Në fundin e viteve ’70-të, teksa shkruante veprën e tij të famshme “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”, shkrimtarit të famshëm Ismail Kadare as mund t’i shkonte kurrë ndërmend se ajo gjë kishte ndodhur vërtetë vetëm disa vjet më parë në një qytezë të vogël jo shumë larg Tiranës, ku Luan Maluka (me origjinë nga Kolonja), do të arrestohej në Laç të Kurbinit dhe do të dënohej me shtatë vjet burg politik, pikërisht vetëm pse kishte parë në ëndërr Enver Hoxhën?! Maluka-t, familje e pasur dhe bejlerë të Kolonjës, mbështetës së Monarkisë së Zogut, veç të tjerave njiheshin edhe si themelues të qytetit të Ersekës, por pas ardhjes së komunistëve në pushtet në nëntorin e vitit 1944, për ta do të fillonin ditë të zeza.
Arrestimi dhe dënimi me burg, i Abdyl Malukës
Një prej familjeve të këtij fisi të njohur që do t’i nënshtrohej persekucionit të egër komunist, do të ishte dhe familja e Avdyl Malukës, i cili menjëherë pas mbarimit të Luftës u arrestua dhe vuajti disa vjet burg në Kënetën e Maliqit, pasi më parë iu sekuestrua e gjithë pasuria. Shkak për dënimin e tij u bë jo vetëm prejardhja si bejlerë, por edhe për faktin se Avdyli me bashkëshorten e tij, Sofien, kishin qenë të ftuar dhe kishin marrë pjesë në dasmën e Mbretit Zog në vitin 1938-të, në përbërje të parisë së Kolonjës. Madje kjo gjë e rëndoi më shumë pozitën familjare të Avdyl Malukës, të cilin nuk mund ta shpëtonte dot nga burgu, as vëllaj i tij komunist, që kishte luftuar me armë në dorë si partizan në çetat e Kolonjës. Pas daljes nga burgu Xha Avdyli me bashkëshorten tij, Sofinë dhe dy djemtë, Luanin e Robertin, e vajzën, për t’i shpëtuar luftës së egër të klasave u detyruan që të shpërnguleshin nga Kolonja për t’u vendosur në disa qyteza të vogla punëtorësh. Kjo gjë u bë e mundur për shkak se Luani punonte si hekurkthyes, profesion që mundi ta merrte gjatë kohës që ai kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në repartet e punës. Kështu nga mesi i viteve ’60-të, Abdyl Maluka me familjen e tij do të vendoseshin në qytezën e Laçit që sapo kishte filluar të ndërtohej, pasi Luani ishte sistemuar me punë në Ndërmarrjen e Ndërtimeve Industriale, e cila i kishte kantieret e saj në disa rrethe të vendit, si në Elbasan, Pogradec, Fushë-Krujë, Laç, etj.
Luan Maluka, një artist i lindur, kërkohej nga estradat profesioniste
Krahas punës si hekurkthyes, ku vlerësohej si një mjeshtër i vërtetë, në ato vite Luani frekuentonte dhe merrte pjesë edhe në estradat amatore të klasës punëtore kur organizoheshin olimpiadat e ndërmarrjeve. Pasi ai ishte një artist i lindur si aktor i talentuar i humorit, por dhe një akrobat i shkëlqyer, me një fizik të fortë që kishte marrë pjesë edhe në disa ndeshje boksi duke garuar me sukeses deri sa ai sport u mbyll në fillimin e viteve ’60-të. Me një mimikë dhe plastikë të fytyrës si të një aktori të sprovuar komik të kinematografisë, xhestikulacione dhe ushtrime cirku si në planin e forcës ashtu dhe në ato të ekuilibrit, nga mesi i viteve ’60-të e në vijim, Luani do të zgjonte interesin e disa regjisorëve të estradave profesioniste, si Tirana, Shkodra, Elbasani etj, që kërkonin ta bënin pjesë të trupave të tyre, pasi shihnin tek ai një aktor me prirje dhe formim të gjithanshëm. Por prejardhja familjare dhe problem i biografisë, nuk e lejuan Luanin që ai të radhitej krahas aktorëve më në zë të vendit, ku një pjesë prej tyre e donin dhe e ftonin herë pas here për të marrë pjesë në premiera të ndryshme që ata vinin në skenë. Kështu Luani mbeti vetëm një aktor amator i humorit që merrte pjesë vetëm në estradat e ndërmarrjeve në aktivitet e ndryshme të klasës punëtore që organizoheshin asokohe çdo vit nën parullën e Partisë “Ta bëjmë artin pronë të masave”.
Endrra e Luan Malukës me dhëmballën e Enver Hoxhës
Kështu p.sh. Mehmeti i thoshte Luanit se: “Sa i bukur është dielli në Perëndim….?!”, apo kur Luani “ia mbushte mendjen” Mehmetit, duke i thënë se parullat masive “30-vjet PPSH”, që mbushnin kudo fasadat apo faqet e kodrave, pse mos të kuptoheshin dhe lexoheshin ndryshe edhe si: “30-vjet punë pa pushim…”, etj, etj. Gjëra të cilat ata i bisedonin edhe me të tjerë dhe ato biseda shkonin në “vendin e duhur”, por Luani “do ta mbushte kupën” kur ai pa në ëndërr “shokun Enver”. Kështu në një mëngjes në një nga lokalet e qytetit të Laçit (Klubi i madh), teksa pinin kafe dhe konjak me Mehmeti Isain, Luani i tregoi atij se ishte “shumë i shqetësuar”, pasi kishte parë në ëndërr “shokun Enver”, sikur i dhimbte shumë dhëmballa dhe ai “nuk kishte mundësi ta ndihmonte”, pasi pincat e hekurkthyesit nuk ishin shumë të mprehta. Ndërkaq, Mehmeti ia ktheu: “Po mua të ma kishe sjellë o ty mbylltë e mendjes…., se ti e di se sa të reja i kam pincat…”, dhe ia nxori ato mbi tavolinë, pasi Mehmeti dhe Luani nuk i hiqnin kurrë nga brezi ato. Kjo bisedë “me zarar” mes tyre e bërë diku nga viti 1974, nuk u mbyll aty, pasi ata do ta bisedonin edhe me të tjerë, ku dikush e çoi “atje ku duhej” dhe ajo do të bëhej shkak që ata të prangoseshin nga Sigurimi i Shtetit, fillimisht Mehmeti dhe më pas në mars të vitit 1975 edhe Luani. Disa kohë më parë ishte arrestuar dhe shoku i tyre, Andrea Martini, ndërsa pas Luanit e Mehmetit u arrestuan edhe Dylber Zorba, Sadri Ahmeti dhe Kol Matusha.
Dënimi i Luanit me shtatë vjet burg politik
Pas një hetuesie të gjatë në qelitë e Degës së Punëve të Brendshme të Krujës (prej nga varej Laçi para viteve ’90-të), Luani dhe Mehmeti do të dënoheshin përkatësisht me nga shtatë vjet burg për agjitacion e propagandë. Vlen për t’u theksuar qëndrimi i tyre në gjyq kur i ballafaquan dhe sarkazma që Mehmet Isaj vazhdonte të bënte dhe aty në bankon e të akuzuarit?! Kështu kur kryetar i gjykatës e pyeti Mehmetin se se çfarë bisedonin ata me njëri tjetrin, Mehmeti iu përgjigj: “Asgjë nuk bisedonim, ne vetëm qeshnim”. Ndërkohë kryetari i gjykatës në kulmin e nervave, duke bërtitur vazhdoi: “Po si ka mundësi i pandehur, ju vetëm qeshnit…?!” Dhe Mehmeti me një qetësi olimpike që po ia shkatërronte nervat trupit gjykues dhe prokurorit, ia ktheu: “Po pse habiteni zotërinj të trupit gjykues, pak kishte dhe ka për të qeshur këtu tek ne….” Luani dhe Mehmeti u dënuan me nga shtatë vjet burg, të cilat Luani i vuajti kryesisht në kampin e Spaçit, ku të gjithë bashkëvuajtësit e tij e kujtojnë dhe e vlerësojnë atë për qëndrimin dinjitoz që ka mbajtur gjatë kohës së dënimit, duke e konsideruar si një nga heronjtë e rezistencës antikomuniste të Spaçit që nuk bëri kurrë kompromis me të keqen dhe regjimin.
Robert Maluka nën ndjekjen e survejimin e
Sigurimit të Shtetit
Pas dënimit të Luanit, e gjithë pesha e familjes i ra vëllait të tij, Robertit, i cili mbeti në shtëpi me dy prindërit në moshë të thyer dhe pa asnjë të ardhur. Duke mos gjetur dot punë për shkak të problemeve biografike, Berti qepte fshehurazi “pantallona dhe këmisha me modë”, pothuaj të gjithë çunave të Laçit dhe për t’u mos u bërë problem në Front dhe në Lagje, (ku e raportonin dhe e thërrisnin herë pas here), hapte fjalë se pantallonat i qepte nëna e tij e thyer në moshë, Sofia, së cilës Fronti dhe Lagjja nuk kishin ça t’i bënin?! Që pas arrestimit të Luanit, dhe deri në shembjen e regjimit komunist, vëllai, Roberti ishte i survejuar nga Sigurimi i Shtetit në çdo moment. Veç të tjerash kjo gjë bëhet e ditur edhe nga një dokument arkivor me siglën “Tepër sekret”, ku kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Krujës (prej nga varej Laçi asokohe), Niko Kondakçi, midis të tjerash shkruan: “Robert Maluka, edhe ky është në veprimtari armiqësore me Nikolin Lazër Pjetrin dhe për këtë arsye nuk mund të pyetet”.
(Dosja hetimor dhe gjyqësore e Nikolin Lazër Pjetrit). Roberti nuk pati mundësi për të ndjekur shkolla për shkak të problemeve biografike, por ai ishte autodidakt dhe një njeri tepër inteligjent dhe me mjaft kulturë e bagazh, gjë e cila bënte që ta respektonin edhe pjesa më e madhe e intelektualëve që ka jetuar e punuar në qytetin e Laçit që nga krijimi i tij në fillimin e viteve ’60-të. Berti kishte miqësi të ngushtë dhe të pastër me shumë djem laçianë që kishin probleme biografike, si Sokrat Zhango, Fatos Kokalari, Dylber Zorba, Ahmet Metalia, Rim Kurti, Agron Mehmeti, Jak Gjindoda, Çerçiz Zavalani, Raqi dhe Vasil Tase, Pal Arapi, Mëhill Noka, Lek Ndoci, Nikolin Pjetri, Flamur Kume, vëllezërit, Anton, Mark dhe Leonard Skabona, Prek Martini, Gjergj Preçi, Geg Lleshi, Lek Shkoza, Lek Molla, Gëzim Agolli, Sandër Shllaku, Gëzim Hajdini, etj., etj., ku me disa prej tyre ai pati bërë edhe plane konkrete për t’u arratisur nga Shqipëria, gjë të cilën nuk e realizoi dot për arsye se kishte nënën e tij në moshë të thyer që nuk mund ta linte vetëm. (Sofie Maluka ndërroi jetë në vitin 2015, në moshën 103 vjeçe).
Roberti nuk ishte shok dhe mik vetëm i djemve laçian me probleme biografike, (të cilët shikon tek ai një fije shprese me haberet që u sillte nga Tirana apo nga burgjet ku pëshpëritej për ndryshimin e regjimit…), por ai vlerësohej dhe respektohej për intelektin dhe qëndrimin e tij edhe nga mjaft djem laçianë që nuk kishin fare problem me pushtetin, si p.sh. disa djem oficerësh, si: Mehmet dhe Spartak Haxhia, Llazi Kolagji, Aleksandër Garuli, Niko dhe Vangjel Eksarko, Gëzim dhe Shpëtim Qeleshi, Fatos Kokalari, dy trajnerët e mirënjohur, Ndue Tarazhi, dhe Petrit Bardhi, sportistët, Pirro Lango, Fatos Kokalari, dhe deri tek më të rinjtë në moshë si Gëzim dhe Shpëtim Qeleshi, Besnik Gjoni, Ramiz Yzeiri, Miri Ceka, Luan Gjikola, Artur Ndoci, Viktor Menga, Mond Kaloçi etj.
Luani kryesoi Shoqatën e të Përndjekurve dhe burgosurve Politikë të Laçit
Luani u lirua nga burgu më 13 qershor të vitit 1982 duke e vuajtur të gjithë dënimin dhe me shumë peripeci gjeti përsëri punë si hekurkthyes, pasi si mjeshtër që ishte ja kishin shumë nevojën. Pas daljes nga burgu, Luani nuk e pati fare problem të takohej dhe të vazhdonte shoqërinë me mikun e tij të vjetër, Mehmet Isai, edhe pse ai (Mehmeti) ishte dhe mbeti një “reaksionar dhe armik i betuar i regjimit komunist”, jo vetëm gjatë vuajtjes së dënimit ku pjesën më të madhe e kaloi në spital se ishte gjysmë i paralizuar, por edhe pas lirimit nga burgu ku u rikthye në qytetin e Laçit duke jetuar për shumë kohë i vetëm në një barake eterniti të mbuluar me katrama në periferi të qytetit afër fushës së sportit. Gjatë vuajtjes së dënimit, Mehmetin e ndoqi pas nëpër burgje, vetëm nëna e tij plakë, (pasi Mehmeti nuk krijoi dot familje), e cila shiti të gjithë librat e Mehmetit te dyqani i mbledhjes së letrave, për t’i çuar ndonjë ushqim të birit pasi ai nuk kishte asnjë ndihmë tjetër.
Pas përmbysjes së regjimit komunist në fillimin e viteve ’90-të Mehmet Isai erdhi në Tiranë ku edhe pse në një moshë të madhe vazhdoi Fakultetin Juridik (ditën) ku pas diplomimit për disa vjet ushtroi punën si noter, ndërsa Luani vazhdoi të qëndronte në qytetin e Laçit, ku krahas punës si hekurkthyes, drejtoi për disa vjet edhe Shoqatën e të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë të Laçit së bashku me Vlash Pirolin. Pas shumë vuajtjesh dhe peripecish, Luani ndërroi jetë në vitin 2017 në qytetin e Laçit pranë familjes së tij, (aty ku u vendos për herë të parë në fillimin e viteve ’60-të), ndërsa miku dhe shoku i tij i ngushtë, Mehmet Isai, i ngrysi në vetmi ditët e fundit të jetës në Tiranë, duke u përcjellë për në banesën e fundit nga pak të afërm dhe bashkëvuajtësit e tij.













