Nga Boldnews.al
Përdorimi i gazit lotsjellës mbi protestuesit ishte një gjetje emergjente e ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj. Në fillim i pelqeu ky “sport”, teksa shihte protestues të shtrirë përtokë dhe efektivë të Gardës dhe Policisë së Shtetit që e hidhnin lëndën helmuese e trullosëse pa masë.
Sytë e qytetarëve u skuqën, lotët rrodhën mjaftueshëm, fryma iu mor për disa minuta, por sërish kjo nuk po sjell tërheqjen e tyre, pavarësisht se Tirana mbulohet nga lënda që depërtoi deri në banesat e qytetarëve që nuk kishin asnjë lidhje me protestën.
Këtë helm, Lleshaj e përdori edhe kundër banorëve të Bregut të Lumit që po mbronin shtëpitë e tyre nga fadromat e bashkisë së kryeqytetit. Disa bomba brenda banesave dhe efekti ishte “brilant” në eksperimentin e rrezikshëm të një ministri, me përgatitje ushtarake. Banorët dolën të traumatizuar, me probleme serioze në frymëmarrje dhe gulçim deri në rrezik për të pësuar atak kardiak.
Gra, fëmijë e të moshuar ranë nën këmbët e punonjësve të policisë së rendit dhe bashkiakes së Lali Erit. Por ajo ngjarje e mëngjesit të 9 prillit, u sfumua nga grabitja e bujshme në mes të pistës, në barkun e avionit me 104 pasagjerë në bord. Ndërsa Lleshaj kishte dërguar specialet e tij kundër një grupi banorësh që mbronin banesat nga shkatërrimi i bashkisë së Tiranës, Rinasi ra në duart e pesë grabitësve.
Për ministrin kjo është një ngjarje që nuk cënon sigurinë dhe rendin Kushtetues, vetëm protestat e opozitës sjellin probleme…
“Përdoret në të gjithë botën”-justifikohej ministri pak ditë më parë për gazin lotsjellës, por duke e parë botën në sytë e tij gjithçka është e ndryshme. Në protokollet policore ndërkombëtare (në vendet me demokraci të zhvilluar), që protestën e kanë mjet të fitur në shekuj, gazi lotsjellës përdoret në raste specifike:
-Nëse një grup personash përbëjnë rrezik serioz për forcat e rendit, atëherë trupa policore tërhiqet në një distancë të caktuar dhe hedh gazin lotsjellës mbi turmën e vogël agresive. Distanca duhet të jetë mjaftueshëm e larguar nga pjesa tjetër më pak e dhunshme, apo edhe pjesmarrëse.
Gjithashtu përcaktohet edhe intervali kohor. Sasia kurrsesi nuk mund të jetë mbi masën e lejuar, aq sa të kthehet në problem shëndetësor për protestuesit. Ajo përdoret për të shpërndarë në moment një grupim të dhunshëm, sa tu japë mundësi efektivëve policorë që të riotganizohen, apo tërheqin nga zona e rrezikut kolegët e tyre.
A ka ndodhur kjo me rastin e protestave në Tiranë? Është shkelur çdo standart jo vetëm ndërkombëtar por edhe i policisë sonë. Sasia e gazit është hedhur në mes të protestuesve, shumica paqësorë dhe nuk kanë shpëtuar pa u prekur as gazetarë dhe qytetarë që kalojnë rastësisht pranë protestës. Ministri dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit po e teprojnë në përdorimin e mjeteve të dhunës, ku futet edhe gazi lotsjellës, që më shumë se lot po derdh përtokë qytetarët.
Gazi që po përdor policia, me urdhër të pashkruar të ministrit Lleshaj, nuk po i largon njerëzit nga protesta, nuk po i tremb ajo trullojse e madhe. Përkundrazi, protestuesit kanë një motiv më shumë për të treguar edhe më të dhunshëm ndaj qeverisë dhe si pasojë edhe ndaj efektivëve të policisë, të cilët tashmë duhet të maten mirë para se me gazin lotsjellës të nxisin zemërimin e madh.
Për të mbrojtur jo rendin kushtetues, por kryeministrin e tij, Sandër Lleshaj po bëhet protagonist i së keqes. Përdor çdo formë për të mbytur një revoltë, protestë apo miting. Deri më tani ka gjetur dy mënyra: përdorim në masë të gazit lotsjellës; dhe arrestime të dhunshme dhe terror pas protestës. Protesta e 13 prillit ishte edhe më e madhe dhe e vendosur se çdo herë tjetër dhe kjo i ka lënë të kuptojë gjeneralit se në armatën e armatimeve duhet të nxjerrë një tjetër bombë, sprite, apo mjet shpërthyes që të traumatizojë qytetarët.
Mos ndoshta ka ndërmend të lëshojë bombat “strum” që përdoren nga RENEA kundër elementëve të rrezikshëm të krimit? Asgjë nuk është më çudi, për aq kohë sa protestuesit konsiderohen “element të rrezikshëm” për qeverinë, e cila po kërkon të mbahet në këmbë me çdo mjet dhune.