Kryeministri Edi Rama nga Përmeti, ku zhvilloi takimin e rradhës me mbështetësit e tij për të prezantuar kandidatët e Rilindjes për kryebashkiakë, tha se shtyrja e zgjedhjeve nuk është një lojë me top lecke, por përbën bazat e shtetit.
Rama tha se mitingjet që po organizon opozita kundër tij i ngjasojnë me ato të vitit 1991, kur disa enveristë qorra dilnin dhe protestonin ndaj atyre që sollën demokracinë.
“E mbani mend në 1991, që dilnin ata enveristët qorra, që s’dinin dhe s’kuptonin që ndryshimi po vinte, i turreshin atyre që sollën demokracinë.
Kështu po bëjnë edhe këta sot, por t’a harrojnë se do të ndalojnë 30 qershorin.
Opozita është kthyer si ato çetat me 50 veta që rrinë në rrugë dhe zënë pusi”, tha Rama nga Përmeti.
Kryeministri, referuar deklaratave se do bllokohet 30 qershori, tha se “kush do të dojë të bëjë burg për Lulin dhe Monikën. Ka mbaruar koha që socialistët të tërhiqen apo kur ia merrnin gjërat me forcë. Ne do t’ja kthejnë si të duan, sy për sy dhe dhëmbë për dhëmbë, por që të bëjnë milimetra pas, le të harrojnë se nuk do të ndodhë kurrë”.