Eksluzive/ “Kulisat” KLP-Veting për ngritjen “me urgjencë” të SPAK-ut

Nga Boldnews.al

Zvarritjet e njëpasnjëshme dhe, me shumë mundësi me prapavijë politike, të ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë, kanë shtyrë, tej çdo afati kushtetues dhe ligjor, ngritjen e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila përbën pikën kulminante të Reformës në Drejtësi në Shqipëri.

Qeveria shqiptare gjendet nën presionin e ndërkombëtarëve për krijimin e kësaj strukture, pasi shumë partnerë të huaj dhe të rëndësishëm kanë nisur të ngrejnë pikëpyetje mbi mungesën e vullnetit të maxhorancës për formimin e SPAK-ut.

Nën këtë presion, maxhoranca socialiste, nëpërmjet disa institucioneve të reja të drejtësisë, të cilat janë dukshën nën kontrollin e saj, po synon të përshpejtojë krijimin e Prokurorisë Speciale, me koston e shkeljes së parimeve ligjore.

Eksponentë të lartë të maxhorancës, përfshirë kryeministrin Edi Rama, japin Shtatorin si afat për ngritjen e SPAK-ut. Nëse ndiqet rrjedha normale e proceseve verifikuese, limiti që u ka premtuar qeveria partnerëve ndërkombëtarë është thuajse i pamundur për t’u arritur. Por, pikërisht, këtu duhet të aplikohet një “skenar”, për të mos e nxjerrë të zbuluar maxhorancën para partnerëve të huaj.

Burime konfidenciale nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë informuan “Boldnews.al” për një skenar “kulisash” që po organizohet, në bashkëpunim me institucionet e Vetingut, për ngritjen me urgjencë dhe në kundërshtim me ligjin, të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK).

Skenari duket i thjeshtë për t’u realizuar, të paktën në këndvështrimin e atyre që e kanë marrë përsipër për ta zbatuar.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) është institucioni përgjegjës për përzgjedhjen e prokurorëve që do të jenë pjesë e SPAK-ut. Këta prokurorë duhet që, krahas kritereve ligjore formale, të plotësojnë edhe dy kushte thelbësore; të marrin vlerësimin e nevojshëm nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë; dhe, të kenë kaluar procesin e Vetingut me vendim të formës së prerë;

Këshilli i Lartë i Prokurorisë mbyll këtë fundjavë intervistimin e 22 kandidatëve prokurorë për SPAK-un. Brenda javës së ardhshme, KLP pritet të publikojë listën me vlerësimin që do të japë për secilin prej kandidatëve.

Lista e KLP-së pritet të jetë me 15 emra, aq sa është limiti maksimal ligjor për përbërjen e SPAK-ut, të renditur nga prokurori që ka marrë më shumë pikë në vlerësim, tek ai/ajo që ka marrë më pak.

Por, që këta prokurorë të marrin emërimin përfundimtar si pjesë e SPAK-ut, duhet që të plotësojnë kushtin e dytë-konfirmimin në detyrë me vendim të formës së prerë nga Vetingu.

Pikërisht, në këtë pikë duket se nis të zbatohet “skenari i kulisave”, ku përfshihen edhe institucionet e Vetingut.

Nga 22 kandidatët për SPAK, deri më tani kanë kaluar Vetingun me vendim të formës së prerë vetëm dy prej tyre-Arben Kraja nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Dritan Prençi nga Prokuroria për Krime të Rënda.

Gjatë muajit Qershor 2019 janë konfirmuar nga shkalla e parë e Vetingut kandidatët për SPAK: Edvin Kondili, Enkelejda Millonai, Ened Nakuçi, Vladimir Mara, Manjola Kajana dhe Behar Dibra.

LEXO EDHE  Rudina Hajdari paralajmëron krijimin e një partie të re politike?

Ndërkohë që gjatë muajit Korrik 2019 është parashikuar të dalin para KPK-së pjesë më e madhe e kandidatëve të mbetur, ose, me shumë mundësi, të gjithë.

Burimet e “Boldnews.al” flasin për një kërkesë qeveritare në formën e “mirëkuptimit”, por që lexohet si “presion” ndaj strukturave të Vetingut për kandidatët e SPAK-ut. Sipas këtyre burimeve, eksponentë qeveritarë me qasje të fuqishme në institucionet e rivlerësimit po ndërhyjnë që KPK të zbardhë sa më shpejt vendimet e kandidatëve të konfirmuar të SPAK-ut dhe, nga ana tjetër, po i “sugjerojnë” institucionit të Komisionerëve Publikë që të mos ushtrojnë të drejtën e ankimit në rastet problematike.

Sipas këtij skenari, kandidatët e konfirmuar gjatë muajit Qershor 2019, duhet të jenë të gatshëm për të krijuar bërthamën e parë të SPAK-ut. Gjithësesi, burimet thonë se një pjesë e kandidatëve që janë përballur me KPK-në nuk do të jenë në listën e 15 emrave që do të marrin viston e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të qenë pjesë e SPAK-ut.

Ligji për SPAK-un parashikon se kjo strukturë do të përbëhet nga 15 anëtarë, por që të nisë funksionet e tij, numri minimal limit është 10 anëtarëve.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur që, për shkaqe “të arsyeshme”, ky numër mund të jetë edhe më i ulët. Ky vendim i KLP-së nuk gjen zbatim në asnjë bazë ligjore. Por, siç po ndodh me shumë institucione të reja të drejtësisë që nevojat për ngritjen e tyre nxit shkeljen e parashikimeve ligjore, kështu duket se do të ndodh edhe me SPAK-un.

Nëse konfirmohet skenari i referuar për “BN” nga burimet e brendshme të KLP-së, atëherë, maksimumi në fillim të muajit Shtator ngrihet struktura SPAK me një numër shumë të vogël anëtarësh.

Ndërkohë, po duke vijuar zbatimin e këtij skenar “kulisash”, disa anëtarë të tjerë të SPAK-ut pritet t’u bashkohen të parëve rreth fundit të muajit Shtator ose në fillim të Tetorit.

Sipas “parashikimeve” nga KLP, në përfundim të këtij procesi, me shumë mundësi nuk do të arrihet numri ligjor prej 15 anëtarësh të SPAK. Por, gjithësesi, edhe me një numër të reduktuar, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do t’i japë viston nisjes së funksionimit të SPAK-ut, megjithëse mund të krijohet dyshimi se po kryejnë një proces “të korruptuar politikisht”.

Ngritja e SPAK-ut, “me çdo formë e mjet” në Shtator, plotëson në këtë mënyrë edhe “premtimin” që qeveria u ka dhënë partnerëve ndërkombëtarë për funksionimin e kësaj Prokurorie Speciale.

Por, nëse konfirmohet skenari i referuar për “BN” nga burimet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, atëherë vjen një dëshmi e radhës, por shumë e fortë, se i gjithë procesi i Reformës në Drejtësi është ngritur mbi një farsë.