Nga Boldnews.al
Një vendim i gjykatës së Tiranës, i cili nuk legjitimonte paratë e Donika Prelës, i publikuar ekskluzivisht në “Boldnews.al” i ka shërbyer Komisionerit Publik si një ndër elementët thelbësorë për të ankimuar vendimin e konfirmimit në detyrë të drejtueses së Krimeve të Rënda nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Thuajse në përfundim të afatit ligjor, Komisioneri Publik njoftoi zyrtarisht se kërkon shkarkimin nga detyra të prokurores Donika Prela, për shkak të problemeve serioze me pasurinë.
Komisioneri Publik, pavarësisht se nuk ka përmendur shkelje penale, gjetjet e tij të referojnë në një seri veprash penale të kryera nga Donika Prela, si “Fshehje dhe mosdeklarim i pasurisë”, “fshehje e të ardhurave” dhe “pastrim produktesh të veprës penale”.
Vetëdeklarimi i prokurores Prela për burime të ligjshme financiare për krijimin e pasurive të saj është mbështetur edhe nga KPK. Por, Komisioneri Publik, në ankimin e tij, ka konstatuar një seri problematikash, për të cilat shkalla e parë e Vetingut është treguar më shumë se ‘tolerant” me drejtuesen e Krimeve të Rënda.
Gjithçka nis tek të ardhurat e krijuara nga punësimi i bashkëshortit të prokurores, shtetasit Vangjel Prela. Pasuria e familjes Prela ka si bazë të krijimit të saj, kryesisht të ardhurat e Vangjelit.
KPK dhe vëzhguesi ndërkombëtar konstatuan disa problematika në burimin real të të ardhurave të Vangjel Prelës. Por, megjithëse këto struktura vunë në dyshim ligjshmërinë e burimit, në përfundim pranuan justifikimet e znj. Prela.
Sipas të dhënave, të bëra tashmë publike, Vangjel Prela ka punuar pranë “Bruci” shpk, në të cilën nuk ka paguar plotësisht detyrimet financiare në hapësira kohore, në periudhën 2007-2011. Pasi nisi procesi i Vetingut, pra rrethj 8 vjet më vonë, Vangjel Prela dorëzon në gjykatën e Tiranës një padi, ku kërkon nga ish-punëdhënësi i tij njohjen e pagesës së plotë.
Shqyrtimi gjyqësor për këtë padi nuk kishte përfunduar, në kohën kur KPK konfirmoi në detyrë Donika Prelën, në 5 shkurt 2019. Rreth një muaj më vonë, “Boldnews.al” siguroi në mënyrë ekskluzive vendimin e gjykatës së Tiranës, dt. 21 mars 2019, e cila e pushoi gjykimin, me argumentin se “padia nuk mund të ngrihej”.
Në një gjuhë më të thjeshtuar, padia e Vangjel Prelës ishte “fiktive” dhe, mesa duket, e dorëzuar vetëm për të shpëtuar bashkëshorten e tij nga telashet e Vetingut.
Komisioneri Publik, referuar vendimit të gjykatës, i cili i është vënë në dispozicion nga “një portal informativ” (“Boldnews.al”), ka krijuar bazën e tij për të vënë pikëpyetje thelbësore mbi burimin e pasurive të familjes Prela.
Komisioneri Publik ka konstatuar se Vangjel Prela ka qenë në dijeni të faktit që “Bruci” shpk i kalonte vetëm një pjesë të pagës në bankë që në kohën kur ata bashkëpunonin. Pra, padia e ngritur 8 vite më pas dukej si një “manovër” për të justifikuar ligjshmërinë e burimit.
Komisioneri, për më tepër, risjell në vëmendje faktin se “… në periudhën në fjalë, subjekti i rivlerësimit, Donika Prela, ka ushtruar detyrën e prokurores së seksionit Task Force, ku brenda juridiksionit të veprimeve proceduriale/hetimit të tyre, ishte edhe hetimi i veprave penale të sferës ekonomike”.
Nga ky moment, Komisioneri Publik ka ngritur dyshimin mbi “milionin e parë” të Donika Prelës, shumë, të cilën prokurorja e ka deklaruar se e ka përdorur si një pjesë të burimit financiar për blerjen e një apartamenti 96 m2 në Tiranë.
Sipas komisionerit, “rezulton se, subjekti dhe bashkëshorti i saj, nuk mbulojnë me të ardhura të ligjshme, pagesën e shumës prej 1,100,000 lekë deklaruar si e paguar në vitin 2007 me burim të ardhurat nga paga për një diferencë negative prej – 450,240 lekë”.
Komisioneri Publik vë në dyshim, gjithashtu, edhe marrëdhënien e huasë që Vangjel e Donika Prela kanë pasur me një të afërmin e tyre për shumën 15 mijë euro, të përdorur për blerjen e atij apartamenti.
“Komisioneri Publik konstaton se, si marrja edhe kthimi i kësaj huaje rezulton të jetë kryer jashtë sistemit bankar dhe subjekti i rivlerësimit nuk ka paraqitur asnjë dokumentacion justifikues ligjor për të vërtetuar marrjen dhe kthimin e saj”, përveç një deklarate noteriale të redaktuar shumë vite më vonë.
“Dokumentet e administruara, përfshirë edhe ato të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, nuk provojnë mundësinë e krijimit të të ardhurave nga burime të ligjshme të shtetasit XX, për të dhënë hua në shumën 15.000 euro”, theksohet më tej në vendimin e ankimit.
Nga analiza që ka kryer Komisioneri Publik, rezulton se “subjekti nuk mbulon me të ardhurat të ligjshme në kuptim të nenit D pika 3 e Aneksit të Kushtetutës, shpenzimet e vitit 2008 përfshirë dhe shlyerjen e deklaruar të huasë për vlerën – 405,697 lekë”.
Komisioneri Publik ka vënë një pikëpyetje edhe një procedurë fiktive “huaje 10 mijë USD” të kryer nga Vangjel Prela, me qëllim, sipas deklarimit të Donika Prelës, për marrjen e një vize amerikane.
“Në lidhje me aftësinë e shtetasit “YY” për huadhënie në masën 1.000.000 lekë, nga verifikimi i akteve në dosje, se për periudhën maj 2007 – dhjetor 2009 të ardhurat nga pagat pranë Autoritetit Portual Durrës, janë gjithsej në shumën 1.098.985 lekë. Komisioneri Publik vlerëson se dokumentet e administruara, nuk provojnë mundësinë e krijimit të të ardhurave nga burime të ligjshme të shtetasit YY, edhe për të dhënë huanë në shumën 1.000.000 lekë, e cila gjithashtu është dhënë dhe kthyer në cash”, thuhet më tej në ankim.
Komisioneri Publik ka vënë në pikëpyetje të madhe edhe mbi çmimin preferencial që ish-punëdhënësi i ka dhënë Vangjel Prelës një apartament.
“Nga verifikimi i akteve në dosje, rezulton se në kontratën e punës lidhur midis shoqërisë “*” sh.p.k dhe z. *.*, datë *.8.2010, nuk parashikohen kushtet e mësipërme të pretenduara nga ana e subjektit të rivlerësimit dhe provave të paraqitura gjatë procesit të rivlerësimit”, thotë Komisioneri.
Gjithashtu, Komisioneri konstaton se: “Nga aktet e administruara nuk provohet lidhja, shkaku ligjor dhe qëllimi i kryerjes së transaksionit nga bashkëshorti i subjektit të rivlerësimit pranë ZVRPP Durrës, në muajin prill të vitit 2013, periudhë në të cilën bashkëshorti i subjektit ka qënë i punësuar pranë Bashkisë Tiranë, ndërkohë që marrëdheniet e punësimit me shoqërinë “*” sh.p.k., ishin ndërprerë prej nëntorit të vitit 2011”.
Komisioneri Publik ka ngritur dyshime të forta edhe për një hua tjetër, në shumën 25 mijë USD, të lëvruar nëpërmjet llogarisë bankare të Vangjel Prelës. Sipas Komisionerit, lëvizjen e kësaj shume të madhe e ka raportuar Drejtoria e Pastrimit të Parave, ndërkohë që Donika Prela nuk e ka deklaruar në formularët e pasurisë.
Në analizën e tij për këtë moment, Komisioneri Publik ngre hije dyshimi mbi pronësinë e kësaj shume, e cila është deklaruar nga Vangjel Prela se është e një personi të tretë, familjari të tij.
Në përfundim të analizës së tij, të përmbledhur në 17 faqe ankim, Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkimin nga detyra të drejtueses së Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela.