Në studion e emisionit “Opinion”, gazetari Basir Çollaku, ka debatuar me kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako.
Gazetari Çollaku e ka pyetur Dakon nëse në vitin 2018, në një lokal në Durrës është takuar në prani të Edi Ramës, me një personazh shumë të njohur të botës së krimit?
Por Dako e ka mohuar pyetjen e gazetarit.
“Ku jam takuar në lokal, në zyrë, ku, thuaj emrin e lokalit…”, iu përgjigj Dako.
Por gazetari ka vijuar “jemi shumë i shpërqëndruar, unë po ju pyes a jeni takuar në lokal, thjesht po ju pyes”.
“Jo s’jam takuar”, tha Dako prerazi.
Por Çollaku, i ka drejtuar një tjetër pyetje “a jeni i bindur që nuk ka foto apo përgjime ambientale lidhur me këtë takim?”.
Gazetari ka vijuar duke e pyetur nëse është thirrur dhe është pyetur në prokurori, por Dako është shprehur se dy herë është thirrur në prokurori, njëherë kur janë arrestuar dy punonjës dhe njëherë për rastin e përgjimeve në kuadër të dosjes 339.
Gazetari ka vijuar të pyesë Dakon mbi raportet me Lulzim Berishën, ndërsa Dako është shprehur se motra e tij ka privatizuar një godinë, e cila më pas është dhënë për ndërtim, dhe se ndërtuesi furnizohej me lëndë të parë në kompaninë që zotëronte vëllai i kryebashkiakut.
Gazetari e pyeti nëse është thirrur për kompaninë në prokurori, por Dako sërisht e ka mohuar.