Nga Boldnews.al
Nuk jemi në Rripin e Gazës në Bregun Perëndimor Izrael-Palestinë, por në Bregun e Lumit në Tiranë. Pamjet janë të njëjta, vendi ndryshon, reprezalja është e ngjashme, familjet dalin me dhunë nga banesa, shtëpitë rrafshohen nga fadromat e Lali Erit, ndërsa policia e “Gaz Lleshit” të mbyt në helm. Nuk mjaftohen vetëm me kaq, por tre qytetarë bëhen për spital, bllokohen edhe mediat të raportojnë nga vendi i ngjarjes.
Aksioni nisi që në orët e para të mëgjesit të sotëm. Qindra forca të policisë bashkiake dhe të rendit u mbështetën nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe në pak minuta nisi reprezalja, duke dhunuar tre qytetarë dhe hedhur gaz lotsjellës mbi një grup tjetër që u detyruan të largoheshin nga lënda helmuese.
Të paktën tre banorë kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore, 76-vjeçari Uzur Mandri, i cili ndodhet tashmë në sallën e operacionit, pas plagëve të marra në kokë dhe shtetasit Flora Mandri dhe Xhabir Boleci ndodhen në Spitalin Ushtarak.
Gra shtazëna, fëmijë të mitur, madje edhe foshnje u detyruan të thithnin gazin lotsjellës që u hodh në sasi të madh mbi banorët e zonës.
Shteti i vuri nën këmbë, më shumë se për të vijuar punimet në atë zonë, ishte sinjal i tregimit të forcës për të mposhtur çdo shenjë revolte të qytetarëve. Projekti famëkeq synon të shkatërrojë 50 shtëpi në këtë zonë dhe ata banorë nuk do të marrin asnjë dëmshpërblim. Sot gjenden në rrugë të madhe, nën dhunën policore, në arrogancën e pushtetit qendror dhe lokal dhe mbi të gjitha të pashpresë për të ngritur kokën.
Nuk kanë më as zë për tu ankuar, pasi shumë prej banorëve gra e fëmijë ndodhen nën terrorin psikologjik dhe problemeve fizike nga përdorimi i gazit lotsjellës dhe ushtrimit të dhunës nga strukturat e policisë.
Këtu u bënë të gjitha bashkë, Lali Eri, Edi Rama dhe Sandri i gazit. Nuk bëhet fjalë për një operacion rutinë, por është një formë për të treguar forcën. Është një mënyrë për të shuar revoltën qytetare, por bashkë me ata qytetarë ra nën këmbë edhe opozita. Ajo që duhet të jetë zëri qytetar në padrejtësi, sot ishte në gjumë e më pas ra në gjunjë, kur po e bën opozitarizmin nëpermjet rrjeteve sociale dhe një rutinë deklaratash nga disa ish-deputetë që rendin pas mikrofonave dhe pyesin: A ngjava bukur?
Opozita e Fejsbukut
Pamjet tronditëse dhe kriminale të ndodhura pak metra nga qendra e tiranës janë një tregues se shteti ka marrë fytyrën dhe përmasat e një bande halabakësh. Disa qindara policë zbarkuan në orët e para të mëngjesit për të nxjerrë nga shtëpitë e tyre dhjetra familje.
Operacioni policor në një vend ku vrasjet kërcënimet dhe kanabisi janë fenomen i përditshëm ngjan se po ndodh në Kabul dhe jo në tiranën e Tiranëve. Në shkelje të çdo norme universale të të drejtave të njeriut, Policia e “Ministër gazlotsjellësit” gjakosi dhunoi dhe la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e dhjetra fëmijëve duke na kujtuar edhe një herë se kukulla në duart e Edi Ramës është po aq gjakatar sa paraardhësi i tij në atë pozicion.
Me një malinjitet që trashëgohet nga sigurimi famëkeq i shtetit, policia ja kishte dalë të bënte një plan për ti kapur në befasi “diversantët” banorë fukarenj të bregut të Lumit.
Ndërsa kryeministri me siguri përgatit ndonjë video të Shqipërisë imagjinare europiane në televizionin unik privat të ndonjë drejtuesi qeverie në botë ERTV, Eunuku tjetër Erion Veliaj rri e sheh diku në një skutë të Bashkisë së Tiranës se si po u shemb ëndrrat dhe po u merr jetën atyre që katër vite më parë i dhanë votën duke besuar se ai ishte një nga ata.
Por ai është ku e ku larg nga nderi dhe dinjiteti i atyre fukarenjve të cilët edhe pse sot derdhën gjak nuk i mbrojtën dot shtëpitë e tyre.
Kjo ndodhi e ministrit gaz-helmues dhe drejtuesve të policisë së shtetit falanga të sigurimit famëkeq të shtetit, tregon edhe një herë se radha do u vijë të gjithëve. Çdokush që i zë rrugën hajnisë dhe babëzisë së dyshes Veliaj-Rama, papritur mund të përfundoj në burg pa shtëpi dhe pa të ardhme.
Kjo ndodhi e fshatit tonë që ka vënë në krye një kryeplak të marrë rrezikon të përsëritet sërish edhe te Astiri, edhe kudo tjetër ku ka zëra kundër dyshes kriminale shërbëtorë të oligarkëve.
Opozita….
Nga ana tjetër opozita e cila ka kryer një akt të rëndësishëm për të kthyer ligjshmërinë dhe demokracinë në vend, duket se është tulatur nga deklaratat e ambasadorëve të huaj në Tiranë.
Opozita shkoi sot te Bregu i Lumit dhe bëri deklarata denoncuese mbi atë që po ndodh. Por kjo nuk mjafton. Opozita sot duhet të hiqte dorë nga denoncimet t’i bënte thirrje qytetarëve të shkonin te Bregu i Lumit dhe ti ngrinte në hava ata policë që kanë bërë pis uniformën e policisë së shtetit dhe kanë përdhosur dinjitetin e Kushtetutës së Republikës.
Sot republika ra ka mbetur vetëm mosbindja civile. E vetmja gjë që i mbetet opozitës është të luftojë dhëmbë për dhëmbë me bandat. Nuk ka nevojë për statuse dhe deklarata para kamerave. Duhet kaluar në përballje. Shqipëria i ka burrat dhe gratë për tu përballur me kriminelët që vrasin ëndrra, gjakosin dhe damkosin të ardhmen e fëmijëve tanë.