Skandali/ Shteti fut në konflikt dy familje për pronën

Emisioni BOOM ka trajtuar një problem pronësie mes dy familjeve. Bëhet fjalë për shtetasin Petrit Bica, nga Fushë-Labinoti i Elbasanit. Ai tregon se ka një shtëpi të legalizuar dhe me certifikatë pronësie, po nuk bën dot rrethimin e shtëpisë, pasi komshiu i tij, një ish-kryetar komune i Fushë-Labinotit pretendon se toka është pronë e tij.

BOOM nuk merr përsipër ti japë të drejtë asnjërës nga palët, por mund të themi se vetë shteti, i ka futur në konflikt.

 

Petrit Bica: Në vitin 2013 nga fatkeqësia natyrore, shtëpia ime u bë e pabanueshme. U bë vlerësimi i dëmit, në fund nuk mora asnjë lekë. Nisa ndërtimin e shtëpisë së re pasi u konsultova me motra me vëllezër, dola në tokën e babait. U përballa me Osman Qosen se atëherë ishte dhe kryetar komune, nuk më linte të bëja shtëpinë në tokën e babait tim. Ai e ka deklaruar edhe në policinë ndërtimore, ky është në tokën e vet, po të largohet njëçikë. Ndërtimi mbaroi në fund të 2013. U futën letrat për legalizim. Në vitin 2015 më hapi gjyq.(Gjyqin e ka hapur i vëllai i denoncuesit Musa Bica, që i ka shitur tokën ish kryetarit të komunës) Pretendonte të shembej shtëpia. Zyra përmbarimore i tha vëllait tim, matja e parë thotë kap 60 metra katrorë, tjetra gjithë shtëpinë. Ne shtëpinë, i tha përmbaruesi do e shembim, por përgjegjësia rëndon mbi ty i tha, se s`ka bërë vaki që të përfshihet shtëpia 60 metra katrore tha dhe të rrijë pjesa tjetër. Vëllai im hoqi dorë kur përmbaruesi i tha po qe se shtëpia do shembet shpenzimet për dëmin do të ngarkohen ty. Letrën që ai hoqi dorë, ne e çuam tek Aluizni atëherë mora legalizimin unë. Kam leje legalizim dhe dokument hipotekor. Filluam të rregullojmë vendin për të bërë një rrethim. Aty del kryetari i komunës merr policinë, e cila erdhi dhe na ndaloi. Këtu çdo njeri që ka bërë shtëpinë e ka bërë dhe rrethimin.

Ish- kryetari i komunës deklaron se këtë toka ja ka blerë në vitin 2005 vëllait të denoncuesit dhe se ai gëzon edhe dokument hipotekor. Pra edhe hipoteka Elbasan ka lëshuar vërtetim edhe për ish kryetarin edhe për denoncuesin Petrit Bica.

Ish – kryetari i komunës Fushë -Labinot: E para atë e kam blerë unë që në 1995.

Denoncuesja: E ke blerë ti, po ke blerë tokën e Musa Bicës.

Ish- kryetari i komunës Fushë -Labinot: Unë s`jam marrë fare, me këtë është marrë Musa Bica që ka emrin e pronës. Ka përcaktuar tokën që thotë të lirosh 782 metra. Ti ke një vendim gjykate të formës së prerë në Durrës, këtu, dhe është vendosur të lirohet prona.

Gazetarja: Si e bëri legalizimin e kësaj banese shteti ?

Ish- kryetari i komunës Fushë -Labinot: Me legalizimin, pyet atje. Këtu ka një lejë ndërtimi dhe thotë mbi dy dynym e gjysmë është bërë ndërtimi i këtij objekti.

Gazetarja: Po kemi dhe shtetin shqiptar, i cili ka legalizuar një objekt tjetër?

Ish- kryetari i komunës Fushë -Labinot: Për mua e ka bërë gabim.

Gazetarja: Kjo pjesë është brenda 2500 metra apo është jashtë, se kjo duhet përcaktuar mirë?

Ish -kryetari i komunës Fushë -Labinot: Sido që të jetë ajo, unë e zotëroj para 15 -vjetësh. Gjyqin e ka bërë Musai dhe ai kërkon t`i lirohet prona. Se ç`kërkoj unë pas letrave që ka marrë Musai është punë tjetër kjo, është fazë tjetër. Shife, ja, pjesa me sipërfaqe ndërtesa tre kate, me bodrum nën çati, bar-restorant, banesë hotel, pasuria arrë ndodhet në zonën  kadastrale 2355, fshati Labinot-Fushë.

Gazetarja: Në çfarë viti e keni nxjerrë ju këtë, në 2006?

Ish- kryetari i komunës Fushë -Labinot: Në 2006.

LEXO EDHE  Aksident në Librazhd-Elbasan/ Plagosen çifti i mjekëve të njohur! Emrat (Foto)

Denoncuesja: Unë e kam bërë në 2018.

Gazetarja: Po pra pikërisht se këtë nuk po kuptoj. Hipoteka i lëshon certifikatë në 2018 këtyre zotërinjve?

Ish- kryetari i komunës Fushë -Labinot: Po e ka gabim moj.

Gazetarja: Mund të lëshohen, se ju keni qenë dhe në krye të komunës?

Ish – kryetari i komunës Fushë -Labinot: Po s`kam pas të bëj fare, jo, nuk lëshohet.

Gazetarja: Pse janë lëshuar pastaj?

Ish- kryetari i komunës Fushë -Labinot: Se di.

BOOM iu drejtuar edhe administratores së njësisë administrative Fushë -Labinot, e cila tha se e gjithë kjo zonë është e paazhornuar gjë që e ndërlikon akoma më shumë procesin.  Pa u bërë azhornimi kjo familje nuk aplikon dot për të marrë leje për rrethimin e shtëpisë.

Administratorja e njësisë administrative Fushë -Labinot: Është një problem i hershëm ndërmjet dy fqinjëve dhe në dijeninë time janë në proces gjyqësor dhe ka ardhur disa herë zyra përbarimore. Zonja ka ardhur me një leje legalizimi, i kam thënë duhet dhe nga hipoteka dhe deri sa hipoteka jep një vërtetim hipotekor provizor unë nuk kam tagër të ndërhyjë aty sepse zona nuk është e azhornuar. Nuk është në sistem, pra nuk del certifikata e pronësisë për tokën, për këtë fshat. Deri në momentin që është në proces gjyqësor dhe vërtetimi hipotekor është provizor unë nuk mund të shprehem për këtë pjesë. Ajo do bëj rrethimin dhe duhet leje ndërtimi për atë rrethim.

Gazetarja: Gjithë fshati i ka bërë me leje ndërtimi rrethimet, qofshin këto edhe shtëpi të palegalizuara fare?

Administratorja e njësisë administrative Fushë -Labinot: Po, tani me leje ndërtimi.

Gazetarja: Cila është rruga që duhet të ndjekin këta persona për të marrë zgjidhje?

Administratorja e njësisë administrative Fushë -Labinot: Duhet të bëj azhornimin e pjesës ku është, bëhet azhornim i përshpejtuar pranë hipotekës.

Përgjigja e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për rrethimin

Më 21.11.2018 subjekti Petrit Bica është pajisur me leje legalizimi. Fakti që subjekti është pajisur me leje legalizimi  për objektin në posedim të tij, nuk do të thotë se procedurat administrative nga Aluizni kanë përfunduar. Kjo për shkak se leja e legalizimit është miratuar pa marrëdhënie pronësie me parcelën ndërtimore, truallin.  Në këto kushte në bazë të vkm nr.1095 datë 28.12.2015 regjistrimi i lejes së legalizimit është kryer në një kartelë tjetër pasurie nga ajo e truallit , duke bërë shënimet përkatëse. Menjëherë pas hyrjes në fuqi të VKM që miraton kalimin e të drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore dhe kompensimin e pronarëve do të mund të kryhet regjistrimi i pronësisë mbi parcelën ndërtimore në posedim të subjektit Bica, pas shlyerjes së detyrimeve financiare për pagesën e vlerës së parcelës ndërtimore.

Sa i takon kërkesës së subjektit mbi mënyrën se si duhet të veproj për të realizuar rrethimin e banesës, informojmë se pasi t`i njihet pronësia mbi truallin dhe të kryhet regjistrimi i parcelës ndërtimore , i lind e drejta t`i drejtohet njësisë vendore  për t`u pajisur me leje ndërtimore ose provizore.

Pezullimi i procedurave të legalizmit nga Aluizni Elbasan

Disa ditë pasi Boom bëri kërkesë në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës për pjesën e rrethimit të këtij objekti të legalizuar, drejtoria rajonale e Aluzinit Elbasan i dërgon familjes Bica urdhër për pezullimin e procedurave të legalizimit.

Ka cituar aty gjithë bazën ligjore, mes tyre dhe 2 vendimet e gjykatës që sipas këtij dokumenti janë administruar në 01.08.2017 në Aluzinin e Elbasanit.

Është shprehur gjykata në 2017, këto dy vendimi janë depozituar në Aluiznin e Elbasanit. Më pas në 2018 ka dalë leja e legalizimit për familjen Bica. Ndërsa në 15 , prill pezullohet procedura e legalizimit, kjo pas dhënies së lejes së legalizimit.//OraNews