Nga Boldnews.al
Televizioni Top Channel, i fshehur nën petkun e mbrojtjes së interesit publik, ka nisur një fushatë të paprinciptë denigruese dhe cinike kundër një prej kompanive kryesore farmacautike kryesore në Shqipëri, CFO Pharma.
Deri në datën 1 janar të vitit 2019, CFO Pharma ishte sponsori gjeneral i emisioneve kryesore të televizionit Top Channel. Por më pas, mes tyre nisi një konflikt i ashpër.
Përplasja mes dy grupeve të fuqishme financiare, fillimisht ka qenë e heshtur dhe më pas është bërë publike në një seri kronikash televizive dhe emisionesh të një prej televizioneve kryesore private në vend.
Disa muaj më parë, emisioni “Top Story”, i menaxhuar plotësisht nga drejtori i përgjithshëm i Top Channel, Ben Blushi, pas një investigimi gazetaresk, i drejton disa pyetje kompanisë “CFO Pharma”.
Gjithçka dukej korrekte dhe në përmbushje të parimeve gazetareske. Një emision investigon, siguron detaje dhe kërkon edhe qëndrimin e kompanisë private mbi gjetjet e tij.
Por, reagimi i CFO Pharma zbuloi se raportet e saj me Top Channel nuk ishin ato formale, të krijuara ndërmjet një mediumi dhe një kompanie private. Mes dy grupeve financiare duket se ka pasur “divergjenca” të mëparshme, para se të arrihej në pyetjet që “Top Story” i drejtoi CFO Pharma-s.
Nadir Çausholli, në një prononcim për “Boldnews.al” deklaroi se kompania CFO Pharma është gjendur nën sulmin e Top Channel, ku në shënjestër u vendosën produktet farmaceutike të kompanisë së tij, të njëjtat që ishin reklamuar deri pak kohë më parë në emisionet e ndryshme të TCH.
Çausholli deklaroi se ai ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë për Krime të Rënda ndaj administatores së Top Channel, Vjollca Hoxha dhe dy personave të tjerë të stafit të televizionit, për veprën penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, e njohur në leksikun e përditshëm edhe si “gjobvënie”.
Pronari i CFO Pharma, në komunikimin me “Boldnews.al” deklaron se në kallëzim, ndër të tjera, ka përmendur faktin që drejtuesit e Top Channel i kanë kërkuar një “gjobë” 250 mijë euro, në këmbim të mbrojtjes që televizioni do u bënte produkteve të tregtuara nga kompania e tij. Kjo shumë do të ishte e veçantë nga ajo që CFO Pharma do të paguante për publicitetin, e etiketuar si PR.
Ofensiva e Top Channel
Kallëzimi penal nxori në dritë divergjencat mes dy palëve, të cilat deri në atë kohë ishin zhvilluar në komunikime mes zyrave. Të vënë në vështirësi pas kallëzimit të Çaushollit, drejtuesit e televizionit, i administruar nga Vjollca Hoxha dhe me drejtor të përgjithshëm Ben Blushin, nisën një fushatë të fortë kundër CFO Pharma.
Strategjia e Top Channel për të goditur kompanisë farmaceutike është e bazuar në dy plane. Nga njëra anë, goditje mediatike, nëpërmjet kronikave informative dhe emisioneve. Nga ana tjetër, “miklimi” i drejtuesve më të lartë të prokurorisë, përfshirë Kryeprokuroren e Përkohshme, Arta Marku.
Drejtuesja më e lartë e Prokurorisë, megjithëse “pa kompetenca, sipas ligjit”, në fakt kontrollon të gjithë strukturën e institucionit, përfshirë edhe Donika Prelën e Krimeve të Rënda, njësi që po trajton kallëzimin e Çaushollit.
Goditja mediatike
Pas kallëzimit që Çausholli dorëzoi në Prokurori, Top Channel organizoi një puntatë të emisionit “Top Story” me qëllimin e vetëm për të goditur CFO Pharma.
Pas atij emisioni, Top Channel, gjithnjë duke u paraqitur si mbrojtës i interesit publik, nisi një seri kronikash disa-ditore, në të cilat deklaronte se kishte zbuluar që ilaçet e importuara nga CFO Pharma shiten në farmacitë e vendit me një çmim shumë herë më të lartë se sa ai i blerjes.
Fillimisht këto kronika mbulonin tregun farmaceutik të Tiranës e më tej, nën një sulm të koordinuar, korrespondentët e Top Channel në qytete të ndryshme, raportonin në mënyrë simultane për ato që televizioni i konsideronte shkelje dhe abuzime nga CFO Pharma.
Së fundmi, Top Channel po përdor kundër Nadir Çaushollit një ish-biznesmen, Përparim Sulkaj, aktualisht nën masen arrrest ne shtepi për mashtrimin e një numri të konsiderueshëm personash së bashku me vëllain e tij, Lefter Sulkaj i cili vazhdon eshte ne burg
Vëllezërit Sulkaj kanë qenë aksionerët kryesorë të Spitalit Gjerman. Sipas raportimeve mediatike të vitit 2018, vëllezërit Sulkaj akuzoheshin se kishin mashtruar një numër të lartë qytetarësh dhe 4 banka të nivelit të dytë, në vlerë që kalonte 2 milion euro. Për këtë arsye, gjykata e Apelit të Tiranës, në verën e vitit 2018, vendosi masën “arrest me burg” Lefter Sulkaj, ndërsa Përparim Sulkaj para 4 dite per arsye shendetsore vendosi masën “arrest në shtëpi”.
Pak javë më parë, Top Channel raportoi se prokuroria e Tiranës kërkoi dënimin me 8 vjet burgim për Lefter Sulkaj. Ndërkohë në të njëjtin raportim, theksohej se çështja ndaj Përparim Sulkaj ishte veçuar.
Përparim Sulkaj ka dalë së fundmi në kronikat e Top Channel, duke konsideruar Nadir Çaushollin si personin që fshihet pas kallëzimeve ndaj tij dhe vëllait të tij duke aluduar për interesa financiare që lidhen me pronësinë e Spitalit Gjerman.
Në fakt, “Boldnews.al” ka parë dosjen e plotë hetimore, në të cilën konstatohet se kallëzimi ndaj ish-drejtuesve të Spitalit Gjerman është bërë nga persona të ndryshëm, të cilët kanë deklaruar se janë mashtruar nga vëllezërit Sulkaj.
Por, në listën e kallëzuesve nuk figuron emri i Nadir Çaushollit dhe as emri i kompanisë së tij, CFO Pharma. Duke iu referuar dokumentave zyrtarë, duket e paqartë se përse Përparim Sulkaj ka zgjedhur që të përmend publikisht emrin e Çaushollit në këtë histori, e, për më tepër, në televizionin Top Channel, i cili aktualisht është në konflikt të hapur me CFO Pharma.
Për më tepër, kronika e Top Channel për raportet ndërmjet Nadir Çaushollit dhe Spitalit Gjerman është i pasaktë. Çausholli dhe dy ortakë të tij e kanë blerë Spitalin Gjerman nga bankat Intesa San Paolo dhe Abi Bank, të cilat kishin marrë pronësinë e aktivitetit tregtar dhe asetet prej Dhjetorit 2016.
Pra, marrëdhënia ndërmjet Përparim Sulkaj dhe Nadir Çaushollit nuk ka asnjë lidhje me blerjen e Spitalit Gjerman, siç pretendohet në kronikat e Top Channel. Sipas pronarit të CFO Pharma, detyrimi financiar që familja Sulkaj kishte ndaj tij ishte e humbur dhe nuk kishte shërbyer aspak për blerjen e spitalit.
Përparim Sulkaj ka qenë edhe më parë pjesë e transmetimeve të Top Channel, por në sensin negativ. Në 31 Maj 2018, emisioni satirik “Fiks Fare” transmetoi një video, në të cilën, sipas emisionit, Përparim Sulkaj po merrte para në sportelin e Spitalit Gjerman, pavarësisht se ishte larguar nga administrimi i atij institucioni shëndetësor privat. (videon e transmetuar nga “Fiks Fare” mund ta shihni këtu: (https://www.youtube.com/watch?v=yXvf-vVZAdY)
Dikur nën kritika nga Top Channel, tashmë Përparim Sulkaj është bërë “aleat” me televizionin, për të goditur Çaushollin
“Miklimi” i Prokurorisë
Krahas goditjes mediatike ndaj CFO Pharma dhe Nadir Çaushollit, Top Channel i është dashur që të menaxhojë në favor të tij edhe hetimin e nisur nga Krimet e Rënda, pas kallëzimit për “gjobvënie”.
Për këtë arsye, televizioni ka zgjedhur që të miklojë Kryeprokuroren e Përkohshme, Arta Marku. Pak javë më parë, emisioni kryesor politik i Top Channel, “Open” organizoi një intervistë promovuese me Markun.
Burime nga stafi i emisionit deklaruan pak kohë më parë se intervista ishte shtyrë për disa ditë, pasi Arta Marku, megjithëse ia kishin servirur pyetjet, nuk ishte dakord. Pasi u gjet kompromisi për pyetjet, sipas interesit të kryeprokurores së përkohshme, ajo u paraqit në emision.
Intervista ishte mediokre dhe përgjigjet e Arta Markut ishin pa nivel, pavarësisht tolerancës së dëshmuar nga drejtuesja e emisionit, një gazetare me përvojë, e cila me shumë mundësi do të ketë qenë e detyruar që të tregohet e butë me Kryeprokuroren e Përkohshme.
Nga ana tjetër, në stafin e ngushtë të Arta Markut është bashkuar së fundmi një prej ish-bashkëpunëtoreve më të afërta të Ben Blushit, në kohën kur ai drejtonte formacionin politik ‘LIBRA”.
Pasi ish-bashkëpunëtorja e Blushit merr një post kyç pranë Arta Markut, Top Channel merr në mënyrë “ekskluzive” informacione nga Akuza, sidomos të dhënat për hetimet që ka nisur Prokuroria e Tiranës pas një kallëzimi të Top Channel për atë që televizionin e quan abuzimin me ilaçet nga Nadir Çausholli.
Përballë kësaj furie sulmi të Top Channel, Nadir Çausholli duket se ka zgjedhur të qëndrojë në pritje të rezultateve të hetimit që po zhvillojnë Krimet e Rënda, bazuar në kallëzimin e kompanisë CFO Pharma.