Avokati i njohur Ledio Braho ka dhënë një intervistë për gazetën Mapo në të cilën ka shpjeguar arsyet përse procesi i Vetingut, me gjithë rëndësinë që ka,nuk është asgjë tjetër se sa një proçes që ka një kriter të vetëm të pandryshueshëm por dy standarte në implementimin e tij.
Reforma në Drejtësi nisi funksionimin e saj pas ndryshimeve Kushtetuese me 140 vota në Parlament në korrik të vitit 2016. Pas dy vitesh punë nga KPK dhe KPA, si do e konsideroni procesin e vetingut?
Është e vërtetë që ndryshimet kushtetuese kaluan me unanimitet, por ky nuk ishte rasti me ligjet specifike të Reformës në Drejtësi të cilat u miratuan vetëm nga mazhoranca. Po i njëjti fenomen ndodhi edhe me anëtarët e KPK dhe KPA, të cilët janë përgjegjës për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend. E vërteta e këtij procesi, tashmë që kanë kaluar pothuajse dy vite nga zbatimi i Reformës në Drejtësi, është që rastet janë trajtuar me dy standarde sidomos nga KPK-ja që herë trajton raste ku justifikon “evazionin fiskal të ligjshëm” dhe herë trajton raste ku nuk e njeh informalitetin në një vend që ende ka informalitet në nivel të theksuar. Po ashtu, problem rrënjësor mbetet vlerësimi i një prej kritereve të rivlerësimit që është ai i profesionalizmit. Nëse vihet re eksperienca profesionale e anëtarëve të komisioneve të vetingut në të dy organet e tij, konstatohet lehtësisht që eksperienca e tyre në gjyqësor është në nivele minimale, çka shpeshherë është shndërruar dhe qesharake në pyetjet që iu drejtojnë subjekteve të rivlerësimit.
Sot praktikisht jemi pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë, si e shihni situatën aktuale në sistemin e drejtësisë, a është një kolaps dhe sa rrezikon kjo shkeljen dhe të drejtën e qytetarëve për të marrë drejtësinë?
Shqipëria sot është i vetmi vend anëtar i Këshillit të Europës që nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë, problem ky që tashmë shqetëson jo vetëm shqiptarët, por edhe Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, të cilës po i drejtohen kërkesa nga qytetarë shqiptarë menjëherë me përfundimin e proceseve në gjykatat e apelit, ndërkohë që sipas Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut kësaj gjykate mund t’i drejtohesh vetëm pas shterimit të të gjitha shkallëve të gjykimit në vendin anëtar. Ajo çka është më problematike ka të bëjë me faktin që mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese ka sjellë probleme edhe me shumë ligje të debatueshme të miratuara vetëm nga mazhoranca parlamentare siç janë ai i lojërave të fatit, ligji për teatrin, ligji për vetingun në polici apo për mosdekretimin e ministrave nga Presidenti i Republikës, si dhe djegien e mandateve të deputetëve. Situata mund të shndërrohet edhe më kaotike nëse Presidenti Meta do të shpërndajë Parlamentin, për shkak të mosplotësimit të numrit prej 140 deputetë dhe në këtë rast, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, nuk ka asnjë institucion tjetër që mund të zgjidhë një mosmarrëveshje të tillë.
Ka patur akuza se institucionet e reja të drejtësisë janë të kapura politikisht. Në këndvështrimin tuaj sa qëndron ky dyshim?
Një përgjigje me një fjalë të vetme do të ishte “plotësisht”. Prokuroria e Përgjithshme prej dy vitesh drejtohet sui generis dhe tej çdo dispozite kushtetuese nga një Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme që vetëm si e përkohshme apo në lartësinë e detyrës nuk është sjellë gjatë ushtrimit të kompetencave të saj. Transferimet e prokurorëve në çështje të nxehta që cenojnë mazhorancën në pushtet, të cilat janë konsideruar si të paligjshme nga gjykatat, kanë treguar më së miri që të gjitha akuzat për njëanshmëri ndaj saj janë të drejta dhe të bazuara. I njëjti fenomen vihet re edhe në organe të tjera si KLGJ apo KLP që janë organet më të rëndësishme në administrimin e drejtësisë. Skandalet me ish-bashkëpunëtorë të sigurimit apo me anëtarë të cilët nuk janë konfirmuar me vendim të formës së prerë nga organet e vetingut tregojnë më së miri që ata janë të shantazhueshëm nga mazhoranca në pushtet dhe kjo për rrjedhojë do të sjellë edhe një SPAK të kapur nga politika.
Para dy ditësh Presidenti i Republikës Ilir Meta kritikoi jo vetëm institucionet vendase, por edhe ato ndërkombëtare për situatën e krijuar në kolapsin që ka përfshirë sistemin e drejtësisë. Si e konsideroni rolin e ndërkombëtarëve? Konkretisht EURALIUS, OBDAT (në procesin para reformës) dhe ONM, aktualisht pjesë e vetingut.
Procese të tilla vetingu zakonisht janë ndërmarrë në vende post konflikti ose post autoritare, pra në demokraci në tranzicion ku ka patur cenime në masë të të drejtave të njeriut. Vende si Hungaria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova apo Republika Çeke kanë ndërmarrë procese vetingu si mekanizëm për të reformuar institucionet si masë post konflikti. Shqipëria nuk ishte në kushtet e asnjë prej këtyre vendeve, gjithsesi shfaqte problematika për shkak të një niveli të dobët të gjyqësorit si pasojë e korrupsionit dhe mungesës së profesionalizmit. Për këtë arsye vetingu nisi si një masë për të kthyer integritetin, pavarësinë dhe eficiencën e gjyqësorit. Shqipëria paraqitet si një rast sui generis pasi një reformë kaq e thellë është ndërmarrë për të minimizuar korrupsionin dhe kthimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë. Një rast i ngjashëm ka ndodhur në Kenia, por gjithsesi konkluzionet e dala nga reforma kanë nxjerrë në pah që vetingu është i pamjaftueshëm për të rikthyer besimin te publiku. Struktura institucionale me supervizim ndërkombëtar dhe mbikëqyrje mund të shërbejë si model për vendet fqinje të Ballkanit Perëndimor. Një proces i ngjashëm vetingu është ndërmarrë dhe në vende të tjera si Republika Çeke, Hungaria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Kosova dhe Kroacia. Gjithsesi në të gjithë këto raste reforma të tilla kanë patur shumë pak ose aspak efekt në rritjen e transparencës, përgjegjësisë apo eficiencës së sistemit gjyqësor. Në këto kushte mund të themi që edhe ndërkombëtarët kanë përgjegjësi për situatën e krijuar, përgjegjësi kjo që rrjedh nga mosmarrja parasysh e kontekstit ku ajo po zbatohet.
A rrezikojmë që krahas Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë të futen në kolaps edhe Gjykatat e Apelit nga vetingu dhe për pasojë edhe moskrijimi i institucioneve të reja? Si duhet të ishte vepruar që kjo situatë bllokimi të mos kishte ndodhur?
E vërteta është që tashmë janë futur në kolaps edhe Gjykatat e Apelit pavarësisht faktit që ende vazhdojnë të funksionojnë, por vonesat janë të tilla që vetëm për zbatim të parimit “drejtësi e vonuar, drejtësi e munguar” nuk mund të flitet. Gjithsesi pritshmëritë janë që nëse reforma do të vazhdojë me këtë ritëm, shumë nga gjykatat e apelit do të jenë jofunksionale në fund të këtij viti. E vetmja zgjidhje që kjo situatë e paprecedentë të shmangej ishte që vetingu të niste nga gjykatat e shkallëve të para dhe të mundësohej që me kalimin e kohës të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që do të konfirmoheshin nga organet e vetingut të aplikonin për promovim në gjykatat më të larta, por ajo që duhet theksuar është se kolapsimi i pushtetit gjyqësor është vetëm në favor të pushtetit ekzekutiv, çka është një provë më tepër në argumentin e kapjes politike të reformës nga mazhoranca qeverisëse.