Dr. Ana Leka
Së fundmi u publikua një sondazh i kryer nga Organizata e Shoqërisë së Hapur Soros dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, në të cilën rezulton se 63% e shqiptarëve nuk besojnë në vetingun dhe reformën në drejtësi. Ky sondazh përbën lajm dhe meriton vëmendje të gjerë pasi tashmë dihet nga të gjithë që Fondacioni Soros është autori i reformës në drejtësi në Shqipëri.
Duke e krahasuar me raportin e bërë në prill të vitit 2016, në të cilin Soros promovoi rezultatet e nxjerra nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA) e cila shpalli se publiku i gjerë mbështet fuqimisht nevojën për një reformë në sistemin e drejtësisë e ku thuhej se 91 % e të intervistuarve ose e mbështesin “plotësisht” (64%) ose “deri diku” (27%) nevojën për një reformë të tillë, kthesa e papritur e Fondacionit Soros duket si një taktikë e mirëmenduar politike. Përse Organizata e Shoqërisë së Hapur e devijoi misionin e saj duke promovuar mosbesimin e shqiptarëve në reformën gjyqësore? Cila është loja që Soros po bën me drejtësinë shqiptare? Dhe, përse po injekton dyshimin tek opinioni publik?
Shifrën e 60% e hasëm pak kohë më parë kur kompania më serioze ndërkombëtare “Gallup” publikoi se Shqipëria ishte vendi i katërt në botë me shifrën më të lartë të njerëzve që duan të largohen nga vendi i tyre. Vetëm tri vende e kryesonin Shqipërinë, vende të Republikës afrikane si Sierra Leone, me 71%, Liberia me 66 % dhe Haiti me 63% e qytetarëve duan të largohen. Ky sondazh e njollosi Shqipërinë, ose më saktë damkosi qeverinë Shqiptare si shkaktare e këtij eksodi të paimagjinueshëm për një vend evropian i cili aspiron të anëtarësohet në BE.
A është manovra e Soros-it një kundërpërgjigje ndaj kësaj shuplake për qeverisë Rama duke injektuar qëllimisht dyshime tek reforma në drejtësi?
Ne kujtojmë përpjekjet e egzagjeruara dhe përtej çdo kompetence të çiftit të ish-amabasdorëve Lu dhe Vlahutin të cilët arritën edhe të kërcënonin deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nëse nuk e votonin ligjin e reformës në drejtësi. Kujtojmë edhe OJF pranë Fondacionit Soros që protestonin poshtë zyrave të Kuvendit. Kujtojmë përpjekjet për ndryshimin e vetë Kushtetutës së Shqipërisë sipas formatit të Soros. çfarë ndodhi tani? A mos vallë uzurpimi i plotë që Rama i ka bërë pushtetit të gjyqësorit është përmbushur dhe Soros kërkon një alibi? Apo është një paralajmërim për gjërat që priten të ndodhin më vonë?
Shqiptarët vërtetë besonin tek reforma në drejtësi, por skepticizmi sa ka ardhur e është rritur për shkak të dështimit të plotë të procesit të vetingut, përzgjedhjes dhe votimit të diskutueshëm të Prokurores së Përgjithshme, kalimi i vetingut nga disa prokurorë dhe gjyqtarë me pasuri të pajustifikueshme dhe mbi të gjitha me lidhje të afërta me figura të rëndësishme të PS. Shqiptarët e dinë që kur qeveria uzurpon drejtësinë është diktaturë, dhe kur një njeri i vetëm kontrollon qeverinë, parlamentin dhe gjyqësorin ai është mbret. Ai është hartues i ligjit, ekzekutues i ligjit, dhe vendosës i drejtësisë. Njësoj si Luigji i XIV, të cilin kur e pyetën se çfarë ishte shteti dhe ligji ai u përgjigj: Shteti? Unë jam shteti. Unë jam ligji. Dhe kur mendojmë se Edi Rama është kryeministër, ministër i punëve të jashtme, kreu i një parlamenti pa opozitë, dhe arkitekti i organeve të drejtësisë mund të thuhet me plot bindje se ai sot është “mbret.”
Për tre vjet Shqipëria nuk ka Gjykatë Kushtetuese që mund t’i tërheqë veshin kryeministrit, partitë e opozitës i kanë braktisur mandatet e tyre në parlament, sistemi i drejtësisë është nën koordinimin e tij, ndaj mund të thuhet se Kryeministri Rama ka autoritetin suprem mbi tre degët e pushtetit: ekzekutivin, legjislativin dhe shumë shpejt, me përkrahje e Soros-it edhe gjyqësorin. Ndaj nuk është për t’u çuditur kur Shqipëria të deklarohet de jure një monarki, sepse de facto ajo tashmë e ka një mbret. Një mbret i cili tashmë e ka ndërtuar aristokracinë e tij: një grup njerëzish të cilët kontrollojnë burimet, fitimet, tenderat, në të gjitha sferat e vendit.
Por përse Soros-i po injekton dyshim pikërisht tani? Sepse Rama, mbreti me opinga apo atlete të bardha, është zënë ngushtë nga dosjet 339 dhe 184, për më tepër nga aksionet e vazhdueshme të opozitës të cilat pavarësisht arrogancës televizive të Ramës i kanë shkaktuar panik dhe mund ta rrëzojnë nga pushteti, ndaj një diversion i menjëhershëm kërkohej për ta ruajtur karrigen kryeministrore. Në këtë mënyrë Soros, pasi e përfundoi detyrën për një sistem të ri të drejtësisë sipas volisë së vet, lan duart dhe shkëputet gjoja me skepticizëm.
Me këtë rast, për të sfumuar skandalet e shumta dhe publike kryeministri Rama ose më saktë “mbreti” Rama po planifikon sakrificat e radhës nga fusha e drejtësisë, me shpresën për t’u dukur si hero. Për më tej, duke u marrë me këtë pikë të nxehtë siç është drejtësia, “mbreti” po ndërton opozitën e re nacionaliste me gazetarë të shquar shqiptarë për temat patriotike, elementë ekstremistë nacionalistë nga trojet shqiptare, politikanë shqiptarë të profilit rebelë, etj, duke transmetuar kështu edhe mesazhin e idesë së paqenë të Shqipërisë të Madhe, e cila duket se prek zemrën e shqiptarëve dhe e vesh “mbretin” me një petk fisnik, por që në të vërtetë shërben vetëm si mjet për ta mbajtur pak më gjatë në pushtet.
Dhe teksa i gjithë ky plan orkestrohet në korridoret e pushtetit të sotëm nën dirigjimin e Soros, 60% e shqiptarëve vazhdojnë përpjekjen e tyre për tu larguar nga ky vend. Edhe sikur shqiptari i fundit të largohej nga ky vend, mbreti i vendit të bragtisur do ndihej sërish i lumtur, i përmbushur dhe i adhuruar nga megallomania e vet.