Pse Rama shqetësohet për “miqtë gjermanë”?! (MESAZHET QË GODASIN KRYEMINISTRIN E LETRAVE)

Në letrën e pestë të tij, drejtuar kryetarit të PD-së Lulzim Basha, kryeministri  Edi Rama jepte një porosi interesante lidhur me qëndrimin që sipas tij Basha duhet të ketë me “miqtë gjermanë”.

Pasi i kujtonte Bashës se u bënë ca muaj që “vinte vërdallë…duke goditur Shqipërinë ndërkombëtarisht dhe ngritur pikëpyetje të madhe tek miqtë europianë, lidhur me çeljen e negociatave me Bashkimin Europian…” Rama që fare mirë mund ta mbajë mbi supe edhe cilësimin “kryeministri i letrave”, i drejtohet publikisht kryedemokratit me një këshillë.

“E meqë ra fjala, ata miqtë gjermanë të Shqipërisë në partinë Tuaj simotër, bëni mirë t’i dëgjoni kur Ju sugjerojnë dialog pa kushte, e jo të abuzoni publikisht për të çoroditur dynjanë, duke spekulluar me opinionet e tyre krejt miqësore! Se jo për gjë po ja, erdhi dita kur 61 kandidatët e mijëra këshilltarët e Partisë Socialiste do të jenë në Tiranë, për t’i rënë gongut të vrapimit drejt 30 qershorit dhe pastaj s’mbetet asnjë mik në botë, që të harxhojë më kohë as për opinione miqësore.”, e sugjeron Rama, Bashën.

Për cilin e ka fjalën Edi Rama dhe pse një drejtues opozite si Basha që sipas Ramës nuk e largon dot nga pushteti, qenka krejt papritur “goditës ndërkombëtarisht i Shqipërisë”?

Çfarë kanë thënë gjermanët (deputetët, politikanët) kundër Shqipërisë dhe kundër qeverisë, që kanë ndryshuar buzëqeshjen e Ramës, i cili nuk u nda edhe aq mirë me ta në Samitin e Berlinit, nga ku iku duke mbajtur peshën e refuzimit të ndryshimit të kufijve të Kosovës?!

Po të ndjekësh me kujdes mediet në Shqipëri, të bën përshtypje nxitimi i “Top Channel” për t’i marrë një intervistë telefonike Nicolas Lobel deputet i CDU/CSU, duke siguruar që kronika të niste me shpjegimin: “Deklarata e dy ditëve më parë e dy deputetëve Shchmid dhe Ëadephul të parlamentit gjerman u komentua si një mesazh për të shtyrë zgjedhjet.”

““Jo. Nuk duhet të ketë asnjë diskutim për kohën kur mbahen apo jo zgjedhjet. Ne si Gjermani kemi një qëllim të vetëm. Ne duam vetëm të ndihmojmë Shqipërinë drejt BE. Për ne ka rëndësi vijimi reformës në drejtësi përfshi reformën zgjedhore. Por mendoj se gjithçka varet nga ajo që thuhet në kushtetutën e vëndit tuaj. Kushtetuta është mekanizmi më i mirë që një demokraci mund të ketë në Gjermani, në Francë në Shqipëri, e kudo. Pra kjo çështje mbetet në atë që thotë kushtetuta. Nëse dëshironi të merrni përgjegjësi për të ardhmen e Shqipërisë duhet të gjejnë një zgjidhje përmes rrugëve demokratike parlamentare dhe të marrin pjesë në fushatën elektorale . Është në dorë të çdo partie siç edhe kolegët e mi e kanë thënë të gjejnë rrugën e negociatave pa asnjë kusht paraprak si nga qeveria dhe opozita”, ishte përgjigjja e tij.”, interpreton TCH intervistën dhënë nga Lobel, e cila u botua thuajse te të gjitha mediet afër qeverisë.

LEXO EDHE  Faktet juridike/ Suela Musta, “kokë turku”!

Por kjo intervistë u publikua menjëherë pas një zhvillimi po mes politikanësh gjermanë.

Këshilltari i kancelares Merkel, Martin Henze i CDU-së vlerësoi nëpërmjet një reagimi në “Tëitter”, presidentin Ilir Meta, duke e quajtur “Një burrë dhe demokrat i vërtetë në Ballkan”, për shkakun se Meta kishte marrë përsipër të rishikonte ditën e zgjedhjeve në Shqipëri.

Këshilltari i CDU-së, Martin Henze ka vlerësuar presidentin e Republikës Ilir Meta, pas qëndrimit të tij të djeshëm lidhur me krizën politike.

Sipas TCH : “Ky deklarim i deputetit Lobel është krejt ndryshe edhe nga pretendimi i presidentit të Republikës, jo vetëm qeveria gjermane, por as vetë CDU nuk ka ndonjë linjë zyrtare për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve.”

Por çfarë kanë deklaruar Shchmid dhe Wadephul?

Përmbledhja e deklaratës së tyre është pak a shumë kjo: “Zgjedhjet pa opozitën problematike, dialog dhe të shihet mundësia e shtyrjes së zgjedhjeve”.

Dy deputetët gjermanë, Johann David Wadephul, i cili është zëvendëskryetar i grupit parlamentar CDU/CSU në parlamentin gjerman dhe njëherazi drejtues i grupit të punës së Ballkanit Perëndimor si dhe Christian Schmidt i CSU-së dhe raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm dhe ish-ministër federal, kanë shprehur shqetësim për situatën e vështirë dhe krizën politike ku ndodhet Shqipëria dhe kanë kërkuar dialog mes palëve.

“Po e vëzhgojmë me shqetësim të madh krizën e brendshme në Shqipëri. Për të ardhmen evropiane të Shqipërisë nevojitet dialogu mes qeverisë dhe opozitës. Për këtë, të dyja palët duhet të afrohen me njëra-tjetrën dhe të jenë të gatshme për kompromise.

Protestat e përsëritura në Shqipëri janë një shenjë e pakënaqësisë së shumë qytetarëve…Është përgjegjësia e vendimmarësve të politikës që të sillen të arsyeshëm në këtë situatë dhe që me të gjitha forcat të përpiqen për ta qetësuar gjendjen. Nëse kjo nuk do të ndodhë, ekziston rreziku që vendit t’i mbyllet rruga drejt Evropës…”, deklaruan ata,

“Miqtë gjermanë” thanë se janë të gatshëm të kontribuojnë për hapjen e dialogut mes qeverisë dhe opozitës, duke identifikuar se ka një krizë, madje edhe duke hedhur idenë se zgjedhjet vendore mund të shtyhen.

Siç shihet, është pikërisht riaktivizimi i atyre që Rama i quan “miqtë gjermanë” që po e shohin problematike situatën në Shqipëri, duke hequr pluhurin e strategjisë “Asgjë nuk ka ndodhur te ne, doli një opozitë por ka hyrë një tjetër, protestat po firojnë”, të cilën maxhoranca e ka përdorur nën orientimin e liderit./Hashtag.al