Dy agjentë me numra serialë “315” dhe “317” janë ata që çuan prapa hekurave Klajdi Gjeçin, Klaudio Trungun, si dhe katër persona të tjerë si persona që ishin përfshirë në tregtinë e drogës në Elbasan dhe Tiranë.
Hetimi disa mujor i prokurorisë së Elbasanit, ka zbardhur mënyrën se si vepronin shitësit e Kokainës në dy qytete, ku për klientët që blinin lëndën narkotike, premtonin se do u gjenin dhe vajza gratis, për dëfrim.
Një ofertë e tillë i është bërë agjentit “315” nga i arrestuari Skënder Pllumbi. Policia dhe prokuroria e Elbasanit kanë kryer një sërë përgjimet duke dokumentuar veprimtarinë kriminale të 6 personave.
Për shkak se në shitjen e kokainës ishin të implikuar më shumë persona, policisë i është dashur të futë në aksion dhe një agjent tjetër të koduar me numrin “317”. Për blerjen e drogës personat flisnin në mënyrë të koduar, duke pohuar se kërkonin “…një serbator e gjysmë naftë…”.
Sipas të dhënave nga policia e Elbasanit mes personave që shiste kokainë ishte dhe Klaudio Trungu, i cili është menaxheri i lokalit “My Brother”, që dyshohet se i përket njërit prej anëtarëve të fisit “Çapja” në Elbasan, Bledar Muçës.
“Shqiptarja.com” mëson se në kuadër të këtij hetimi, janë realizuar 9 takime ndërmjet agjentit të policisë gjyqësore me numër të koduar “315” dhe Skënder Pëllumbi, të autorizuara nga gjykata, nga të cilat në gjashtë raste është blerë lëndë narkotike në sasi të ndryshme, kjo e vërtetuar edhe nga aktet e ekspertimit kimik të lëndës së blerë. Konkretisht këto sasi lëndësh narkotike janë siguruar nga shtetasi Skënder Pllumbi, te personat nën hetim.
Rasti i parë me Klodi Qerosin
Konkretisht, agjenti me numër të koduar 315 është takuar me Skënder Pllumbi, në datën 13 shkurt 2019. Pas disa bisedave agjenti i kërkon Skënder Pllumbi të blejë “dy gjysma”. Pasi kryen disa telefonata, të cilat nuk ia siguruan lëndën narkotike, Pllumbi e siguron lëndën narkotike te një person i paidentifikuar me emrin “Klodi”.
Këtë lëndë narkotike ia sjell shtetasi me emrin Klodi, i cili ishte në drejtim të mjetit “Skoda” me targë AA 563 SA, me ngjyrë blu. Po ashtu, Skënder Pllumbi e fton agjentin të nesërmen dhe i thotë që në lokal do të ketë muzikë, vajza dhe se lëndën narkotike do ta sigurojë tek personi me emrin Klodi (të cilit i thërret Qerosi). Konkretisht lënda e blerë është në sasinë prej 0,4 gram, e cila nga akti i ekspertimit kimik ka rezultuar lëndë narkotike e llojit “kokainë”.
Përgjimi, na sill një serbator e gjysmë
Në vazhdim, në datën 18 shkurt 2019, Skënder Pllumbi, është takuar sërish me agjentin me numër të koduar 315, në qytetin e Elbasanit dhe në këtë takim i ka siguruar agjentit lëndë narkotike të llojit “kokainë”, të supozuara në peshë prej 1,5 gramë kokainë, por që nga peshimi rezulton se ishin në 1,2 gramë, referuar edhe aktit të ekspertimit kimik. Fillimisht Skënder Pllumbi telefonon personin me emrin “Lorenci”, i identifikuar si personi nën hetim Lorenco Gjini, i cili i komunikon se është në Gramsh dhe se nuk ia vlen të kthehet për aq.
Ndërkohë që Skënderi i thotë agjentit se ky shtetas ka ikur për të çuar 7 gramë kokainë në Gramsh. Më pas telefonon një shtetas, të cilin e thërret “Lash” dhe kërkon “…një serbator e gjysmë…”, të cilën as ky nuk ia siguron. Më pas telefonon personin nën hetim Klaudio Trungu, të cilin e takon te lokali “My brother”, që ndodhet në rrugën “11 Nëntori” të qytetit të Elbasanit.
Skënder Pllumbi futet brenda në lokal dhe del duke i kërkuar agjentit shumën prej 150 mijë lekë dhe i kërkon të qëndrojë mbrapa makinës “Range Rover” me bllokazh. Në përgjimin ambiental, bisedat vazhdojnë duke thënë se Klaudio (personi nën hetim Klaudio Trungu) ka një “Range Rover” ngjyrë gri dhe se shtëpinë e ka afër lokalit.
Klaudio, lëndën narkotike e merr në shtëpi dhe ia sjell Skënder Pllumbi. Ky i fundit i kërkon agjentit të vijë të nesërmen pasi do ta respektojë me një shoqe. Bisedat vijojnë duke i treguar se mallin, herën e fundit e ka blerë tek Agron Qafa. Gjatë kohës që presin, Skënder Pllumbi i kërkon agjentit të regjistrojë numrin e Klajdit, që ta ketë dhe i jep numrin 068 XXXX22.
Po ashtu i tregon se edhe makinën e markës “Polo”, me të cilën po lëviz Klajdi. Nga raporti i vëzhgimit, rezulton se bëhet fjalë për makinën e markës “Volksëagen”, tip “Polo”, me targë AA 041 VL. Ndërkohë, mes agjentit dhe Skënder Pllumbi vijojnë bisedat sesi të fitojnë ndonjë lek duke shpërndarë lëndë narkotike. Agjenti i thotë se njeh dikë që është i gatshëm të blejë sasi të mëdha dhe se ku mund t’ia sigurojnë.
Më bli nga tre vende.
Të shikoj kush e ka cilësi më të mirë Skënder Pllumbi është takuar sërish me agjentin “315”, në qytetin e Elbasanit në datën 25 shkurt 2019, ku agjenti i kërkon Skënderit të blejë 3 gramë nga tre vende të ndryshme për të provuar mallin dhe për të vendosur se kush e ka mallin më të mirë. Referuar përgjimeve ambientale, përgjimeve telefonike, si edhe raporteve të vëzhgimeve, Skënder Pllumbi blen 1 gram te personi nën hetim Lorencio Gjini, të cilin e takon te “Komplekpsi Pepa”, blen 1 gram te personi nën hetim Agron Qafa, të cilin e takon tek “Avangard” dhe 1 gram tjetër e blen te Klajdi “Qerosi”, te lokali “My brother”. Nga peshimi i lëndës narkotike rezultojnë se qeset e blera kishin njëra peshën prej 0,8 gram dhe dy të tjerat peshën 0,7 gram, të llojit “kokainë”, kjo referuar edhe aktit të ekspertimit kimik.
Takimi me Klajdi Gjeçin, futja në lojë e dy agjentëve
Ndërkohë në takimin e 6 marsit 2019, Skënder Pllumbi, i siguron agjentit 315, sasinë prej 1,5 gramë të blerë nga Klajdi Gjeçi. Aty kanë rënë dakord që për të bërë provën e “mallit” për cilësinë, si edhe për blerjen e një sasie më të madhe, duhej të takoheshin me agjentin “317”, i cili presupozohej se do të blinte një sasi të madhe lënde narkotike. Takimi me Klajdi Gjeçi është zhvilluar te TEG-u, referuar telefonatave dhe raportit të vëzhgimit, ndërkohë me dy agjentët është takuar te “Palma Nova”. Sasia është 0,7 gram dhe është e llojit “kokainë”. Po ashtu, personi nën hetim Skënder Pllumbi, i thotë agjentëve se personi i cili ka sasinë e madhe të “kokainës” jeton në Tiranë, mbrapa Ekonomikut.
Ndërkohë që personi nën hetim Klaudio Trungu, lëndën narkotike ia ka lënë me çmimin prej 65 euro gramin. Pas këtij takimi, në 19 mars 2019, nga Skënder Pllumbi, agjenti ka blerë sasinë prej 2 gramësh (dy qese), të cilat nga peshimi ishin nga 0,8 gram secila, lëndë narkotike e llojit “kokainë”, kjo edhe në bazë të ekspertimit, që sipas përgjimeve telefonike rezulton se lëndën narkotike e kishte blerë nga personi nën hetim Klaudio Trungu.
Blerja e shtatë dozave kundrejt 275 mijë lekëve
Në datën 31 mars 2019, në orën 11:53, Skënder Pllumbi komunikon me agjentin “315”, i cili i thotë se po vjen. Në këtë moment Skënderi merr në telefon Lavdosh Demaj dhe e pyet se ku është. Pas 5 minutash, Skënder Pllumbi takohet me agjentin, ndërkohë Lavdosh Demaj i bën zile në orën 12:18 dhe 12:19. Nga ana tjetër Skënder Pllumbi, nga raporti i vëzhgimit rezulton se është çuar nga tavolina në orën 12:36, shkon në rrugën “Thoma Kalefi”, takon një person aty për rreth 1 minutë, më pas ecën në këmbë dhe ndalon në rrugën “Todi Dhamo”, te një banesë 4-katëshe (banesa e Lavdosh Demaj), takon një person të moshës 30-35 vjeç dhe kthehet te lokali. Më pas takohet përsëri me agjentin “315” dhe futen në makinën e këtij të fundit. Agjenti i jep shumën prej 275 mijë lekësh të vjetra dhe merr një sasi prej 7 dozash, të supozuara nga gjysmë grami.
Synimi për të blerë 500 gramë kokainë
Por siç ishte biseduar edhe në takimin e një dite më parë, ndërmjet Klajdi Gjeçi, Skënder Pllumbi dhe agjentëve të policisë gjyqësore me numra të koduar 315 dhe 317, në datën 12 prill 2019, rreth orës 11:30, janë takuar pranë terminalit tek Ekonomiku. Pas bisedimeve të bëra në lidhje me cilësinë e lëndës narkotike dhe pagesës, agjenti “317” ka shkuar të shikojë “mallin”, i cili presupozohej të ishte në sasinë prej 500 gramësh, lëndë e dyshuar si “kokainë”.
Në këtë moment, nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore është bërë edhe arrestimi në flagrancë i Klajdi Gjeçi dhe Skënder Pllumbi. Nga të dhënat e grumbulluara gjatë veprimeve të para hetimore, ka dyshime të arsyeshme, të mbështetura në prova, që personat nën hetim Agron Qafa, Lorencio Gjini, Klaudio Trungu dhe Lavdosh Demaj, në bashkëpunim me shtetasin Skënder Pllumbi, kanë mbajtur me qëllim shitjen dhe shpërndarjen e lëndës narkotike të llojit “kokainë”, duke konsumuar elementet e figurës së veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim. Në momentin e ndalimit, oficerët kanë konstatuar se gjatë kontrollit personal, personi nën hetim Agron Qafa, mbante me vete një sasi prej 25 gramësh kokainë.
Të arrestuarit:
1- Klaudjo Trungu
2-Agron Qafa
3-Skender Pellumbi
4-Lavdosh Demaj
5-Lorencio Gjini
6-Klajdi Gjeci
Janë vënë nën hetim në gjendje të lirë
1-A. Ll.
2-O. O.
3-A. F.
/Shqiptarja.com/