Nga Red Varaku
Çdo njeri është i lirë të bëjë zgjedhjen e tij në politikë dhe ta interpretojë një realitet sipas mënyrës së tij. Nëse Rudina Hajdari ka bërë zgjedhjen e saj, uroj që të ketë sukses dhe të jetë në interes të popullit shqiptar. Por duhet thënë, që edhe pse ajo nuk i ka argumentuar akoma arsyet që e shtynë të largohej nga Partia Demokratike, ka disa të dhëna që e kompromentojnë pastërtinë e qëndrimit të saj, dhe e bëjnë të duket qëndrimin e saj si një pazar ose marrëveshje me Ramën. Të dhënat për këtë janë shumë, por do të rendisim disa si më të rëndësishmet:
Së pari, është bashkëpunimi i saj me një nga figurat e diskretituara politike gjatë këtyre viteve. Me një njeri që ka dalë hapur kundër PD. Me një ushtar të devotshëm të Mero Bazes, i cili e ndyn pastërtinë e figurës së Rudinës me prezencën e tij. Kritiku më i madh i Bashës, i cili nuk reshti së akuzuari atë për marrëveshje me Ramën në 17 Maj, sot po thur nën kujdesin e veçantë të Mero Bazes, tradhëtinë më të madhe, që i është bërë ndonjëherë demokratëve. Pikërisht për këtë demokratët nuk mendoj se do ta falin.
Së dyti, mbështetja e hapur që Rama dhe mediat e kapura prej tij japin idenë, që lëvizja e saj është jo vetëm e nxitur prej tij, por e inspiruar prej tij. Kjo gjë, dekurajon dhe zemëron shumë demokratët, të cilët ajo mendon se i përfaqëson, për shkak të origjinës së saj. Bashkëpunimi me xhelatët e babait të saj, Azem Hajdarit e ul shumë poshtë pastërtinë e qëllimeve të saj
Së treti, nxitimi për ta shpallur atë në mënyrë, që të arrihen afatet për tu regjistruar në “votimet” e 30 Qershorit e bëjnë tejet qesharake në sytë e opinionit publik. Një parti politike nuk mund “të prodhohet” brenda natës, sado socialist qoftë laboratori. Ajo ka nevojë për kohën e saj, ndryshe perceptohet si produkt artificial me ADN të modifikuar.
Së katërti, nuk ka asnjë artikulim të qartë ndërkombëtar në lidhje me figurën e saj të cilin ajo e pretendoi që në fillim. Mbështetja ndërkombëtare me të cilën vishet vendimi i saj, është kryekëput sajim i pastër i medias së kapur, nga ata që vetëm luajnë me dinjitetin e këtij kombi. Çdo përpjekje e sforcuar për ta bërë të duket si një investim ndërkombëtar, fyen ndërkombëtarët, dhe e bën atë qesharake në sytë e opinionit publik.
Së pesti, ajo kurrë më parë nuk është ankuar për PD dhe asnjëherë nuk e ka pranuar një divorc prej saj. Në daljet e saj të fundit në publik, ajo është shprehur e prerë, se përfaqësonte demokratët dhe që amanetin e babait të saj nuk e tret as dheu. Fakti që e bën këtë akt pikërisht kur demokratët kanë më shumë nevojë, për të perceptohet si thikë pas shpine dhe një akt pabesie dhe tradhtie i pastër.
Ajo pretendon se do të sjellë një model të ri politik, larg maskarallëkut të partive tradicionale, duke e nisur rrugëtimin e saj fiks si një maskarallëk. Një pabesi e gatuar në zyrën e njerëzve që akuzohen si vrasësit e babait të saj. Por, kushdo që do të bëhet pjesë, në fakt bëhet pjesë e Mashtrimit të Madh dhe të një ambicieje, e cila që në krye të herës, sjell frymën e “partive të vjetëruara”, që sulmon.
Është e qartë tashmë, që partia e saj do të jetë një parti pa përkrahës. Ata që do t’i bashkangjiten BINDJES janë thjesht përllogaritës të ftohtë interesash, që PD i ka flakur pikërisht për shkak të vjedhjes dhe korrupsionit, që kanë bërë në emër të PD, si dhe faturës së rëndë elektorale, që i sollën PD në 2013.
Pra, çfarë ka ndodhur me Rudinën që ndryshoi 180 gradë qëndrimin e saj? Ka humbur rrugën, apo pastërtia e saj kur dëshironte të digjte mandatin dhe t’i bashkangjitej Lëvizjes Studentore, ishte thjesht një flluskë në arenën e hipokrizisë politike?
Është shumë e paqartë për opinionin publik, dhe për atë demokrat në veçanti, që brenda natës, Rudina e gjeti veten në sferën politike, me një Parti të Re, që më së shumti reflekton bindje dhe nënshtrim ndaj Edi Ramës, sesa rebelim ndaj tij. Me ç’ duket brishtësia e Rudinës, nuk i rezistoi dot llumit dhe pazareve të kënetës së politikës shqiptare. Ajo e la veten e saj në kaq pak kohë të rrethohet e dominohet nga një grup njerëzish, që qëllimin e tyre primar kanë marrjen e ndonjë llokme nga tepsia.
Sidoqoftë, fakti është që Rudina, nuk është më e njëjta! Ajo nuk është më ajo vajza e pastër, që me drejtësinë dhe çiltërsinë e saj frymëzonte të gjithë demokratët. Fatkeqësisht ajo nuk është më simboli që bashkon demokratët, por është kthyer në simbol të përçarjes së tyre. Bash për këtë ata nuk do ta falin kurrë. Me apo pa vetëdije, ajo ka kryer vetëvrasjen publike, të një profili tejet shpresëdhënës, që vdiq ende pa lindur.