A do e lejojë Lulzim Basha grushtin e shtetit duke tundur kokën para ndërkombëtarëve…

Nga Boldnews.al

Kolegji Zgjedhor vendosi sot me 5 vota pro të legjitimojë zgjedhjet më 30 qershor, pavarësisht një dekreti të Presidentit Ilir Meta që anullonte procesin në këtë datë.

Vendimi i Kolegjit erdhi pas një ankimi të një prej aleatëve të Ramës, partisë së Idajet Beqirit, që në rastin konkret u përdor nga Rilindja për t’i dhënë jetë një procesi pa kandidatë, dhe me standarde të rëna.

Dekreti i Presidentit nuk mund të rrëzohet nga KQZ apo një Kolegj Zgjedhor, gjykatë administrative apo rrethi, pasi tagrin e ka vetëm Kushtetuesja, që sot ndodhet jashtë funksionit me dëshirën e Edi Ramës dhe bekimin e disa diplomatëve që po vijojnë eksperimentimin me shqiptarët në emër të asaj që quhet “reforma në drejtësi”.

Pyetja që lind pas këtij vendimi është se çfarë do të bëjë opozita e drejtuar nga Lulzim Basha, kur praktikisht po shkohet drejt një grushti shteti kryeministror.

Paralelisht me seancën në Kolegjin Zgjedhor, Basha kishte mbledhur në seli aleatët e tij, më pas zhvilloi një bisedë me ministrin e Jashtëm Italian, Enzo Moavero Milanesi. Për aq sa është raportuar duket se kreu i opozitës në Shqipëri ka mbajtur rolin e dëgjuesit, ndërsa kreu i diplomacisë italiane “e ka këshilluar” për atë sesi duhet të sillet opozita apo mbështetësit e saj më 30 qershor.

Është folur për zbatimin e rregullave të demokracisë, në një vend ku rregullin e përcaktojnë të fortët apo grupet kriminale, që lidhen me pushtetin, dhe që gazeta gjermane “Bild” e ka zbardhur si skemë në plot 22 përgjime të publikuara.

Nuk dihet nëse Basha i ka thënë vetëm “PO” apo ka tundur kokën ndaj këshillave të ministrit të Jashtëm italian, por me shumë gjasa kjo mund të ketë ndodhur.

Madje version zyrtar që iu tha Boldneës mbi telefonatën ishte se “nuk kishin dijeni që Basha të kishte komunikuar me ministrin e Jashtëm Italian”, dhe jo më të pretendohej se kreu i PD mund të kishte kundërshtuar.

Gjuha që ndërkombëtarët i drejtohen sot opozitës, apo dje qeverisë, nuk ndodh në asnjë vend tjetër, ku protestat kanë qenë shumë herë më të dhunshme se dy fishekzjarre apo 3 molotovë të hedhur në Tiranë.

Nuk pamë as dëgjuam ndonjë ministër të Brendshëm apo të Jashtëm, diplomat europian apo amerikan, që të reagonte kundër protestave që përfshinë Athinën apo Parisin, të dy vende të BE-së, megjithëse si kryeqyteti grek ashtu edhe ai francez ishin nën flakë.

Në një situatë si kjo që po kalon Shqipëria në të paktën 4 muajt e fundit, kur opozita me dorëzimin e mandateve doli jashtë sistemit, mënyra sesi po sillet Lulzim Basha, më tepër sesa tentativë për të ndryshuar sistemin, ngjason me një lëvizje për gjetjen e një mundësie për t’u rikthyer në sistem.

Dhe kjo do të ishte zhgënjyese për ata mijëra e mijëra shqiptarë që e kanë ndjekur dhe besuar prej 16 shkurtit, në plot 9 protesta kombëtare të zhvilluara në Tiranë, dhe dhjetra të tjera në rrethe, duke u përleshur me policinë, përballjen me gazin helmues, shkopinjtë e gomës, sprajtin paralizues dhe çdo formë tjetër dhune.

Këta protestues nuk kanë pyetur ndonjëherë nëse nesër Edi Rama do t’i lërë që të largohen nga Shqipëria drejt BE-së apo SHBA, apo do t’i përfshijë në listën e zezë. Thjesht ata kanë besuar se protesta do të ishte e fundit, po të kihen parasysh deklaratat se Edi Rama ishte rrëzuar, apo të tjera të ngjashme se do të rrëzohej.

Në fakt Edi Rama është i rënë moralisht, ndërsa vijon të mbahet “me shiringa” nga diplomatët e akredituar në Tiranë, për të cilët ka një perceptim qytetar se janë të kapur, dhe nga opozita, të cilës i ka munguar agresiviteti dhe është kujdesur më shumë ndoshta që të mos përfshihet në atë që quhet “lista e zezë” amerikane apo europiane.

LEXO EDHE  Pezullohet mësimi për gjithë muajin dhjetor te universiteti Mjekësor i Tiranës (DOKUMENTI)

Janë këta diplomatë që kryesisht nga Tirana furnizojnë me informacione burokratët e BE, qeveritë e vendeve të tyre, dhe nuk është vështirë të kuptosh që në shumicën e rasteve ka një mosakordancë mes asaj që ato thonë këtu dhe raporteve që publikohen nga kancelaritë që përfaqësojnë.

Ka një tentativë për të krijuar idenë se po të kundërshtosh një ndërkombëtar, i cili ushtron ose jo presion, mund të kalosh në një izolim. Është kjo teza që përdoret sot kundër opozitës zyrtare dhe që përsëritet nga ekrani në ekran nga Ulsiu, Erjoni, Taulanti dhe çdo emër tjetër brenda një sekti që është kapur në përgjime, që në rastin më të mirë do të përbënte edhe listën më të drejtë të zezë të ndonjë qeverie europiane apo amerikane.

Presioni që po i  ndodh sot PD-së, është i njëjtë me atë të 2017, kur haptazi u kërcënuan nga PPE me përjashtim apo pezullim nga kjo familje nëse nuk hynte në zgjedhje.

PD përballë presionit  hyri në zgjedhje pa iu plotësuar asnjë prej kushteve që më parë kishte paraqitur dhe që njerëzit kishin qëndruar 3 muaj në një çadër, për të cilën sot Edi Rama rrëfen barsaleta.

Në një rast të ngjashëm, Kryeministri hungarez Viktor Orban, u vendos nën presionin e BE-së dhe PPE-së, por ai nuk toleroi, i qëndroi deri në fund vendimit të tij, u pezullua si anëtar i kësaj familjeje, por në zgjedhjet për Parlamentin Europian, fitoi 2/3 e vendeve që i takojnë Hungarisë. Orban u tall deri në fund me burokratët e BE-së, i qëndroi kundër rrymës burokratike dhe Sorosit, dhe fitoi përballë presioneve. Aleatët e vetëm që kishte ishin populistët europianë, dhe hungarezët.

Dhe nëse Orban mund të konsiderohet një lider autokrat, atëherë mund të merret si shembull kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që u vendos nën presion ndërkombëtar, u kërcënua me izolim, ishte nën presionin e Tiranës zyrtare dhe Presidentit Hashim Thaçi, por nuk u tërhoq nga vendimi për taksën ndaj mallrave serbe.

Haradinaj kishte në krah qytetarët dhe i mbijetoi presionit ndërkombëtar, përfshi edhe atë të një izolimi që i zgjati për disa ditë, ama në fund fitoi respektin dhe u pa si një faktor, pa të cilin nuk mund të kishte zgjidhje.

Sot në një situatë presioni ndodhet Lulzim Basha. Ai ka suportin popullor. Mijëra e mijëra qytetarë që i mblidhen sa herë i thërret, i binden për të bllokuar rrugë e për të kryer mosbindjen civile, por në fund tërhiqet kur vjen telefonata apo mesazhi nga seli diplomatike apo kancelari të ndryshme.

Nëse sot Basha, do  t’i kishte mbyllur telefonin ministrit të Jashtëm Italian, pasi t’i kishte numëruar të gjithë argumentet për vendimin e opozitës, ndoshta mund të kishte vuajtur mungesën e disa telefonatave për 4 apo 7 ditë, por respekti që do të krijohej për të si një lider i fortë do të ishte shumë më i madh se çdo tundje koke apo garanci që do të jepte për të kontrolluar inatin e protestuesve.

Nëse dje Basha nuk do t’i hapte telefonin një diplomati në Tiranë apo jashtë Shqipërisë, dhe më pas të tërhiqte protestuesit dhe t’i mbyllte në oborrin e selisë për të dëgjuar fjalimin përmbyllës, sot do të kishte shumë më respect për të, jo nga mbështetësit apo populli opozitar, por pikërisht nga ata që i quan partnerë.

Partnerët kërkojnë një partner të besueshëm, jo një partner që i bindet kur ata i telefonojnë dhe bën të fortin kur ata “flenë gjumë”.