Nga Boldnews.al
Kryeministri Edi Rama përsëriti refrenin e pabesueshëm se “dosja 184” e Prokurorisë për Krime të Rënda nuk ka asnjë përgjim, ku zyrtarët e lartë qeveritarë janë kapur mat duke bërë pazare votash me eksponentë të krimit në zgjedhjet lokale të Dibrës, në vitin 2016.
Në takimin e detyruar me gazetarët, mesditën e së Dielës, vetëm pak orë pas protestës opozitare, Rama u tregua “i bindur” kur mohoi faktet që gjenden në dosjen hetimore.
Gazetarët e pranishëm nuk morën përgjigje nga kryeministri se ku e bazonte ai këtë “bindje”.
Si rregull, kryeministri nuk duhet të ketë asnjë dijeni për hetimet e Prokurorisë, aq më tepër kur pjesë e dosjes janë ministra dhe deputetë të tij.
Gjithësesi, “bindja” e Kryeministrit është thjeshtë propagandë. “Boldnews.al” po rendit disa fakte të natyrës proceduriale, të cilat nxjerrin bllof deklaratat e Edi Ramës.
1. Hetimi penal i Krimeve të Rënda me numër 184 po hetohet prej tre vitesh dhe, referuar burimeve të redaksisë, numri i personave të përfshirë, sidomos atyre me pushtet, është i lartë. Nëse ky hetim, i cili sipas Edi Ramës, nuk ka asnjë të dhënë konkrete, përse nuk pushohet nga Prokuroria e drejtuar nga Donika Prela, por vijon të jetë i hapur tre vite pas nisjes së tij?
Ky fakt do të thotë që dosja me nr.184 ka elementë të mjaftueshëm, për të cilat edhe prokuroria nën varësinë e Donika Prelës është e detyruar ta mbajë të hapur hetimin?
2. Nëse dosja nuk ka përgjime, siç pretendon Edi Rama, atëherë përse ai nuk i sugjeron Arta Markut e Donika Prelës që të realizojnë transparencën e plotë dhe të publikojnë se çfarë ka dosja?
Natyrisht, publikimi i akteve hetimore ndalohet me ligj. Por, përsa kohë që hetimi, sipas Edi Ramës nuk ka asnjë element kompromentues, do të thotë që praktikisht është i mbyllur. Atëherë, publikimi i akteve të dosjes nuk shkel asnjë ligj.
Për më tepër, publikimi i akteve hetimore, përfshirë edhe përgjimet, ndihmon edhe në zbutjen e klimës politike, pasi, në këtë mënyrë, Edi Rama, Arta Marku dhe Donika Prela do i tregojnë me fakte opozitës se kauza e tyre është ngritur me të dhëna të pavërteta.
Por, e vërteta është se dosja nr.184 ka përgjime, nga ato që e përvëlojnë maxhorancës socialiste dhe dëshmojnë për të vërtetën e tjetërsimit të votës së dibranëve, me ndërhyrjen e zyrtarëve më të lartë qeveritarë dhe parlamentarë.
3. Nëse dosja nr. 184 nuk do të kishte prova, siç pretendon kryeministri Rama, atëherë përse prokuroria e Donika Prelës nuk dërgon në gjykatë kërkesën për pushimin e procedimit penal?
Në bazë të ndryshime të Kodit të Procedurës Penale të vitit 2016, prokuroria nuk mund të pushojë hetime. Prokurorët, në rastet kur vlerësojnë se një hetim duhet pushuar, i drejtohen me kërkesë gjykatës përkatëse.
Në rastin konkret, dosja nr.184 ka aq shumë materiale, sa nuk ka gjykatë, pavarësisht presionit me Vetingun, që të mbyllë sytë para përgjimeve dhe veprimeve të tjera hetimore të kryera në kuadër të kësaj dosjeje.
Për më tepër, në shqyrtimin e kërkesës për pushimin e çështjes, gjykata fton të marrë pjesë edhe kallëzuesin. Në rastin e dosjes 184, kallëzues është subjekti politik Partia Demokratike.
Pra, gjykata, në prani të Prokurorisë dhe Partisë Demokratike, do të duhet të shqyrtojë faktet e mbledhura nga prokuroria, përfshirë edhe përgjimet, për të dalë në konkluzionin nëse hetimi duhet pushuar apo jo.
Një situatë e tillë është përjashtuar, të paktën deri më tani, nga Prokuroria e Donika Prelës. Shqyrtimi i kërkesës për pushimin e dosjes 184 në prani të Partisë Demokratike, si kallëzuese, do të ekspozonte përgjimet e zyrtarëve të lartë qeveritarë.
Kjo është arsyeja kryesore se përse Donika Prela dhe Arta Marku nuk marrin guximin për të pushuar dosjen hetimore nr.184. Dorëzimi i materialeve hetimore në gjykatë, me shumë mundësi do të faktonte akuzat publike të Partisë Demokratike për Damian Gjiknurin, Ulsi Manjën e të tjerë personazhe që qëndrojnë pranë pushtetit të Edi Ramës.