Ekskluzive/ Vetingu në kolaps, KPK pezullon procedurat (Dokumenti)

Nga Boldnews.al

Procesi i Vetingut ka hyrë në kolaps të plotë. Pas më shumë se një viti nga nisja e procesit të rivlerësimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) është “dorëzuar” dhe ka vendosur pezullimin e hedhjes së shorteve për gjyqtarët dhe prokurorët në 4 muajt e ardhshëm.

“Boldnews.al” ka siguruar një dokument ekskluziv, në të cilin kryetarja e KPK, Genta Bungo (Tafaj) ka vendosur pezullimin e hedhjes së shorteve për muajt Maj, Korrik dhe Shtator 2019.

Vendimi për pezullimin e procedurave mban numrin 29 dhe është firmosur në 7 Maj 2019. Ky dokument është mbajtur i fshehtë nga KPK dhe është përdorur vetëm për qarkullim të brendshëm.

Në këtë Vendim, Genta Bungo (Tafaj) argumenton se, aktualisht trupat e Vetingut janë të ngarkuara me rivlerësimin e subjekteve prioritarë, kryesisht kandidatët prokurorë për SPAK-un dhe ata për Gjykatën Kushtetuese.

Por, në këtë vendim, kryetarja e shkallës së parë të Vetingut jep edhe disa shifra, të cilat dëshmojnë për zvarritje ekstreme të procedurave të ndjekura nga ky institucion.

“Aktualisht janë në procedurat e rivlerësimit 115 subjekte nga viti 2018 dhe 72 çështje, të cilat janë shpërndarë me procedurat e shortit të zhvilluara në periudhën Janar-Mars 2019”, thotë kryetarja e KPK në Vendimin nr. 29.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka nisur punën e tij efektive në fund të vitit 2017. Për rreth 16 muaj, ky komision ka përfunduar procedurat e rivlerësimit për rreth 80 subjekte, nga rreth 800 që është totali i gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ligji ka parashikuar një mandat 5-vjeçar për KPK, afat brenda të cilit duhet të kalojnë në shkallën e parë të Vetingut të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët.

Por, ritmet e ndjekura nga KPK kanë qenë shumë të ulta dhe larg pritshmërive të opinionit publik dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Me ritmin e ndjekur deri më tani, KPK mund të kryerjë procedurat e rivlerësimit për thuajse gjysmën e gjyqtarëve dhe prokurorëve deri në përfundim të mandatit të saj.

Krahas ritmeve të ngadalta, KPK është kritikuar nga ekspertë të pavarur për standartet e shumëfishta që po ndjek në vendimet për subjekte të ndryshëm me problematika të ngjashme.

Kryetarja e KPK, Genta Bungo (Tafaj) e argumenton vendimin për pezullimin e shorteve me ngarkesën e madhe që kanë aktualisht komisionerët, si edhe me nevojën e tyre për t’u përqëndruar tek subjektet prioritare.

LEXO EDHE   “Lirojeni, pa na mbuluar turpi”/ Gazetarët apel autoriteteve: Pse gjithmonë Suela,pse?

Por, përtej këtij impenjimi deklarativ, KPK nuk ka ndjekur linjën e rivlerësimit të subjekteve prioritarë. Pasi përfundoi procedurat me subjekte, të cilët konsideroheshin si pjesë e “listës së zezë” të qeverisë dhe disa ndërkombëtarëve në Tiranë, trupat e Vetingut zhvilluan me intensitet procedura për subjekte dytësorë.

Gjatë muajve të fundit, para KPK-së kanë dalë ndihmës ligjorë apo prokuror e gjyqtarë të niveleve të ulëta. Ndërkohë që ka prej më shumë se një viti që KPK nuk përfundon Vetingun për anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, institucioni që verifikon kandidaturat për Gjykatën Kushtetuese.

Gjithashtu, një numër i madh subjektesh prioritarë në detyrë nuk kanë dalë ende në seancat dëgjimore të Vetingut, ndërkohë që kryetarja e Vetingut flet për listën “e re” prioritare.

Procesi i shumë-pritur i Vetingut, një prej bazave të Reformës në Drejtësi, është shndërruar tashmë në problemin më të madh të sistemit të drejtësisë.

Pjesa më e madhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës janë “paralizuar”, për shkak se fati i karrierës së tyre është në duart e trupave të Vetingut, të karakterizuara nga vendimmarrja jo-uniforme, nivel profesional të ulët dhe me dyshime të forta se kontrollohen nga qarqe të maxhorancës qeverisëse.

Kjo situatë ka bllokuar funksionimin normal të sistemit të drejtësisë, duke krijuar hapësirën e duhur për rritjen galopante të korrupsionit qeveritar. Aktualisht nuk ka prokuror apo gjyqtar që të nisë hetimin apo gjykimin për zyrtarë të maxhorancës qeverisëse.

Shumë prej gjyqtarëve të larguar nga procesi i Vetingut kanë penalizuar zyrtarë të ndryshëm socialistë. Ndërkohë shumë të tjerë që janë në detyrë “kërcënohen” me Vetingun, nëse do të guxojnë të japin vendime që nuk i pëlqejnë qeverisë.

E, në këtë situatë kolapsi, publikohet edhe Vendimi i kryetares së KPK-së, e cila vendos të pezullojë përkohësisht shortet për proceset e reja të Vetingut, duke shënuar një tjetër periudhë zvarritjeje të procedurave të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.