Nga Emirjon Senja
Besa Nikëhasani është prokurorja e parë e përjashtuar nga Sistemi i Drejtësisë prej vettingut duke shënuar kështu edhe nisjen me rezultate të prekshme të këtij procesi të shumëpritur.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i kryesuar nga Suela Zhegu arriti në përfundimin se Besa Nikëhasani nuk duhej ta kalonte vettingun duke e bërë kështu që të kërkonte rrugë të tjera në jetë pasi prokurore nuk do të mundej të punonte më.
Ajo u shkarkua pasi KPK konstatoi se në deklaratat e pasurisë i mungonte origjina e të gjithë shumës së parave, me të cilat kishte blerë një apartament në Tiranë, një makinë dhe një njësi shërbimi në Lezhë.
Qytetarët nuk patën mundësinë që të mësonin diçka më shumë në lidhje me aftësitë profesionale si edhe nëse prokurorja në fjalë kishte apo jo kontaktet të papërshtatshme, siç konsiderohen ato me botën e krimit sepse në vendimin ( lexo këtu ) e zbardhur të KPK-së nuk ka asnjë vlerësim për këto dy kritere.
Tronditja e pësuar, lotët dhe përbetimet e saj para kamerave duke thënë se nuk ka fshehur asgjë, por se kishte filluar vonë deklarimin e pasurisë si edhe komentet në media të kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të saj do të ishin sinjali i parë për problematikat në lidhje me zbatimimin e kritereve përmes të cilave bëhej vlerësimi i gjykatësve apo prokurorëve.
Prokurorja Nikëhasani nuk është e vetmja e përjashtuar nga sistemi drejtësisë përmes vlerësimit të vetëm një kriteri, pikërisht atij të pasurisë.
Nga një monitorim që Albeu.com i ka bërë 109 vendimeve të publikuara në faqen e KPK-së, rezulton se në total, nga Sistemi i Drejtësisë janë përjashtuar me vendim të komisionit 40 gjykatës dhe prokurorë.
Nga këta, 18 subjekte ose 45 për qind të totalit të të shkarkuarëve janë nxjerrë nga sistemi vetëm duke u bazuar tek të dhënat mbi pasurinë ndërkohë që komisionerët nuk e kanë parë të nevojshme që të marrin në konsideratë dy kriteret e tjera:
b)kontrolli i figurës dhe c)vlerësimi i aftësivë profesionale, të parashikuara në ligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjykatësve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Nëse lidhje me faktin nëse rivlerësimi përmes të trija kritereve apo mjafton vetëm njëri prej tyre për të mos kualifikuar një gjykatës apo prokuror ka qendrime të ndryshme.
I pyetur në lidhje mbi parashikimet ligjorë në lidhje me kriteret e vlerësimit gjatë shqyrtimit të dosjeve të gjykatësve dhe prokurorëve nga KPK, avokati Jordan Daci shpjegon se Kushtetuta përcakton se vlerësimi duhet bërë duke marrë në konsideratë të trija kriteret.
“Vlerësimi përmes tre kritereve është edhe e drejtë e subjekteve sepse mund të kemi raste të mos përputhshmërisë të vogla.
Kushtetuta parashikon që është e lejuar shuma mbi 100 për qind të vlerës që t’i justifikon.
Ndërkohë, trupat gjykuese kanë dhënë vendime mos konfirmimi në detyrë edhe nën këtë nivel, gjë e cila është në mos përputhje me Kushtetutën. Mund të kemi persona që shkëlqejnë nga ana profesionale dhe etike, por kanë mos përputhje të vogla sa i përket pasurisë”, shpjegon ai duke shtuar se pasuria nuk mund të ketë kriter absolut në një ekonomi kur ne vetë pranojmë se është 40 për qind apo më tepër informale.
Në listën e të shkarkuarëve ka gjithashtu mjaft emra që janë vlerësuar mjaft pozitivisht në dy kriteret e tjera, por që kanë “ngecur” tek pasuria.
Gjyqtarët Bledar Abdullai dhe Sotiraq Lubonja kanë një specifikë që i bashkon sa i përket vendimit për shkarkimin e tyre.
Të dy ata janë vlerësuar pozitivisht sa i përket aftësive profesionale, ndërkohë që Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Kualifikuar (DSIK) nuk ka ofruar të dhëna për kontakte të tyre me botën e krimit.
Megjithatë, trupa gjykuese është mjaftuar me konstatimin e problemeve në treguesit e pasurisë së tyre për t’i larguar. Një specifikë të ngjashme ka edhe prokurorja Antoneta Sevdari.
Ajo u kualifikua në të trija kriteret prej komisionit, por ankesa e Komisionerit Publik, Dariel Sina bëri që Komisioni i Posaçëm i Apelit ta shkarkonte pas konstatimit të problemeve me pasurinë edhe pse ajo ishte kualifikuar me vlerësime maksimale për figurën dhe aftësitë profesionale.
Artan Bajrami është shkarkuar sërish vetëm prej pasurisë ndërkohë që dy kriteret e tjera i ka kaluar ( lexo këtu ).
Në lidhje me kriterin e vlerësimit profesional, për Artan bajramin komisioni shprehet: “Për vlerësimin profesional, subjekti i rivlerësimit ka treguar cilësi të pranueshme në punë, gjykim të drejtë, ka respektuar të drejtat e palëve, është efecient dhe efektiv në masë të pranueshme.
Referuar vendimeve të ngjashme, Jordan Daci shprehet se vetëm Reforma në Drejtësi do të zhbëhej nëse vettingu do të implementohej duke e parë kaq ngushtë.
“Reforma nuk ka qëllim thjesht largimin e individëve, por ka për qëllim për të bërë një vlerësim dhe skanim tërësor të të gjithë sistemit për të parë çfarë nuk ka funksionuar dhe çfarë duhet të bëhet dhe të japë një mesazh të qartë për atë që ka kaluar”, shpjegon ai.
Pasuria nxorri nga sistemi edhe dy gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha. Në rastin e Xhoxhajt, KPK konstatoi gjithashtu se ajo nuk ishte në lartësinë e duhur sa i përket aftësive profesionale.
Problematikën e përdorimit të vetëm njërit prej kritereve, atij të pasurisë, për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve e konfirmon edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit në njërin prej raporteve ( lexo këtu ) për procesin e vettingut.
“Kushtetuta e RSH dhe ligji nr.84/2016 parashikon që procesi i vettingut kërkon kontroll të të tri komponentët që qëndrojnë në themel të tij, ndaj procesi nuk do të ishte i plotë dhe as transparent për publikun nëse subjektet nuk i nënshtrohen të trija filtrave të kontrollit”, theksohet në raport.
Realizimi në mënyrë të cunguar i procesit të vettingut për këto subjekte, të cilat janë shkarkuar vetëm bazuar në një kriter, shton KShH, nuk ka mundësuar transparencë të plotë për publikun, i cili ka interes të gjerë për procesin e vettingut.
“Ky është qëndrimi i mbajtur nga disa prej vëzhguesve të KShH-së. Qëndrimi i pjesës tjetër të ekspertëve të KShH-së, është se Ligji nr.84/2016 parashikon se shkarkimi i subjektit mund të bazohet edhe në vetëm një kriter”, shkruhet në raport.
Lidhjet me krimin
Në vendime vërehet një mungesë e uniformitetit sa i përket përdorimit të kritereve të vlerësimit, ndërkohë që është absolut ai i pasurisë.
Deri më tani janë kualifikuar si të përshtatshëm për të vijuar detyrën 46 prokurorë ose rreth 42 për qind e numrit total të të vlerësuarëve (Shiko grafikun sipër).
Ndërkohë, rezulton se 20 prokurorë dhe gjykatës të jetë shkarkuar nga detyra përmes vlerësimit të trija kritereve.
Në vlerësimin që bëri për ish-gjykatësin Admir Thanza komisioni nuk është mjaftuar vetëm me hetimin mbi pasurinë e tij, por ka hulumtuar edhe mbi pastërtinë e figurës si edhe aftësitë profesionale të tij, duke arritur në përfundimin se Thanza nuk i plotësonin këto dy kritere.
Në raportin që i ka dorëzuar komisionerëve, DSIK vlerësoi se Thanza nuk duhej të vijonte detyrën për shkak të kontakteve të papërshtatshme.
Rasti Prela
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zbardhi më datë 27 mars vendimin për konfirmimin në detyrë të Kryeprokurores së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela. Ditën që vendimi u zbardh, 18 gjykatës dhe prokurorë ishin nxjerrë nga sistemi vetëm përmes kriterit të pasurisë.
Në lidhje me këtë, Prela kishte deklaruar blerjen e një apartamenti 95.6 metra nga bashkëshorti i saj në vlerën e 32 100 eurove.
Një vit më pas, ky apartament është rivlerësuar në vlerën e 9 milion lekëve, një vlerë kjo sa dyfishi i çmimit të blerjes. E pyetur në lidhje me rrethanat e vlerësimit të beftë të kësaj prone, Prela tha se apartamenti ishte blerë me çmim preferencial pasi bashkëshorti i saj kishte qenë punonjës i kompanisë që ia kishte shitur apartamentin.
Në vitin 2014 familja e saj ka blerë një apartament 1.4 lekë dhe brenda vitit e ka shitur me gati trefishin e çmimit të blerjes, 4 milion lekë. Edhe për këtë, u shpjegua se çmimi i ulët i blerjes nga bashkëshorti i Prelës vinte për shkak të angazhimit të tij si punonjës i kompanisë që e kishte shitur.
Në dosje është edhe blerja e 1 000 metrave katrorë tokë në periferi të Tiranës me vlerë 350 000 lekë, një çmim anomalisht i ulët ky sipas vlerësimit të ILDKPKI, megjithatë në raport KPK thekson se nuk ka asgjë të dyshimte në këtë transaksion sepse toka ishte larg rrugës, rrjedhimisht edhe justifikonte çmimin e ulët.
Kur Prela doli para komisionerëve, përfaqësues i ONM, Theo Jacobs bëri një deklaratë të fortë në lidhje me pasurinë e saj duke u çuditur me faktin se bashkëshorti, Vangjel Prela nuk kishte paguar taksat gjatë disa viteve.
“Jam i sigurtë që ju mund të keni provuar që të pini ilaçe në mëngjes, e ato ilaçe lënë një shije të keqe, prandaj nuk mund ta pish mirë kafen.
Por, pas drekës shija përmirësohet. Kam lexuar dosjen tuaj dhe ne nuk kemi arritur ende në kohën e drekës për të shmangur dyshimet dhe për të larguar shijen e keqe në gojën time.
Pse bashkëshorti juaj e ka marrë pagën ‘cash’ teksa ka pasur llogari bankare? Më ndihmo të kuptoj nëse kjo është rastësi, apo bashkëshorti juaj është gënjyer nga kompania e ndërtimit. Apo ka ndodhur kështu për të shmangur pagesën e taksave?”, deklaroi vëzhguesi i ONM-së, ndërkohë që Prela tha se ishte punëdhënësi ai që nuk e kishte deklaruar bashkëshortin e saj.
Sipas standardit të vendosur gjatë procesit të deritanishëm të vettingut, siç ishte rasti i shkarkimit nga KPA i kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedjës, këto të ardhura të Prelës duhet të konsiderohen të ardhura të paligjshme, rrjedhimisht të pallogaritshme në totalin e të ardhurave të subjektit nën vlerësim, Donika Prela.
Në relacionin shpjegues të ankimimit për Dedjën (lexo këtu), Komisioneri Publik thekson se “sipas nenit D të Aneksit të Kushtetutës konsiderohen të ardhura të ligjshme ato që janë deklaruar dhe për të cilat janë paguar detyrimet tatimore”.
I njëjti kriter është përdorur për një numër të madh të shkarkuarish për shkak të mos justifikimit të pasurisë. Një prej tyre është pikërisht edhe Besa Nikëhasani.
Në vlerësimin që bën për Bashkim Dedjën, KPA shkruan në raport: “Të ardhura të ligjshme të vëllait të subjektit të rivlerësimit , sipas Komisionerit Publik, do të konsideroheshin të ardhurat për të cilat vëllai i tij ka paguar detyrimet tatimore në shtetin ku ka punuar.
Pra, Komisioneri Publik vlerëson se nuk janë kushtet kur duhet të bëhet interpretim i të ardhurave të ligjshme të personit të lidhur mbi bazën se sa ka deklaruar në shtetin shqiptar apo a kishte detyrimin të deklaronte në shtetin shqiptar” ( lexo këtu ).
Praktikisht, sipas këtij standardi, Prela gjendet në të njëjtën situatë me Dedjën dhe ish-kolegë të tjerë sa i përket të ardhurave të padeklaruara. KPA nuk mori parasysh të ardhurat e të familjarit të Bashkim Dedjës të fituara nga puna në Itali pasi për to nuk ishin paguar taksa, ashtu siç KPK e “quajti” pagën e Vangjel Prelës, edhe pse për të gjithashtu nuk ishin paguar taksa.
Ashtu si edhe me Bashkm Dedjën, çështja Prela ka shkuar në KPA. Mbetet për t’u parw se cili do të jetë vendimi i Kolegjit tw Posaçëm të Apelimit nisur edhe nga fakti se situatat janë të njëjta.