Nga Boldnews.al
Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, veproi saktësisht në kundërshtim me garancinë e dhënë para Kuvendit të Shqipërisë se “do të disiplinohej çështja e komandimeve pa kriter të prokurorëve”.
Gjatë vitit 2018 rezulton se Marku ka kryer komandime e lëvizje prokurorësh pa kriter, të cilat kanë sjellë pasoja të dëmshme në veprimtarinë normale të organit të hetimit.
Të paktën 13 nga 23 prokurori lokalë kanë raportuar se gjatë vitit 2018 kanë pasur mangësi në staf prokurorësh, për shkak të komandimeve të kryera nga Arta Marku, lëvizje, të cilat kanë sjellë më shumë probleme sesa zgjidhje.
Prokuroria Pukë
Rasti më flagrant është ai i Prokurorisë së Pukës, e cila, për pjesën më të madhe të vitit 2018, funksionoi vetëm me një prokuror, drejtuesen Elidjana Kasa. Në raportin vjetor për vitin e kaluar, Prokuroria e Pukës deklaron, ndër të tjera: “Pothuajse përgjatë të gjithë vitit 2018, në këtë prokurori ka ushtruar funksionin e prokurorit vetëm drejtuesja e saj”.
Në situatë problematike kanë qenë edhe thuajse 50% e prokurorive të rretheve gjyqësore në Shqipëri, përfshirë edhe Prokurorinë për Krime të Rënda.
Prokuroria për Krime të Rënda
Prokuroria për Krime të Rënda, njësia më e rëndësishme e hetimit kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta, ka funksionuar gjatë vitit 2018 me një staf të reduktuar prokurorësh, për shkak të vendimmarrjes së Arta Markut.
“Në uljen e shpejtësisë në hetime pranë kësaj prokurorie –shprehet drejtuesja Donika Prela- ndikim ka patur dhe fakti që, duke filluar nga muaji qershor 2018, me largimin e prokurorit H.L, dhe me pas në vijimësi me largimin e katër prokurorëve të tjerë, duke u caktuar në detyra pranë Prokurorive të Rretheve Gjyqësore, prokuroria e krimeve të rënda ka ushtruar veprimtarinë e saj me 5 (pesë ) prokurorë më pak në organikë”.
Prokuroria Shkodër
Prokuroria e Shkodrës, gjatë vitit 2018, ka funksionuar, në pjesën më të madhe të vitit, me 5 prokurorë më pak, të cilët janë transferuar me firmën e Arta Markut. Në raportin për vitin 2018 të kësaj prokurorie, shkruhet: “Përgjatë vitit 2018, prokurorët Esmeralda Ndoci, Sajmir Bahiti, Astrit Halilaj, janë komanduar me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm, respektivisht në Pukë, në Gjirokastër dhe në Krujë. Përgjatë vitit 2018 prokurorët Arben Smaçi dhe Marsida Frashëri me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm, janë caktuar në pozicionin e përkohshëm të magjistratit në Prokurorinë e Përgjithshme”.
Pas 5 lëvizjeve, të cilat sollën pasoja të rënda në funksionimin e Prokurorisë së Shkodrës, Arta Marku vendos të shtojë organikën me dy prokurorë të tjerë, por jo ata të cilët kishin emërimin dhe ishin larguar më parë po me firmë të saj.
“Në Prokurorinë Shkodër, në vitin 2018, është komanduar për të ushtruar funksionet, përgjatë këtij viti, me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm, prokurori Ajola Prenci dhe Olgert Rumnici”, shkruhet në raportin për vitin 2018.
Prokuroria Vlorë
Prokuroria e Vlorës, e cila ka një ngarkesë specifike për hetimin e rasteve kriminale, ka funksionuar gjatë vitit 2018 me 5 prokurorë më pak, situatë e cila ka ndikuar në cilësinë e veprimtarisë institucionale.
“Në vitin 2018, krahasuar me vitin 2017, rezulton se ngarkesa për çdo prokuror ka një mesatare më të lartë, ne raport kjo edhe me organikën përkatëse. Në vitin 2018, kanë ushtruar funksiononin ne këtë prokurori 20 prokurorë, por 5 prej tyre kane ushtruar funksionin jo gjatë gjithë vitit, pasi janë komanduar në prokurori të tjera”, theksohet në raportin e Prokurorisë së Vlorës.
Prokuroria Durrës
Prokuroria e Durrësit ka funksionuar me 4 prokurorë më pak gjatë vitit 2018, për shkak se Arta Marku vendosi të afrojë në Tiranë mikeshat e saj, të cilat kryenin funksionin në institucionin hetimor të qytetit bregdetar.
Në raportin vjetor të Prokurorisë së Durrësit deklarohet se: “Prokuroria Durrës gjatë vitit 2018 ka patur në organikën e saj një numër prej 26 prokurorësh. Për vitin 2018 Prokuroria Durrës ka operuar me 22 prokurorë, pasi të tjerët kanë ushtruar detyrën e tyre të caktuar pranë Prokurorive të Shkallës së Parë Vlorë, Prokuroria për Krime të Rënda dhe Prokuroria e Përgjithshme”.
Për të përmirësuar disi mungesat në Prokurorinë e Durrësit, Arta Marku komandon aty dy prokurore nga Kavaja, duke krijuar vështirë në këtë të fundit.
Prokuroria Kavajë
Prokuroria e Kavajës ka në organikë 6 prokurorë. Në vitin 2018, “Prokuroria Kavajë ka patur efektivisht në përbërje 4 Prokurorë. Prokurorët Ornela Rrumbullaku dhe Edina Kurti, janë komanduar në Prokurori tjetër”, shkruan në raportin e saj Prokuroria e Kavajës.
Prokuroria Berat
Edhe Prokuroria e Beratit ka raportuar se gjatë vitit 2018 ka pasur problematika në menaxhimin e procedimeve penale, për shkak të lëvizjeve në stafin e prokurorëve. “Kjo problematikë është theksuar më shumë nga dorëheqja e prokurorit Ermir Beta, përfundimi i komandimit të prokurorëve Andi Pogaçe dhe Artan Hazbi, caktimi i përkohshëm i prokurorëve Gentian Habazaj dhe Olgert Rumnici në prokurori të rretheve të tjera gjyqësore”, thuhet në raport.
Prokuroria Korçë
Prokuroria Korçë ka 13 prokurorë në organikën e saj. Por, për shkak të lëvizjeve të ideuara nga Arta Marku, aty kanë funksionuar vetëm 10 prej tyre. “Pra, viti 2018 u mbyll efektivisht me 3 prokurorë më pak se organika e planifikuar për strukturën e Prokurorisë”, thuhet në raportin vjetor të kësaj prokurorie.
Prokuroria Elbasan
“Në vitin 2018 rezulton të jetë larguar 3 prokurorë, për të ushtruar funksionet me komandim, në Prokurorinë Tiranë, si edhe në pozicionin drejtues në Fier dhe Lezhë”, thuhet në raportin e prokurorisë së Elbasanit për vitin e kaluar.
Ndërkohë, në të njëjtin material thuhet edhe që 2 prokurorë të tjerë të kësaj prokurorie janë larguar në vitin 2017 në prokurori të tjera, ndërkohë që nuk janë rikthyer në detyrat e tyre në Elbasan. Pra, kjo prokurori ka funksionuar me 5 prokurorë më pak se organika gjatë vitit 2018, për shkak të transferimeve të firmosura, në pjesën më të madhe, nga Arta Marku.
Prokuroria Dibër
Në organikën e Prokurorisë Dibër janë parashikuar të jenë 6 prokurorë, përfshirë drejtuesin e prokurorisë. Aktualisht, ushtrojnë detyrën në këtë prokurori, vetëm 3 prokurorë, pasi dy janë transferuar në Tiranë dhe Kurbin, ndërsa një i tretë është shkarkuar, raporton Prokuroria e qytetit veri-lindor.
Prokuroria Tropojë
Prokuroria e Tropojës punon me një prokuror më pak, nga 3 që duhet të ishin në total sipas organikës. Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku, ka firmosur komandimin e prokurorit Agim Dalipi në prokurorinë e Lezhës.
Prokuroria Lushnje
Prokuroria e Lushnjes, gjatë vitit 2018, ka funksionuar me 2 prokurorë më pak. “Prokurori Artan Hazbi ka qenë i komanduar në Prokurorinë Berat, kurse prokurorja R.Z., ka qenë me leje lindjeje deri në muajin Qershor”, raporton kjo prokurori për vitin 2018.
Prokuroria Kukës
Prokuroria e Kukësit referon nevojën për plotësimin e organikës së saj, e cila aktualisht është me një prokuror më pak. “Prokuroria e Kukësit ka në organikë 4 prokurorë. Aktualisht ushtrojnë funksionet vetëm tre. Duke marrë në konsideratë volumin e konsiderueshëm të procedimeve penale që kjo prokurori konsiderohet e nevojshme të ushtrojë funksionet dhe një prokuror tjetër”, thuhet në raportin vjetor të saj.