Si kreu i Prokurorisë së Apelit Shkodër 24-fishoi pasurinë/ Dyshimet për apartamentin dhe llogarinë e gruas

Drejtuesi i Prokurorisë së Apelit të Shkodrës, Elvin Gokaj do të përballet të martën më 18 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për Gokajn përbëhet nga Xhensila Pine, Pamela Qirko dhe Genta Tafa Bungo.

Elvin Gokaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore. Në vitin 2000 ai është emëruar prokuror në Prokurorinë e Matit, ndërsa në vitet 2007-2013 ka kryer detyrën e drejtuesit të Prokurorisë së Elbasanit.

Gokaj është promovuar në Prokurorinë e Apelit të Shkodrës në vitin 2014 dhe prej vitit 2016 ushtron funksionin e drejtuesit të kësaj prokurorie.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Elvin Gokaj nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurori Elvin Gokaj zotëronte pasuri me vlerë 400 mijë lekë në vitin 2003; kur deklaroi për herë të parë interesat e tij private pranë ILDKPKI. Në fund të vitit 2017, pasuria e tij familjare është rritur me 24 herë, duke kapur vlerën e 9.7 milionë lekëve.

Zëri kryesor i pasurisë së deklaruar përbëhet nga likujditetet bankare në vlerën e 4.9 milionë lekëve. Ai deklaron gjithashtu pasuri të paluajtshme me vlerë 4.1 milionë lekë dhe automjet me vlerë 676 mijë lekë.

LEXO EDHE  KPA e shkarkon nga detyra/ Besnik Muçi: Vendimi s'ka efekt! Më thoni, ku e shkela unë besimin te publiku?!

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 35.4 milionë lekë. Rreth 62% e të ardhurave burojnë nga paga për shkak të funksionit si prokuror, ndërsa rreth 38% e të ardhurave kanë si burim pagën e bashkëshortes si arsimtare dhe pedagoge.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga 14 deklaratat që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, asnjëra prej tyre nuk rezulton me probleme.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” përfitimin e një apartamenti me sipërfaqe 57 m2 përmes aktit të dhurimit nga familjarët në vitin 2010; apartament i cili ishte fituar nga statusi i të përndjekurit politik.

Vlen gjithashtu për t’u shënuar që një depozitë bankare prej 6 mijë eurosh, e deklaruar nga bashkëshortja në deklaratën e vitit 2017 i përket deklarimit periodik/vjetor të vitit 2018.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë për vitit 2003

Deklarata e pasurise për vitit 2004

Deklarata e pasurisë për vitit 2005

Deklarata e pasurise për vitit 2006

Deklarata e pasurisë për vitit 2007

Deklarata e pasurisë për vitit 2008

Deklarata e pasurisë për vitin 2009

Deklarata e pasurisë për vitin 2010

Deklarata e pasurisë për vitin 2011

Deklarata e pasurisë për vitin 2012

Deklarata e pasurisë për vitin 2013

Deklarata e pasurisë për vitin 2014

Deklarata e pasurisë për vitin 2015

Deklarata e pasurisë për vitin 2016

Deklarata e pasurisë për vitin 2017

/REPORTER.AL/