Vetingu/ Anëtari i KLP, Gentian Osmani, përballet me kërkesën për shkarkim në Kolegjin e Apelimit

Nga Boldnews.al

Anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gentian Osmani, nis të Enjten përballjen me Komisionerin Publik, i cili ka kërkuar shkarkimin e tij nga detyra në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Osmani, prokuror i Krimeve të Rënda, u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pak para se ai të zgjidhej anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Por, konfirmimi i tij në detyrë solli reagimin e menjëhershëm të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Vëzhguesit ndërkombëtarë nuk pritën zbardhjen e vendimit të konfirmimit, por i rekomanduan Komisionerit Publik shkarkimin nga detyra të Osmanit, duke argumentuar mbi problematika lidhur me ligjshmërinë e burimeve të pasurisë së tij.

Në të njëjtën linjë, Komisioneri Publik ankimoi vendimin e konfirmimit në detyrë të Gentian Osmanit, duke kërkuar largimin e tij nga sistemi i drejtësisë. Në bazë të këtij ankimi, Kolegji i Posaçëm i Apelimit nis të Enjten (11.7) seancat publike për rastin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Komisioneri: Deklarim i pamjaftueshëm
Në ankimin e datës 15 nëntor 2018, Komisioneri Publik rendit një sërë gjetjesh që lidhen me kriterin e pasurisë së Gentian Osmanit.

Sipas Komisionerit, “nisur nga rezultatet e hetimit dhe vlerësimit të Komisionit, Komisioneri Publik konstaton se përfundimet nuk janë në pajtueshmëri me aktet dhe provat e administruara”.

Për Komisionerin Publik, subjekti i rivlerësimit Gentian Osmani dhe personat e lidhur/të tjerë të lidhur me të nuk arrijnë të justifikojnë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurisë. Si rrjedhojë, “subjekti i rivlerësimit gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm të pasurisë”.

Gjithashtu, Komisioneri Publik vlerëson se “provat dhe shpjegimet e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit për të provuar të kundërtën e rezultateve të hetimit, nuk janë të mjaftueshme për rrëzimin e këtyre rezultateve dhe justifikimin për konfirmimin në detyrë të tij, sikurse ka konkluduar Komisioni”.

Gjetjet
Komisioneri Publik, referuar vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ka konstatuar se subjekti Gentian Osmani ka në pronësi një apartament me sipërfaqe 92 m2, me vlerë 82 mijë euro.

Si burim për blerjen e kësaj pasurie, anëtari i KLP-së, Osmani ka deklaruar të ardhurat nga shitja e një apartamenti të mëparshëm, me sipërfaqe 72 m2, me vlerë 80 mijë euro, dhe 2 mijë euro nga kursimet familjare.

Pikërisht, në burimin për blerjen e apartamentit të mëparshëm (në vlerë 67 mijë euro dhe i vlerësuar në vlerë rreth 80 mijë euro), i cili ka shërbyer si burim për blerjen e apartamentit të ri, është fokusuar Komisioneri Publik në ankimin e tij.

Subjekti Osmani e ka porositur apartamentin e mëparshëm, me vlerë 63 mijë euro, në vitin 2009 dhe ka nënshkruar kontratën e shit-blerjes në vitin 2016. Si burim për blerjen e asaj banese, anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka deklaruar: “i. të ardhurat nga paga në vite dhe shpërblime të tjera të subjektit dhe bashkëshortes; (ii) një hua e shlyer tërësisht (20.000 euro); dhe (iii) dhurimi nga prindërit e bashkëshortes në shumën 1.500.000 lekë”

Mbi burimin e huasë
Komisioneri Publik konstaton se nga hetimi administrativ i KPK-së, “ka rezultuar se subjekti i rivlerësimit nuk ka paraqitur asnjë dokument ligjor justifikues, i cili të vërtetojë dhe provojë marrëdhënien e huas, palët apo mënyrën e marrjes dhe shlyerjes së saj”.

Për këtë arsye, në përgjigje të një pyetësori të KPK-së, subjekti ka dhënë shpjegimin se huan e kishte marrë nga djali i dajës së tij, i cili jeton dhe punon në * prej rreth 20 vitesh, si dhe për shlyerjen e saj së bashku me interesat nuk është lëshuar ndonjë dokument, për shkak të marrëdhënieve të posaçme familjare që kanë.

Për të argumentuar qëndrimin e tij, subjekti ka paraqitur: dy kontrata pune të huadhënësit, datë *.7.2002 dhe datë *.2.2005, si dhe tri certifikata mbi të ardhurat e tij (huadhënësit), për vitet 2006, 2007 dhe 2008.

Gjithashtu, subjekti, lidhur me huadhënësin, ka deklaruar se “ …nga viti 1999 e në vijim, nuk ndodhet në Shqipëri, duke qëndruar në *. Në këtë shtet, ai ka realizuar të ardhura nga puna në shumën totale të 100.000 eurove. Në këto kushte, ai ka pasur mundësi për të kursyer shumën 20.000 euro, duke marrë në konsideratë dhe faktin se emigrantët nuk kanë një nivel të lartë jetese. Për sa më sipër, Komisioni krijon bindjen se z. *.*. ka pasur të ardhura të mjaftueshme për të kursyer shumën 20.000 euro”.

Ky sqarim është konsideruar i drejtë nga KPK. Por, Komisioneri Publik ka një vlerësim tërësisht të kundërt.

“Bazuar në deklaratat mbi të ardhurat e huadhënësit nga shteti * (*), vërtetohet se të ardhurat e realizuara prej tij për vitet 2002 – 2008 janë në shumën totale prej 100.049 eurosh”-shprehet ankimuesi- i cili vijon: “Por për vlerësimin e faktit nëse këto të ardhura janë të mjaftueshme për të kursyer shumën prej 20.000 euro, konstatojmë se Komisioni nuk ka marrë në konsideratë shpenzimet e jetesës së huadhënësit në shtetin * apo shpenzimet/investimet që ai mund të ketë kryer gjatë këtyre viteve”.

Gjithashtu, sipas Komisionerit, mungon informacioni mbi mënyrën e administrimit të këtyre kursimeve (20.000 euro), nëse janë administruar cash apo në llogari bankare dhe nëse ato janë sjellë në Shqipëri cash apo nëpërmjet kanalit bankar.

“Në mungesë të këtyre fakteve, dhe në referim të të dhënave zyrtare statistikore mbi nivelin e jetesës në shtetin *, sipas të cilave të ardhurat e ligjshme të realizuara nga personi tjetër i lidhur *. * janë të mjaftueshme vetëm për mbulimin e nivelit minimal të shpenzimeve të jetesës së tij11 , Komisioneri Publik vlerëson se mbetet e paprovuar aftësia financiare e huadhënësit për kursimin dhe dhënien e shumës prej 20.000 euro, si dhe burimi i ligjshëm i saj”, thotë Komisioneri.

Më tej, Komisioneri hedh dyshimet mbi vërtetësinë e kësaj marrëdhënie huaje ndërmjet subjektit Gentian Osmani dhe familjarit të tij. “Konstatojmë se, megjithëse kjo marrëdhënie huaje është deklaruar prej vitit 2009, subjekti, me qëllim provueshmërinë dhe vërtetësinë e saj, ka paraqitur një shkresë të panoterizuar, e datës 21 gusht 2009, vetëm pas kalimit të barrës së provës gjatë procesit të rivlerësimit”, thuhet në ankim.

LEXO EDHE  U arratisën nga burgu i Halkidhikisë, arrestohen 2 shqiptarët

Pagesa e kësteve për apartamentin
Komisioneri Publik konstaton se, për vitin 2009 subjekti ka paguar dy këste për blerjen e apartamentit, përkatësisht 15.000 euro, dhe 32.680 euro. Deri në mars 2009, rezulton se subjekti ka paguar shumën totale prej 47.680 euro (ose 6.579.840 lekë).

Nga analiza financiare e Komisionit ka rezultuar se subjekti i rivlerësimit ka pasur mungesë burimesh financiare në shumën prej 1.043.092 lekë, për likuidimin e dy kësteve të apartamentit

Subjekti Gentian Osmani, pas kalimit të barrës së provës, ka sqaruar se: “1. Mandati i arkëtimit me nr. *, datë *.3.2009, është prerë në mënyrë të njëanshme nga përfaqësuesit e shoqërisë “*” sh.p.k., me qëllim për ta ndihmuar, për të kryer pagesat në çdo kohë në arkë (arkëtimin e shumës), pa qenë e nevojshme prania e përfaqësuesve të shoqërisë”.

Pra, mandati i arkëtimit në vlerën 32.680 euro nuk është paguar i plotë më datë *.3.2009, pasi nga ana e tij nuk disponoheshin likuiditete të mjaftueshme në euro për pagesën e plotë. Pagesa e plotë është bërë deri në muajin dhjetor 2009.

Sqarimet e subjektit janë konsideruar bindëse për Komisionin, pasi ka konkluduar “se subjekti ka pasur burime të mjaftueshme për të shlyer këstet e këtij apartamenti për vitin 2009”.

Komisioneri konstaton se, “sa më sipër rezulton se kemi prova kontradiktore mbi kohën dhe vlerat e paguara nga subjekti për këtë pasuri në vitin 2009, pasi shkresat e shoqërisë së ndërtimit të administruara nga Komisioni në cilësinë e provës kundërshtojnë njëra-tjetrën, ku nga njëra anë shoqëria pranon se ka arkëtuar shumën 32.680 euro, duke paraqitur për këtë qëllim mandatpagesën nr. *, datë *.3.2009, ndërkohë që në përgjigje të subjektit shprehet se kjo shumë nuk është shlyer në datë *.3.2009, por është shlyer deri në fund të vitit 2009”.

Mbi shlyerjen e huasë

Nga analiza financiare e Komisionit ka rezultuar se për vitet 2011, 2012 dhe 2013, vite në të cilat subjekti ka deklaruar shlyerjen e huas, përkatësisht në vlerat 7.000 euro, 5.000 euro dhe 8.000 euro, subjekti nuk ka pasur të ardhura të ligjshme në shumën totale prej 2.498.919 lekë, fakt për të cilin i ka kaluar barra e provës.

Për të provuar të kundërtën, subjekti së bashku me shpjegimet, ka paraqitur dhe analizën e tij financiare, ku ndër të tjera ka sqaruar se: “Fillimisht në deklarimet e mia dhe të bashkëshortes, kur është deklaruar fjala ‘cash’, është nënkuptuar fjala likuiditet/kursim në lekë nga të ardhurat e vitit, qoftë brenda apo jashtë sistemit bankar. Për këtë arsye, shuma e deklaruar cash në deklarimet e çdo viti nënkupton likuiditetet brenda dhe jashtë sistemit bankar. Si rrjedhojë, likuiditetet në banka nuk duhet t’i shtohen shumës së deklaruar, por janë pjesë e saj…”.

Në përfundim, Komisioni ka konkluduar se subjekti i rivlerësimit ka pasur burime të mjaftueshme për të shlyer huan në shumën 20.000 euro.

Sipas Komisionerit Publik, rezulton se subjekti ka deklaruar ndër vite rregullisht kursimet në cash, në f. 3 të deklaratave vjetore, në të cilën kërkohet të specifikohen shtesat dhe pakësimet në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme nga 31 dhjetori i vitit paraardhës deri në 31 dhjetor të vitit të deklarimit.

Për çdo vit, subjekti i është referuar kursimit të deklaruar si kursime nga paga dhe shpërblime të tjera nga marrëdhëniet e punës, në cash për vitin respektiv. Subjekti, me përjashtim të vitit 2009, kur blihet pasuria apartament me sip. 72 m2 , nuk ka deklaruar në deklaratat vjetore pakësime në kursimet e deklaruara në vitet e mëparshme.

Komisioneri vlerëson se “argumentimi që përdor subjekti në qëndrimet e tij ndaj rezultateve të hetimit, lidhur me faktin se kur deklaron “cash”, nënkupton fjalën likuiditet/kursim… brenda dhe jashtë sistemit bankar, nuk qëndron. Komisioneri Publik, në konsideratë edhe të formimit profesional të subjektit, për të cilin nuk mund të vihet në diskutim kuptimi i fjalës “cash”, sjell në vëmendje pikën II/12 të parashtrimeve të tij, ku ndër të tjera për dhurimin e shumës 1.500.000 lekë nga prindërit e bashkëshortes, shprehet se… “shumë e cila….ka kaluar në formën e dhurimit, në dorë ose sipas gjuhës ekonomike ‘cash’, që posedohej në këtë mënyrë nga ana e tyre”.

Në konkluzion të sa më sipër, Komisioneri Publik vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk ka pasur të ardhura të ligjshme të mjaftueshme për të mbuluar pagesat për blerjen e apartamentit dhe shlyerjen e huas së bashku me interesat ndaj personit tjetër të lidhur *.*., për vitet 2011 – 2012 – 2013

Dyshime mbi dhuratën financiare

Komisioneri Publik ka marrë në shqyrtim edhe mundësitë e personave të lidhur (familjarët e bashkëshortes), të cilët deklarohet se i kanë bërë dhuratë shumën 1.5 milionë lekë, për blerjen e apartamentit në vitin 2009.

“Në analizë të të ardhurave të bashkëshortes së subjektit dhe prindërve të saj për periudhën 2004 – 2008, mbështetur edhe në informacionin e vënë në dispozicion nga subjekti, rezulton se personat e tjerë të lidhur, prindërit e bashkëshortes së subjektit nuk kanë pasur të ardhura të mjaftueshme për të mbuluar shumën e deklaruar si të dhuruar”, thuhet në ankim.

Në bazë të analizës financiare të realizuar nga Komisioneri Publik, rezulton se “Teprica e mbetur nga të ardhurat familjare, pasi zbriten shpenzimet minimale të jetesës, është e pamjaftueshme për mbulimin e shumës së dhuruar”.

Në vijim të së njëjtën analizë financiare, Komisioneri Publik konstaton se subjekti Gentian Osmani nuk justifikon me burime të ligjshme financiare edhe blerjen e një automjeti, në vlerën e 450 mijë lekëve.

Në përfundim të ankimit të tij, Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit “Ndryshimin e vendimit nr. 61, datë 2.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Gentjan Osmani”.

Prokurori Gentian Osmani vendos rekord, “jeton” me 8 mijë lekë në muaj (Dokumentet)

Si të bëni 20 mijë euro për 3 muaj? Prokurori Gent Osmani di “sekretin”

Ekskluzive/ ONM: Ja arsyet se përse duhet të shkarkohet prokurori Gent Osmani (Dokumenti)