Besnik Cani dhe Vatë Staka, KLP e baxhanakëve

Nga Boldnews.al

Boldnews.al” zbulon arsyen e vërtetë të debatit “parimor” ndërmjet Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku dhe një grupi prokurorësh, të drejtuar nga Sokol Malaj, gjatë Mbledhjes së Përgjithshme ku do të votohej për zgjedhjen e Vatë Stakaj si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).

Në mbledhjen e zhvilluar paraditen e së Enjtes, prokurori Malaj kërkoi nga Arta Marku që të mos zhvillohej votimi për një kandidat të vetëm për postin e lënë vakant në KLP, pas shkarkimit të Antoneta Sevdarit. Sipas tij, gara pa rivalitet dhe me një kandidat të vetëm nuk ka asnjë kuptim.

Arta Marku e refuzoi në mënyrë kategorike propozimin e 1/10 së prokurorëve, të përfaqësuar nga Malaj dhe urdhëroi vijimin e procesit të vijimit.

Përtej debatit “ligjor”, duket se Arta Marku ka qenë e vendosur për zgjedhjen e Vatë Stakës në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

“Boldnews.al” konsultoi disa të dhëna, në bazë të të cilave rezultoi se Vatë Staka është baxhanak me anëtarin tjetër të KLP, Besnik Cani, ish-këshilltari më i afërt i Arta Markut.

Bashkëshortet e Canit dhe Stakës janë kushërira të para, vajza tezesh, lidhje e fortë familjare kjo, aq sa nxit Arta Markun që të bëjë gjithçka për zgjedhjen e prokurorit të Shkodrës si anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Me Canin, dukshëm në krah të saj, si edhe tashmë me baxhanakun e tij, Vatë Staka, Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku hyn më e sigurt në garën për një mandat të plotë në krye të organit të Akuzës.

Vatë Staka ishte aplikanti i vetëm që iu përgjigj thirrjes së Kryeprokurores së Përkohshme për të plotësuar një vend vakant në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

LEXO EDHE  ‘Rama Ik! Erjon Braçe ...’/ Partizani-Tirana, nuk mungojnë thirrjet pikante ndaj rilindësve në derbi

Pas dorëzimit të kandidaturës së vetme, Arta Marku thirri Mbledhjen e Përgjithshme, e zhvilluar këtë të Enjte, në të cilën, të gjithë prokurorët e Republikës duhet të votonin vetëm një emër, pa alternativë zgjedhjeje.

Vendimi i Arta Markut shkaktoi debate në Mbledhje, por gjithësesi votimi vijoi. Në bazë të këtij zhvillimi, shumë shpejt, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të konsiderohet edhe si ‘Këshilli i baxhanakëve dhe kunetërve”.

Krahas lidhjes ndërmjet prokurorëve Cani e Staka, në KLP gjendet edhe një lidhje tjetër familjare me një zyrtare të lartë politike. Gent Ibrahimi, kryetar i Këshillit, njihet më së shumti si “kunati i Mimi Kodhelit”.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, struktura më e rëndësishme vendimmarëse për karrierën e prokurorëve, ka problematika të theksuara në pjesën më të madhe të anëtarëve të tij.

Dy drejtuesit e tij, Gent Ibrahimi dhe Alfred Balla nuk plotësojnë kriteret për të qenë anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, konstatim i paraqitur nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

Dy anëtarë të tjerë, Bujar Sheshi dhe Nurihan Seiti rezultojnë në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, sipas vendimeve përkatëse të Autoritetit të Dosjeve.

Tre anëtarë të tjerë, Besnik Cani, Arben Dollapaj dhe Gentian Osmani nuk kanë mbyllur ende llogaritë me Vetingun. Ndër këta, prokurori Osmani u identifikua edhe si ‘shërbëtor” i qeverisjes së Edi Ramës, gjatë hetimit të rastit të njohur “Babale”.

Tashmë, edhe anëtari i ri i pritshëm, Vatë Staka, i cili po hyn me “staturën” e baxhanakut të Besnik Canit, shënon një tjetër minus të madh në integritetin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili po përgatitet të zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm me mandat të plotë, si edhe anëtarët e Prokurorisë Speciale, SPAK.