Rreth 1.5 milion euro pasuri në pronësi të Admir Muratajt dhe familjarëve të tij janë sekuestruar nga Policia me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Pasuritë e paluajtshme janë në emrë të Admir Muratajt dhe dy vëllezërve të tij, Aleksandër (Shpëtim) Murataj dhe Cen Murataj.
Admir Muratajt mbeti i vrarë pas grabitjes së 9 prillit në Rinas. Ai njihet se person i përfshirë në disa ngjarje kriminale brenda dhe jashtë vendit.
Pasuritë e sekuestruara – “Departamenti i Policisë Kriminale në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në DVP Tiranë, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, kanë bërë sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të cilat i përkisnin shtetasve A.M., Sh.M. dhe C.M., dhe konkretisht:
Vilë 3 – katëshe e ndodhur në Prezë, Tiranë, me një sipërfaqe totale ndërtimi 300 m2 në emër të shtetasit A. M.
- Tokë truall me sipërfaqe 600.3 m2 e shtetasit A. M., ndodhur afër Saukut,
- Garazh me sipërfaqe 23 m2, në emër të shtetasit A. M., blerë në vitin 2016
- Apartament me sipërfaqe 100.5 m2, në emër të shtetasit A. M.
- Tokë truall, në emër të shtetasit A. M.
- Apartament banimi në Sarandë, i porositur në datë 05.07.2012 tek një shoqëri ndërtimi, kundrejt shumës 90 000 euro.
- Apartament, me sipërfaqe 71 m2, në emër të shtetases A. A.
- 9 automjete të llojeve të ndryshme relativisht të shtrenjta.
- Vlera e pasurive të sekuestruara llogaritet rreth 1,5 milion euro.
Pasuritë e sekuestruara janë lënë në administrim të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Po punohet për identifikimin e pasurive dhe aseteve të tjera që kanë këta shtetas, por që nuk i kanë të regjistruar në emër të tyre”, njoftoi Policia.