Deputeti i pavarur Lefter Maliqi ka qenë i ftuar në studion e lajmeve të Fax News, ku ka diskutuar zhvillimet më të fundit në vend, shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit dhe kërkesën e mazhorancës për të shkarkuar presidentin Meta.
Maliqi u shpreh se dekreti i presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve është i ligjshëm, dhe nesër në Kuvend ai do të jetë një ndër deputetët e parë që do të marrë fjalën për të argumentuar këtë.
“Unë si deputet për herë të dytë i kam dëgjuar deputetët e PS-së, veçanërisht ata që janë ish-ministra, që janë kundër veprimeve arrogante të zotit Rama, që janë kundër dhe shkarkimit të presidenit Meta dhe mbajtjes së zgjedhjeve në 30 Qershor.
Unë jam ndër të parët që do të marr fjalën nesër, besoj se nesër të gjithë deputetët e PS-së duhet të ngrejnë zërin dhe të thyejmë edhe rregullore, nëse duam integrimin e vendit. Kjo qeveri është ilegjitime, sa kohë që zgjedhjet vendosen nga bandat e krimit, situata është shumë e rëndë, pasi kemi parë edhe përgjimet që janë publikuar”, u shpreh Maliqi.
I pyetur nga gazetarja Klaudja Karabolli nëse ka pasur komunikime me socialistët, Maliqi u shpreh se ai beson se të paktën 7 deputetë të majtë do të refuzojnë që të votojnë për shkarkimin e Metës, një prej emrave më të sigurt sipas tij është dhe ai i Ditmir Bushatit.
“Besoj se në mënyrë diplomatike do të ketë nga ata që do e ngrejnë zërin, unë jam i bindur që mbi 7 deputetë socialistë nuk do të votojnë për shkarkimin e Metës, një ndër ta ai i Shkodrës (I referohet Ditmir Bushatit), por besoj se do të ketë dhe nga deputetët fallso të opozitës së re që do i japin votat Ramës. Në rast se zgjedhjet mbahen në 30 Qershor, situata e përplasjes civile është e pashmangshme nga ana e policisë. Në një qendër votimi është vetëm një polic, i cili nuk mund ta shmangë përplasjen mes qytetarëve që janë disa herë më shumë në numër”, deklaroi deputeti.
Ndërkohë që lidhur me arsyet se pse qëndron ende në Kuvend, Maliqi u shpreh se mendon se prania e tij ndihmon në qartësimin e opinionit publik lidhur me arrogancën e qeverisë Rama. Ai theksoi se rezoluta për shkarkimin e Metës është një puç kushtetues, dhe kjo nuk mund të ndodhë sa kohë që Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit.
“Unë besoj se kam ndihmuar opinionin publik që të kuptojë atë që ndodh me qeverinë, unë u jam përgjigjur reagimeve arrogante të kryeministrit, kam kërkuar interpelancë me të, ka shumë rezultat se unë e shoh kur takohem me socialistët e ndershëm dhe ma thonë këtë.
Qeveria nuk është e PS-së, po është e Rilindjes, tre ministrant socialistë që janë Braçe, Klosi dhe Majko janë pa portofol, të tjerët merren me tenderat.
Rezoluta është një puç kushtetues, dhe çfarë ndodh? Nuk mund ta shkarkojnë dot presidentin, edhe nëse duan që të krijojnë Gjykatën Kushtetuese 3 anëtarë të saj propozohen nga Presidenti.
Kjo është një matje forcash, Rama tentoi që të përçante opozitën. Unë e kam thënë që mua nuk më pëlqen lidershpi i PD-së, ama problemet brenda PS-së janë shumë më të rënda”, tha më tej Maliqi.
Sipas deputetit të Beratit, Rama nuk ka shanse që të fitojë zgjedhjet nëse mbahen sot, pasi ka humbur mbështetjen e disa personazheve shumë të njohura të PS-së si Xhafaj apo Ruçi.
“Fatmir Xhafaj nuk punon më për Ramën, pasi u premtua që vëllai i tij do shkonte në Itali dhe nuk do të futej më në burg, Vangjush Dakon që i bënte vota në Durrës, ai po shkon drejt fatit të Saimir Tahirit.
Një biznesmen i fuqishëm që ka bërë dhe rrugën e Surrelit dhe ka punuar në Vlorë, ka dalë kundër Ramës pasi nuk i dha rrugën e Unazës së Madhe, në Elbasan çamët s’i ka më, Qazimi ra, në Shkodër se ka më Ditmir Bushatin, Damian Gjiknurin e hoqi nga pozicioni i ministrit, Arben Çukon nuk e ka më në Lushnje.
Ai i bën llogaritë mirë dhe e di që nuk i fiton dot më zgjedhjet, edhe sikur të hedhë para për t’i blerë. Rama frikësohet nga bashkimi i çamëve dhe LSI-së, me PD-në. Unë eci në sinkron me atë aleancë që është në shërbim të qytetarëve, mua më kanë bërë oferta dhe nga mazhoranca, që thonë pse flet se me ne e ke mandatin e sigurt. E rëndësishme është që vendi të mos kalojë në diktaturë”, tha më tej Maliqi.
A jeni pro shpërndarjes së Kuvendit?
Po do isha dakord menjëherë, qëndroj në Kuvend pasi sa të jem dua të përballem me këtë.
Ilir Meta dhe Sali Berisha janë njerëz që mbajnë fjalën, këta të dy i njoh dhe e di që nëse premtojnë një investim e mbajnë. Nuk kam pasur as një komunikim as me zotin Basha dhe as me zotin Meta pas marrjes së mandatit.
Unë nuk jam asnjë me grupimet që janë formuar në Kuvend, pasi e ndjej veten një njeri të lirë, dhe përfaqësoj qytetarët e mi që më kanë mbështetur.
Ramës po i dhemb beli sot, po i kruhet koka, kur i them këto unë më thonë kini kujdes, se ke të bësh me banda të rrezikshme, nuk kam frikë unë, i trembem vetëm zotit.