Nga Boldnews.al
Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, tha një seri “mufkash” dhe gënjeshtrash në intervistën me pyetësor të parapërgatitur në “Open” të televizionit Top Channel.
Për rreth një orë e gjysëm, Marku iu shmang skandaleve dhe bllokimit të dosjeve hetimore që kanë shoqëruar mandatin e saj të përkohshëm, duke ia kaluar të gjithë përgjegjësinë paraardhësve të saj.
Mufka 1
Intervista e Arta Markut nisi me një mufkë, thënë me plot gojën prej saj. E pyetur nga drejtuesja e emisionit, Eni Vasili, për akuzat e opozitës ndaj saj për bllokimin e dosjeve të vjedhjes së votave, ajo u përgjigj: “Nuk mund t’u mbyll gojët e liga”.
Kryeprokurorja e Përkohshme, e cila synon një mandat të plotë 7-vjeçar në krye të institucionit të pavarur të Akuzës, e konsideron opozitën “gojë të liga”. Një nisje aspak e mirë e intervistës.
Gënjeshtra 1
Më tej, nisin seritë e të pavërtetave nga Arta Marku. Ajo u pyet për caktimin e përkohshëm të tre prokurorëve të Krimeve të Rënda, pas një debati të ashpër që u zhvillua në Shtator 2018 në atë institucion.
Arta Marku deklaroi se transferimi i tre prokurorëve nuk ishte masë penalizuese, por thjesht një veprim administrativ për të plotësuar disa vakanca që ishin krijuar në Pukë, Berat e Pogradec.
Në fakt, e vërteta, e pranuar edhe nga vetë Arta Marku në atë kohë, është që Besim Hajdarmataj, Olsian Çela dhe Sonila Muhametaj u “transferuan” në mënyrë të paligjshme një ditë pasi ata kishin debatuar me drejtuesen e Krimeve të Rënda, Donika Prela.
Gënjeshtra 2
Pjesa më e “vështirë” e intervistës ishte justifikimi i Arta Markut për vonesën dhe bllokimin e dosjeve “339” e “184”, në të cilën rezultojnë zyrtarë të lartë të maxhorancës socialiste duke bërë pazare për blerje votash me anëtarë të grupeve kriminale.
Marku deklaroi se hetimi është vonuar për shkak të “prokurorit që e ka pasur çështjen më parë”, duke iu referuar ish-drejtuesit të Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, por pa e përmendur me emër.
Sipas Markut, “prokurori i mëparshëm” kishte lënë pa zbardhur shumë CD me përgjime. Por ajo, megjithëse u mundua të justifikonte prokurorët që i kanë këto dosje në duar aktualisht, nuk dha një përgjigje të saktë se përse CD nuk po zbardhen ende.
Gënjeshtra 3
Për këtë moment, pra për “zhbllokimin e hetimeve për dosjet 339 e 184”, Arta Marku i njohu vetes një meritë, kur deklaroi se “pas lëvizjes së prokurorit që nuk kishte zbardhur përgjimet” u caktuan dy prokurorë të tjerë, të cilët po veprojnë me shpejtësi.
Në fakt, prokurorët që po i ndjekin tani këto dosje kanë qenë që në fillim të hetimeve të tyre. Ata, së bashku me Hajdarmataj, përbënin treshen që po hetonin një prej dosjeve më voluminoze dhe më të rëndësishme të viteve të fundit.
Me lëvizjen e Hajdarmataj, në fakt Arta Marku, jo vetëm që nuk e ka shtuar grupin e prokurorëve, por, përkundrazi, ka ulur numri nga 3 në 2.
Gënjeshtra 4
Arta Marku tregoi një merak të madh për nxjerrjen e sekretit hetimor. Ajo e shfaqi hapur pakënaqësinë se disa përgjime të dosjes 339, sidomos ato të kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, kishin dalë në media.
Për këto publikime, Arta Marku deklaroi se ka nisur një hetim dhe la të kuptohej që këtë përgjegjësinë ia atribuonte “prokurorit që e ka pasur më parë këtë dosje”. Sipas Kryeprokurores së Përkohshme, ka një hetim për “nxjerrjen e sekretit hetimor” dhe ky hetim po zhvillohet nga Prokuroria për Krime të Rënda.
Në fakt, ka një hetim për nxjerrje sekreti hetimor për përgjimet e dosjes 339, i cili po zhvillohet nga Prokuroria e Tiranës. Pavarësisht se Arta Marku la të kuptohej se ajo dyshon tek “prokurori që e ka pasur dosjen më parë”, ajo nuk e përmendi faktin që në hetimin për nxjerrje sekreti është edhe mikesha e saj, drejtuesja e Krimeve të Rënda, Donika Prela.
Mufka 2
Duke qëndruar tek “meraku” i nxjerrjes së sekretit hetimor, Arta Marku dëshmoi se nuk ka respekt edhe për median. Sipas saj, “media e keqpërdor informacionin”. Pas këmbënguljes së drejtueses së emisionit, Kryeprokurorja e Përkohshme u mundua ta zbusë këtë “mufkë” për median, duke deklaruar se “nuk e kam për të gjithë median, por për disa”, duke iu referuar atyre që kanë publikuar përgjimet sekrete të dosjes 339.
Përgjimet e dosjes voluminoze, në pjesën më të madhe janë publikuar nga “Zëri i Amerikës”. Mesa duket, edhe Arta Marku ndaj të njëjtin qëndrim si Edi Rama, i cili e quajti “kazan” emitentin amerikan, pasi ky i fundit publikoi bisedat e Vangjush Dakos me anëtarë të bandës kriminale të Shijakut.
Mufka 3
Arta Marku, e pyetur për ecurinë e dosjeve sensitive, përfshirë edhe atyre për vjedhjen e votave, u fsheh pas procedurës, duke deklaruar se “nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë informacion, pasi Kushtetuta dhe ligji nuk ia njeh të drejtën Prokurorit të Përgjithshëm për t’u njohur me hetimet konkrete”.
Por, menjëherë pas kësaj, Kryeprokurorja e Përkohshme u deklarua e bindur se “hetimi për vjedhjen në Rinas është thuajse e zbardhur”. Pra, për 339 dhe 184, Arta Marku nuk kishte asnjë informacion. Për vjedhjen e Rinasit, ajo kishte informacion.
Mufka 4
Kryeprokurorja e Përkohshme u pyet edhe për atë që duket si “sjellje me dy standarte” e Prokurorisë kur, në rastet e zyrtarëve qeveritarë, hetim zvarriten, ndërsa për opozitarët hetimet ecin shpejt.
Shembull për këtë “double standart” u soll fakti që dosjet 339 dhe 184 apo tenderi i Unazës së Re ecin shumë ngadalë, ndërsa hetimi për të ashtëquajtur “lobim rus” i PD-së, Prokuroria ka treguar operativitet të lartë, duke thirrur kryeopozitarin, si edhe të tjerë persona opozitarë.
Për prokurorët që po hetojnë dosjet “qeveritare”, Arta Marku kishte vlerësim të lartë, duke i justifikuar vonesat e tyre për shkak të volumit. Për këto hetime, ajo tha se kishte ndërhyrë vetë që ato të shpejtoheshin, duke marrë në këtë mënyrë rolin e “kumbarit” për këto hetime.
Ndërsa, për avancimin e “lobimit rus”, ajo zgjodhi të distancohej fare nga prokurorët e çështjes. Sipas saj, ata (pra prokurorët) kanë vepruar si e kanë menduar më mirë.
Si përfundim, Arta Marku dëshmoi se në dosjet ku preken interesa qeveritarë, është ajo që luan fijet. Ndërsa, në hetimet e opozitarëve, ajo nuk ka asnjë dorë. Apo jo?