Nga Boldnews.al
I mësuar me përbuzjen dhe shantazhin ndaj mediave vendase që publikonë skandalet qeveritare, kryeministri Edi Rama këtë nuk mundet që ta bëjë me gazetarët e huaj. Gati e telendisi për “dy pare” kryetaren e PS-së së Tiranës deputeten e tij Blerina Gjylahmeti, e cila kritikoi gazetën dhe gazetarin e BILD të gjermanisë, duke e akuzuar se ishte artikull i blerë nga opozita.
Gazetari gjerman shkruante se: “Vendi është në duart e gangsterëve”.., por si “gangstere e vërtetë” na doli Blerina Gjylahmeti. Simpatikja deputete “zjarr nxorri” nga goja…
“Ata që paguajnë para për të nxirë imazhin e Shqipërisë në botë, për të goditur ekonominë dhe turizmin, sot dalin dhe rrahin gjoksin krenarë për zullumet që i bëjnë Shqipërisë”-tha Gjylahmeti, me fjalim të ngjashëm me Lenka Çukën kur 40 vjet më parë falenderonte gazetën “Zëri i Popullit” që me shkrimin e saj të ‘vërtetë’, i dërmoi revizionistët e huaj, që po nxinin imazhin e shqipërisë së begatë komuniste.
Paradite Rama e urdhëroi të dilte dhe hidhte një “gjyle” ndaj medias ndërkombëtare, por pasdite vonë në publik gjoja e kritikoi. Kreu i qeverisë ndodhet në të njëjtën situatë këtu e tre vite më parë. Asokohe kur eurodeputetët nuk nxirrnin asnjë gjysmë zëri për qindra tonelatë drogë që trafikohej nga Shqipëria, ishte media ndërkombëtare ajo që zbarkoi në vendin tonë.
Në shumë artikuj u përqëndruan mbi kanabizimin e vendit dhe dyshimet e forta për lidhjet e politikës dhe drejtuesit e policisë në këtë biznes të paligjshëm shumë fitimprurës. Nën delirin e pushtetit, në jo pak raste edhe mediat e huaja Rama i quajti “kazan”, por shpejt zbythej, duke kërkuar edhe ndjesë, por që nuk vlente për asgjë.
Kryesisht mediat italiane, gjermane dhe franceze i “zhvendosën redaksitë” në Shqipëri, duke shkruar dhe publikuar dhjetëra artikuj. Por ndërsa gazetarët italianë klithnin për drogën shqiptare që po trulloste vendin e tyre, politikanët italianë dhe drejtuesit e “Gruardia Di Finanzza”, mbanin konferenca të gjata plot pompozitet për “luftën e përbashkët kundër drogës” këtu në Tiranë.
Gjithashtu ambasadorët e huaj në vendin tonë, që nuk linin vend pa futur hundët, nuk e “nuhasnin” se vendi ishte mbuluar nga kanabisi. Asnjë fjalë prej tyre, asnjë kritikë për qeverinë, as Lu, as Vlahutin, por bëheshin njësh me të në të mirat që ofronte pushteti Rilindjes.
E sërish kundër qëndrimeve të politikanëve të tyre, bota e huaj e gazetarisë kërkonte të vërtetën. Të vërtetën që ia transmetonin publikut të tyre dhe gjithashtu u jepnin një shkundje politikanëve, që ende thurnin elozhe për piktor-kryeministrin.
Bota mediatike botërore ka kthyer sytë nga Shqipëria, ata po japin pamjen e vërtetë të vendit, për tu hapur sy e veshë politikanëve të tyre, që ende nuk po reagojnë mbi rrezikun që ka kapluar vendin e vogël ballkanik.
Shitblerja e votave dhe implikimi i zyrtarëve të lartë me elementë të botës së krimit janë artikujt dhe emisionet televizive që kryeministri do të donte të mos i shihte kurrë. Po e shohin si rrezik gjithashtu edhe kapjen e institucioneve, veçanërisht prokurorisë dhe mungesës së Gjykatës Kushtetuse. Nëse i njëjti artikull apo kronikë televizive do ishte bërë nga mediat vendase, me siguri Rama do e quante shpifje e kazanit dhe do niste një seri akuzash dhe kërcënimesh se do shiheshin në gjykatë për shpifje.
Para gazetarisë së botës trembet, tutet, sepse shantazhin nuk mund ta çojë aq larg. Blerjen as që mund ta mendojë. Politika ndërkombëtare reagon me vonesë, ndonëse media e saj është një hap para tyre. Historia po përsëritet. Ashtu sikurse media vendase dhe e huaj klithi për drogën, edhe në vijim do të jetë e njëjta situatë, gangsterët, pasi u pasuruan nga droga dhe mbajtën në pushtet Rilindjen, sot po qeverisin vendin, kryegangsteri po e kthen Shqipërinë në ditët më të errëta të një sistemi më shumë se autoritar.