. Me siguri beratasi do ta kujtojë gjatë këtë ditë.