Nga Basir Çollaku (Pjesa e dytë)
Telefonata befasuese 10 minutëshe e tensionuar me ministrin e brendshëm që të lija të qetë doganierët e akuzuar për kontrabandë… Mesazhet dhe kërkesa ndaj Prokurorit të Përgjithshëm për të më arrestuar me çdo kusht. Si paraqiteshin drejtorët tek Shefi i Madh te Kavaleshenca në Durrës dhe paguanin taksat e trafikut… Skema e kultivimit të kanabisit lidhja e policisë me grosistët, kultivuesit dhe mbikëqyrja e paguar e këtij skenari trafiku. Operacioni Fundi i Marrëzisë, përfshirja e pushtetit në lojërat e fatit dhe lufta që “vriste” me para. Si i lejonin aktivitetet e paligjshme kundrejt shpërblimeve..Përgjimet e tatimorëve të implikuar dhe paratë që merrnin nga bosët e krimit. Laborator droge me studentë që punonin si paketues të hashashit. Lidhjet me drejtues të policisë dhe prokurorë.
Më pas Korça ishte detyra e re ku erdhi dhe largimi përfundimtar. Si ndodhi kjo?
Në Korçë kishte problem, dua të them se dy Zv. Drejtoret që ishin para meje, djem shumë të mirë oficerë karriere me një përvojë të shkëlqyer, njeri dha dorëheqjen dhe u largua pa bërë as dy muaj punë, edhe tjetrin e hoqën po pa bërë dy muaj, dhe kishte mbi dy muaj që vendi i Zv drejtorit ishte vakant, vajtja ime në Korçë siç më tha Drejtori i Përgjithshëm Didi ka problem, me punonjësit, dhe e mësova kur vajta, ishin punonjësit të implikuar dhe merrnin para. Të jap një shembull konkret. Në atë kohë nëse ju kujtohet operacioni fundi i marrëzisë.
Po çfarë ndodhi me këtë operacion atje?
Atje nuk ishte punuar fare në lidhje me këtë operacion. Korça ishte rrugë kalimi. Droga që vinte nga Lazarati, pastaj në Përmet dhe shkonte në Ersekë, e dilte nga Korça ku grupet kriminale kishin krijuar rrugët. Edhe para meje kolegët kanë punuar mjaft, por shumë probleme ishin prezent.
Lojërat e fatit?
Pashë statistikat dhe pashë se kishte shumë pak lojëra fati të mbyllura, ndonëse punonin pa licencë dhe unë kam mbyllur e proceduar penalisht 98 subjekte që ushtronin aktivitet të paligjshëm me lojërat e fatit.
Kush i kishte lejuar?
Ata që kishin marrë paratë. Kishte një problem. Drejtori i qarkut Edmond Targaj kishte marrë si shef të krimit ekonomik Bilbil Makriun, të cilin e njihja se kisha punuar në Gjirokastër dhe ishte i njohur për allishverishiet në polici dhe ata dilnin e merrnin taksat e tyre nëpër këto njësi lojërash.
Kishit prova?
Prova ishte në terren. Kur unë nisa t’i mbyll këto lojëra fati, më vinin njerëz që kishin këto biznese, e më thonin sa lekë do, se me ato tjerët e kemi rregulluar ne po me ty s’po e rregullojmë. Këto ia kam thënë dhe ish drejtorit të përgjithshëm në atë kohë Artan Didi dhe i kam bërë prezent të implikuarit, Bilbili, u mor masë ndaj tij.
Po drejtori?
Po të tregoj një rast kur Drejtoria e Lojërave të fatit kishte një informacion për një subjekt që zhvillonte aktivitet pa licencë dhe drejtoria e lojërave të fatit kërkonin bashkëpunim e mbështetjen e Policisë. Këto specialistë kërkuan ndihmën e policisë dhe atje shkoi drejtori i policisë Edmond Targaj, që në vend që të mbyllte aktivitetin qëlloi, rrahu specialistin e drejtorisë së lojërave të fatit.
Përse?
Arsyeja është e thjeshtë..
Sa paguanin këto biznese të paligjshme?
Tani sa më shumë ta shtrëngonin aq më shumë rritej vlera. Së paku mbi 15 milionë në muaj pagesa ishin. Kam informacione të mbledhura në punë edhe biseda të incizuara që më tregonin lidhjet dhe pagesat. Kishim rastin e një kontrabandisti të cilit Bilbili i mori pesë mijë euro.
Nuk hetoheshin këto raste?
Kush t’i bënte këto hetime Tani Fadilesë, ishte një specialist i SHKB, dhe ata ishin vetë pjesë e skemës.
Po Kontrolli tatimor nuk vepronte?
Shefi i Sektorit të Kontrollit për Qarkun Korçë që më pas u bë objekt i një hetimi dhe u arrestua kishte punuar me lojërat e fatit dhe doli në hetim se kishte qindra milionë lekë që negocionte me një Inspektor të Deklarimit e Kontrollit të Pasurisë donte t’i mbyllte…
Kishte regjistrime, prova konkrete?
Ishte Gentian Rrushi shefi i sektorit të kontrollit tatimor për qarkun e Korçës dhe ne kishim informacion se kishte abuzuar me detyrë dhe në bashkëpunim me prokuroria u regjistrua procedimi penal ndaj tij dhe me metoda speciale të hetimit pas një hetimi disa mujor u provoi se ai kishte aktivitet kriminal, prokurori kërkoi arrest me burg dhe gjykata vendosi masën e sigurisë arrest në burg ndaj tij. Ishin disa subjekte që ai u kishte marrë para. Ishte një hetim disamujor. Ka përgjime e verifikime që provojnë këtë aferë.
Një rast konkret ky?
Nga kjo mora goditjen, kjo më krijoi probleme
Çfarë problemesh? Përveç kazinove a ishte një problem dhe trafiku i drogës?
Sigurisht po, unë e përmenda dhe theksova se kishim rezultate konkrete në goditjen e grupeve kriminale që merreshin me trafik, hashashi në sasi të madhe por edhe heroina dhe drogat e shtrenjta. Kishim një rast të një subjekti të trafikut që kishte lidhje me Drejtues të Policisë në Korçë, me politikën dhe me prokurorin Shipka. Goditëm një grup të hashashit, në një banesë ku përdorte dhe studentë që paketonin drogën, kemi arrestuar pesë persona, por u prishën gjurmët dhe u manipuluan provat u ndërhy në laboratorin qendror dhe këtu kemi skemë korruptive. Prokurori i çështjes Elsion Sadiku, mbeti i befasuar kur erdhi përgjigja dhe nuk kishte gjurmë papilare dhe provave, dhe na doli vetëm një studentë që kishte gjurmë të tjerët u zhdukën të gjitha.
Keni pasur presion?
Në maksimum, në të gjitha drejtimet. Kur nisi goditja atëherë erdhi edhe reagimi. Stafi punonjësit ishin njerëz e specialistë shumë të mirë por ishin të terrorizuar nga presionet që u vinin nga politika e krimi kërcënoheshin me heqje nga puna transferime, politika këtë presion e bënte nëpërmjet Drejtorit të policisë Edmond Targaj.
Presioni si erdhi?
Kisha presion direkt nga ministri.
Cili?
Saimir Tahiri. Kontrabanda ishte një tjetër problem emergjent. Kisha burime informacioni në doganë dhe në një rast me datë 13.02.2014 mora një informacion konkret dhe bllokuam subjektin, thirra oficeret e krimit ekonomik dhe njoftova menjëherë prokurorin e taks forcës Elsjon Sadiku, dhe nisën veprimet hetimore. Kur oficerët po bënin këqyrjen e kamerave në dogane më bie telefoni i punës, për këtë janë tabulatet.
Kush ishte?
Ishte ish ministri Saimir Tahiri
Çfarë ju tha?
Ishte një komunikim arrogant. Çfarë po bën më tha. U përpoqa ta informoja për goditjet e grupeve për trafik armësh, droge, më pyeti për doganierët dhe unë po ja shpjegoja. Lëre tha mos me trego mua ligjin, mos u merr me ata (doganierët, se nuk kanë bërë ndonjë gjë të madhe lëri se kanë qenë njerëzit pa punë, mos u merr me ato, merru me drogën, i thashë që jemi marrë e kemi goditur me shumë se kurrë me parë. Më ndërpreu e më tha merru me armët me tha, pardje i thashë i kam kapur armë e kemi goditur një grup kriminal. Merru me policët, sërish i thashë dy ditë më parë kam bërë arrestim konkret për implikime policesh… Dëgjo mua çfarë të them me tha, leri doganierët e mos u merr më me to se nuk kanë bërë ndonjë gjë të madhe se kanë qenë njerëzit pa punë, ka qenë një bisedë afër 10 minuta e tensionuar dhe kam mbetur i befasuar. Kolegët që isha me to u habitën, jo vetëm me telefonatën por dhe me reagimin tim sepse nuk ishin mësuar mbase kështu. Kam 25 vite punë dhe s’më ka marrë në telefon ndonjëherë ministri direkt, më kanë marrë eprorët për të më komunikuar urdhra pune por jo ministrat, njeri nga koleget me tha ti ike nga puna me këtë që bëre, po pse ore s’u hap derën e lëri të shkojnë po i hap punë vetes. Po ja del ti me ministrin, ai do të heqë menjëherë tani.
Kjo telefonatë ishte fundi?
Po kjo ishte fundi, u ndjeva keq se presioni ishte i madh. Kishte oficerë të implikuar të lidhur me subjekte të ndryshme që merrnin në telefon dhe deputetë dhe më thonin hapur se do ikësh do të largohesh.
Si reaguat?
I kërkova takim dr. të përgjithshëm Artan Didi dhe i thashë për situatën që ndodhesha, i thashë edhe për bisedën me ministrin. Ai u befasua për këtë. I kërkova që të reagonte. Më tha ik e puno se do kesh mbështetje.
Dhe?
Kam arrestuar shtetasin Gentian Rrushi, me detyrë Shef i Sektorit të Kontrollit Tatimor në Drejtorinë e Tatimeve Korçë, për veprën penale “Shpërdorim detyre korrupsion fshehje e të ardhurave”, pas një hetimi pro aktiv të iniciuar nga unë e drejtuar hetimin nga Zv. prokurori i Task Forcës në Korçë Elsjon Sadiku, çështja në atë kohë ishte në hetim, ato ishin shprehur se do hakmerreshin ndaj meje në çdo formë e çdo çmim.
Çfarë ndodhi më pas?
Dhe më krijuan një incident, sikur unë kisha rënë në qafë një njeriu të ndershëm ndonëse ai ishte një kontingjent policie (sot i dënuar me vendim të formës së prere “Drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë), por kjo ishte një inskenim, këtë e shfrytëzuan dhe organizuan. Ai që ka filmuar një operator televizioni, unë s’kisha kryer asnjë veprim të kundraligjshëm, ishte një person me mjet pa dokumentacion me targa fallso në gjendje të dehur. Dhe do e shoqëroja ligjërisht. Media ka shpifur jo pak për këtë rast. Kjo ngjarje u bë e njohur me sensin negativ e dukshëm tendecioz. Ndaj meje si Zv. Drejtor i Policisë Qarkut Korçë u ndërmor një fushatë denigruese, poshtëruese e shpifëse për të më goditur e larguar nga policia. U ndihmuan nga miqtë e tyre mediatikë. Drejtori i përkrahte, dhe u thoshte se ne e kemi denoncuar këtë por e mbajnë lart, oficeri SHKB Tani i Fadiles shpifte për llogari të vet, duke sajuar histori me bankierë, e kam nxjerrë sekrete. U bënë një tufë shpikjesh, presion kudo, prokurori Edmond Shipka i lidhur në këtë skemë.
Si ndodhi?
Ka përgjime telefonatash të bërë nga persona me precedentë penal, një person që po hetohej në kuadrin e një grupi kriminal, komunikonte në telefon me shefin e Komisariatit, dhe thonë ia futëm atij dhe tregonte se si kishin vepruar. Problemi ishte të më largonin, biseda ka dhe me Prokurorin Mond Shytko dhe Drejtorin Edmond Targaj. Specialisti SHCBA Dritan Hoxha, bënte presion oficerëve që të dëshmonin duke shtrembëruar të vërtetën, për këtë është thirrur nga Zv Prokurori. Unë vura ne dijeni Drejtorin e Përgjithshëm për të gjitha këto, ai mori në telefon Drejtorinë Qarkut dhe i tërhoqi vëmendjen, i kërkoi të mos bënin gjëra të tilla po ti trajtonin ngjarjet realisht.
Largimi juaj?
Më ka marrë drejtori i Qarkut më tha se me urdhër të drejtorit të përgjithshëm jeni pezulluar. Kam marrë në telefon dr e përgjithshëm për t’i kërkuar sqarime se isha ndërkohë në një vendngjarje dhe Drejtori më tha vazhdo qëndro aty në ngjarje. E pyeta se përse me pezullon, më tha shiko lajmet, i them unë e di se kam qenë vetë aty, jo është bërë problem e do ta shikojmë. Ministri bënte presion.
Çfarë presionesh?
Ministri donte të më fuste në burg me çdo kusht. Ministri merrte Prokurorin e Përgjithshëm, ky merrte Prokurorin e Rrethit, dhe i thoshte çfarë u bë u arrestuan ata punonjësit e policisë, këtë kërkonte Prokurori i Përgjithshëm, zëvendës prokurori i ka thënë si ta arrestojmë ne nuk ka prova, kanë shkruar mesazh prokurorit të përgjithshëm, por nuk mori përgjigje dhe nuk folën më.
Ministri Tahiri menjëherë ka marrë kontakt me Drejtorin e Përgjithshëm Didi dhe i ka kërkuar me këmbëngulje përjashtimin tim nga policia. Kërkonte me gjithë kundërshtinë që ka bërë ministrit, në fund e ka firmosur, dhe këtu është e përfshirë edhe SHKB, duke tentuar të manipulonte dëshmi oficerësh. Prokurori, Zëvendësprokurori është informuar për këtë presion, edhe Drejtori i Përgjithshëm, unë e kam vënë në dijeni për këtë presion
Përse folët tani dhe jo më parë?
Unë kam marrë pafajësi nga Gjykata e Lartë dhe kam pritur të shprehet Gjykata. Tashmë jam i pafajshëm nga çdo pretendim i kujtdo, vendosa të flas sepse nuk kam asnjë interes vetëm se të dalë e vërteta. Nuk kërkoj dhe nuk përfitoj unë personalisht nga denoncimi publik por të kontribuojmë në dobi të të vërtetës.
Nga informacionet tuaja trafiku i drogës në këtë situatë?
Dijeni, kam së paku për në Dibër, ku është dhe ish drejtori që kam punuar me të Edmond Targaj. Në fshatin tim në Sopot, ku nuk ishte mbjellë asnjëherë drogë…
Por… ?
Në pranverën e 2015 u dhanë direktiva nga policia që dërgonte direktiva dërgonin inspektorët e rendit që merrnin kontakt me grosistët se nuk ishin fshatarët organizatorët e kësaj pune. Ata janë viktima dhe mbollën të gjithë tokat ku kishte ujë i mbollën me hashash, mbjellë qindra mijëra bimë. Kam parë në fshat dhe tunelet ku është përpunuar, ku e kanë mbajtur tharë e punuar, janë pak larg fshatit, janë ende gjurmët që tregojnë këtë aktivitet.
Policia për vitin 2015 nuk ka marrë asnjë masë për parandalimin goditjen e vënien para përgjegjësisë ligjore të kultivuesve të bimëve narkotike, sepse policia është vetë kultivuesja favorizuesja dhe përfituesja e të ardhurave nga kjo veprimtari kriminale. Kuvendi i Shqipërisë ka nxjerrë një ligj të veçantë për të parandaluar e goditur veprimtarinë e paligjshme të kultivimit të bimëve narkotike. Në bazë e në zbatim të këtij ligji, Inspektorët e Policisë në Zonë, Specialisti i Policisë kriminale që mbulon zonën, Kryetarët e Bashkive e Komunave, kryepleqtë e fshatit, duhet të kontrollojnë territorin dhe të informojnë menjëherë nëse konstatohet kultivim i bimës cannabis sattiva, nëse nuk informojnë ndaj tyre fillon menjëherë çështja penale për shpërdorim detyre.
Po si do informonin punonjësit e policisë që ligji i detyron, kur nga shefat e tyre merrnin urdhra që të evidentonin parcelat e të numëronin rrënjët e vilnin taksën për shefin, se ato vetë as bëhej fjalë të fitonin gjë, në ndonjë rast shefat i detyronin që të ruanin dhe parcelat e trafikantëve. Nëse s’do ishte kështu, që lekët i merrnin shefat, me gjithë ato sipërfaqe të mbjella e të pa evidentuara do kishin shkuar për ndjekje penale, mbi 60% e SPZ Inspektorëve të Policisë Kriminale, kryepleqve e ndonjë Kryetar Bashkie me patjetër. Pastaj Drejtorët duhej të paraqiteshin herë pas here tek Shefi i Madh, zakonisht fundjavave te kavalishenca në Durrës ku paguanin taksat mujore.
Po hetimi?
Hetimi e vënia para përgjegjësisë ligjore e punonjësve të policisë në nivele të ndryshme drejtuese, të përfshirë në veprimtarinë kriminale të kultivimit të kanabisit, bëhej i pa mundur, pasi SHÇBA, me qartë, Drejtorinë këtij Shërbimi Arben Skëndo, ishte i përfshirë vetë në këtë mosveprime apo veprimtari të paligjshme. Ai ishte beniamini i Ministrit Tahiri, që me shantazhe e presione që u bënte punonjësve të policisë, kishte përfitime marramendëse.
Po përse ndodhte kjo?
Ndryshe s’ka si shpjegohet se s’din ku i ka pasuritë?!! SHISH në mënyrë periodike ka informuar SHKB për përfshirje të punonjësve të policisë në veprimtarinë kriminale të kultivimit e trafikimit të bimëve e lëndëve narkotike, për parcela të mbjella.
Çfarë ka ndodhur?
SHKB informacionet e ardhura nga SHISH duhej t’i referonte në Prokurori, në rastin më të mirë edhe kur i ka referuar në prokurori, ka dekonspiruar këtë hetim, që të fillohej menjëherë një hetim pro aktiv. Pasi nëse nuk bëhej regjistrimi në prokurori, e nuk vazhdohet hetimi, duke përdoruar të gjitha mjetet gjurmuese për të dokumentuar veprimtarinë kriminale personat e implikuar në veprimtari kriminale i shpëtojnë përgjegjësisë kriminale, pasi provat e grumbulluara nga SHISH nuk kanë vlerën e provës, e organi procedues nuk mund t’i përdorë ato si prova për të çuar para drejtësisë personat përgjegjës. Ndodhur para këtij fakti Shërbimi Informativ duke parë mosreagimin e SHKB, ka humbur besimin tek ky shërbim e ka kërkuar bashkëpunim vetëm me prokurorinë. Edhe nëse vullneti i prokurorisë do ishte në maksimum është e pa mundur që të goditet aktiviteti kriminal në gjithë shtrirjen e tij, po do reduktohet me flagrancën që përsëri duhet mbështetja e strukturave të policisë apo SHKB. Ndaj funksionimi i policisë është katandisur në këtë gjendje sot e kësaj dite…
/Shijak TV/