Nga Boldnews.al
Në kulmin e krizës politike, të shkaktuar për shkak të lidhjeve të fuqishme të “Rilindjes” me botën e nëndheshme të krimit të organizuar, Edi Rama mundohet të bindë militantët e tij se shkaku i vërtetë i bllokimit institucional është “frika e opozitës nga Reforma në Drejtësi”.
Ky është një refren, i cili, më së pari nuk bind vetë Edi Ramën dhe shpurën e tij, të cilët vendosën nën kontroll politik strukturat e Vetingut e, nëpërmjet tyre, menaxhojnë sipas interesit të tyre të gjithë sistemin e drejtësisë.
Nën diktatin qeveritar, rreth 3 vjet pas miratimit të Reformën në Drejtësi, sot kemi gjyqtarë e prokurorë të ndarë në dy kampe të mëdha kryesore; ata që presin shkarkimin nga Vetingu dhe ata që, me shpresën e vijimit të karrierës, mbyllin njërin sy, madje edhe të dy, vetëm e vetëm për të plotësuar trillet qeveritare.
Për këtë kategori të dytë, ata që zgjedhin kompromis me Edi Ramën dhe “Rilindjen” e tij, rastet janë publike, flagrante dhe ulëritëse. Prokurorë e gjyqtarë, të cilët qëndrojnë nën lëmoshën e qeverisë, duke dhënë një kontribut aspak të vyer për thellimin e krizës politike dhe shoqërore në vend.
“Boldnews.al” po rendit disa prej prokurorëve e gjyqtarëve, të cilët, me angazhimin e tyre pro-qeveritar, kanë kryer dhe po kryejnë me devotshmëri orientimet qeveritare.
Pesha më e madhe e përgjegjësisë, sidomos për dosjet më të nxehta të momentit, peshon mbi Prokurorinë dhe prokurorët.
Me zgjedhjen e Arta Markut në krye të prokurorisë, vetëm me 69 votat e maxhorancës, institucioni i Akuzës është shndërruar në një zgjatim të kabinetit qeveritar. “Shërbimet” pro-qeveritare të prokurorisë janë përqëndruar në strukturat më të rëndësishme të institucionit, tek Krimet e Rënda dhe tek ajo e Tiranës.
Donika Prela
Në krye të Krimeve të Rënda është Donika Prela, një prej personazheve më kontrovers të Prokurorisë Shqiptare. Ajo kaloi Vetingun, pas një procesi të dyshimtë, pasi i shërbeu më së miri qeverisë, sidomos me bllokimin e hetimit për dosjes “339” dhe “184”.
Një shërbim të madh pro-qeveritar, ajo i dha maxhorancës socialist edhe me keq-orientimin e dosjes “Babale”, ku denoncuesit e Agron (Geron) Xhafaj, u shndërruan në të pandehur që “i prishën imazhin vëllait të Fatmir Xhafajt”. Donika Prela është në pritje të vendimit përfundimtar për Vetingun e saj, në një proces që do të zhvillohet nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
Në përmbushjen e misionit të saj politik, Donika Prela u mbështet nga disa vartës të saj, të cilët gjithashtu kanë mbajtur sytë nga vullneti qeveritar për vijimin e karrierës së tyre.
Gentian Osmani
Dosja “Babale” u hartua, menaxhua dhe u përfundua nga Gentian Osmani, ish-zëvendës i Prelës. Të dhënat e publikuara së fundmi, dëshmuan se Osmani është përfshirë në një manipulim të dosjes hetimore, nëpërmjet sajesës së një “dëshmitari të rremë”.
E, megjithatë, Gentian Osmani përfitoi nga “dora e ngrohtë” qeveritare-ai kaloi fazën e parë të Vetingut, pavarësisht problematikave të shumta që iu konstatuan me kriterin e pasurisë. Pasi mori konfirmimin nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Osmani u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ai është në pritje të vendimit përfundimtar nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA).
Liljana Baku
Në dosjen “Babale”, prokurorët Prela dhe Osmani gjetën përkrahjen e gjyqtares së Krimeve të Rënda, Liljana Baku. Një gjyqtare me përvojë, Baku vendosi të pranojë kërkesat e prokurorisë për masat e sigurimit ndaj denoncuesve publikë të Agron (Geron) Xhafaj, duke i shërbyer në këtë mënyrë zbutjes së dyshimeve mbi rolin e Fatmir Xhafajt, në atë kohë Ministër i Brendshëm.
Dy dosjet më të nxehta të momentit, ato të numërtuara “339” dhe “184”, brenda së cilave gjendet provat e bashkëpunimit të qeveritarëve të lartë me bandat kriminale për vjedhjen e votave në favor të “Rilindjes”, mbahen të bllokuara nga prokurorët e Krimeve të Rënda, Dritan Prençi e Vladimir Mara, natyrisht, nën urdhërat e Kryeprokurores së Përkohshme Arta Marku dhe shefes se tyre të drejtëpërdrejtë, Donika Prela.
Dritan Prençi
Dritan Prençi e kaloi me sukses procesin e Vetingut, me shumë mundësi, për shkak të raporteve të afërta me Ulsi Manjën dhe ish-deputetin socialist, sot kandidat për kryebashkiak në Kamëz, Rakip Suli.
Prençi është prokuror i emëruar në Kukës. Ai po ushtron detyrën prej dy vjetësh në Prokurorinë për Krimet e Rënda, në kundërshtim total me ligjin. Por, siç duket, ka gjetur “mekanizmin” për të qëndruar në Tiranë. Çelësi gjendet tek bllokimi i dosjeve “339” dhe “184”.
Vladimir Mara
Kolegu i tij në këto dy hetime, Vladimir Mara, është në pritje të Vetingut. Ai shpreson që karriera e tij të vijojë pa asnjë problem, pas shërbimit që po i ofron maxhorancës.
Kolë Hysenaj
Një “grup zjarri”, i drejtuar nga Kolë Hysenaj po dëshmon vendosmëri për të burgosur këdo shqiptar, i cili hedh fishekzjarrë apo thjesht proteston kundër qeverisë së Ramës.
Vetëm në 4 muajt e fundit, dhjetra protestues po jetojnë pas hekurave, për shkak se prokurori Hysenaj, nën drejtimin e shefes së tij, i kanë hyrë projektit për të pakësuar numrin e protestuesve nëpërmjet burgosjes.
Arben Micko
Në mbështetje të kërkesave për masë ekstreme të “grupit të zjarrit” të Prokurorisë së Tiranës, është gjendur gjyqtari Arben Micko, babai i nënkryetarit të FRESH-it, i cili po pret të përballet me Vetingun.
Gjyqtari Micko ka firmosur numrin më të madh të arrestimeve për protestuesit, mbështetur në provat-pa prova të servirura nga policia dhe “grupi” i drejtuar nga Kolë Hysenaj.
Genc Qana
Emri i prokurorit Hysenaj gjendet edhe në vijimin e dosjes “Babale”. Ai dhe kolegu i tij, Genc Qana, të dy të promovuar sapo morën në dorë dosjen kundër denoncuesve të Agron (Geron) Xhafaj, u promovuan në hierarkinë e Prokurorisë së Tiranës. Hysenaj dhe Qana morën poste në krah të drejtueses së tyre, Elisabeta Imeraj.
Pa kryer asnjë veprim hetimor, ata vendosën që “denoncuesit” duhen gjykuar për “kallëzim të rremë”, pasi kanë tentuar t’i prishin imazhin Fatmir Xhafajt. Të dy janë në pritje të Vetingut.
Saida Dollani
Aktualisht, çështja “Shullazi” është në gjykim në Apelin e Krimeve të Rënda. Saida Dollani, drejtuese e kësaj gjykate dhe njëkohësisht kryetare e trupit gjykues, ka njoftuar policinë se është “kërcënuar”.
Nuk ka asnjë të dhënë, të paktën publike, se nga i vjen ky “kërcënim”. Por, gjithësesi, lajmi i “trafikuar” në disa media, krijon përshtypjen se gjyqtarja mund të jetë kërcënuar nga të pandehurit që ka nën gjykim.
Në seancën e fundit të saj në procesin ‘Shullazi”, gjyqtarja Dollani nuk iu përgjigj këmbënguljes së avokatëve për të treguar se nga cili/cilët persona ishte kërcënuar.
Një gjyqtare karriere, Saida Dollani ka detyrën ligjore dhe morale për të treguar se nga i ka ardhur kërcënimi, në mënyrë që në mbrojtje të saj të jetë e gjithë shoqëria. Por ajo ka zgjedhur të heshtë. Ndoshta, me shpresën që ky “kërcënim”, do e ndihmojë për të kaluar pa probleme Vetingun.