Emigracioni i paligjshëm i qytetarëve shqiptarë drejt Holandës por edhe përdorja e këtij shteti si pikë tranziti për të udhëtuar më tej drejt Britanisë së Madhe solli në Tiranë Ministrin për Migracionin në Holandë, Mark Harbers.
Edhe pse foli për bashkëpunim të mirë në të gjitha nivelet me shtetin shqiptar, ai kërkoi masa më të forta nga Tirana zyrtare si me kontrollet në kufi ashtu edhe për ndërgjegjësimin e qytetarëve.
Ministri holandez tha se emigracioni i paligjshëm jo vetëm është një shqetësim i madh për shtetin e tij por nga ana tjetër është një rrezik i madh për qytetarët që ndërmarrin këtë veprim.
Dhe këtu ai solli në vëmendjen rastin e gjetjes së 18 emigrantëve në një kontejner shtatorin e kaluar, në kufijtë e vdekjes.
Mesazhi i tij për shqiptarët ishte i qartë: Harrrojeni Holandën dhe Britaninë përmes Holandës pasi gjithçka mund të merrni është një biletë kthimi drejt Shqipërisë së bashku me sanksionet për lëvizjen e lirë.
Deklaratat Harbers i bëri në konferencën e përbashkët për shtyp me zv.ministren e Brendshme Rovena Voda.
Mark Harbers: Tema kryesore e vizitës sime është emigracioni i paligjshëm nga Shqipëria dhe kalimi i paligjshëm nëpërmjet Holandës. Qëllimi im është të ndalojmë këtë emigracion të paligjshëm, duke punuar ngushtësisht me autoritetet shqiptare.
Për fat të mirë, bashkëpunimi ynë deri tani ka qenë i shkëlqyer në çdo nivel. Kjo edhe falë punës tepër aktive të Ambasadores suaj në Holandë por njëkohësisht edhe bashkëpunimit me autoritetet përkatëse shqiptare. Unë jam mirënjohës për këtë dhe dua të shpreh vlerësimin tim të sinqertë për të gjitha përpjekjet e bëra nga autoritetet shqiptare për të parandaluar emigracionin e paligjshëm drejt Bashkimit Europian, përfshirë këtu edhe Holandën. Për shembull, nëpërmjet kontrolleve më të forta kufitare, si brenda dhe jashtë vendit, duke rritur ndërgjegjësimin përmes kryerjes së fushatave të ndërgjegjësimit që targetojnë emigrantët potencialë.
Të rritësh ndërgjegjësimin e qytetarëve është jashtëzakonisht e rëndësishme, për shkak se emigracioni i paligjshëm ka pasoja të shumëfishta. Emigrantët e paligjshëm kanë rrezikun që të shfrytëzohen gjatë udhëtimit të tyre dhe të hasin në detyrime financiare për shkak të praktikave të trafikimit të qenieve njerëzore.
Për më tepër, rrethanat në të cilat emigrantët synojnë të kapërcejnë në mënyrë të paligjshme Kanalin nga porti i Rotterdamit drejt Mbretërisë së Bashkuar janë shpesh herë tejet denigruese dhe shumë të rrezikshme.
Shtatorin e kaluar, 18 emigrantë u nxorën për fat në kohë nga një kontejner frigoriferik i mbyllur në portin e Rotterdamit. Këta emigrantë kanë parë vetëm muret e brendshme të kontejnerit, dhe nuk e kishin idenë se ku ishin saktësisht. Fatmirësisht, shërbimi i urgjencës patën mundësinë ta gjurmonin vendndodhjen duke përdorur të dhëna GPS nga celulari. Sikundër në çdo port, me mijëra kontejnerë ngarkohen njëri mbi tjetrin në atë vendndodhje. Vetëm falë pajisjeve speciale dhe një doze të mirë fati, këta njerëz u nxorën në limitet e mundshme të kohës. Por është e thjeshtë për të imagjinuar se si kjo situatë mund të kishte qenë fatale.
Ne duhet të punojmë së bashku për të mbrojtur qytetarët shqiptarë për të mos bërë zgjedhje që shpesh të çojnë në këto rrethana çnjerëzore. Ose duke u kacavjerrë në aksin e një kamioni për kilometra të tëra, ose të shtypur në një pjesë të ngushtë pa ajrosje në fund të kamionit. Të dyja janë rrugë të pashpresa. Jetët e këtyre njerëzve janë në rrezik. Dhe ajo që e bën këtë observim edhe më të dhimbshme është fakti që gratë shtatzëna apo edhe fëmijët nuk bëjnë përjashtim nga kjo.
Kjo duhet të marrë fund. Falë bisedimit dhe mirëkuptimit që sapo patëm me zv.ministren, unë besoj që është detyra jonë, por posaçërisht e Shqipërisë që të ndalojë këtë, pasi kaq detyrim e kanë ndaj qytetarëve të vet. Prandaj, mesazhi im për qytetarët shqiptarë që planifikojnë të vijnë në Holandë është shumë i qartë.
Së pari, nuk ka asnjë shans për këta emigrantë për të fituar azil në Holandë. Edhe nëse dikush nuk kthehet në mënyrë vullnetare në Shqipëri, atëherë do të bëhet objekt i një rikthimi të detyruar, që përfshin edhe ndalimin administrativ.
Së dyti, për ata të cilët iu shkon në mendje që të kalojnë në mënyrë të paligjshme Kanalin nga Holanda për në Mbretërinë e Bashkuar, çdo përpjekje për të kaluar në mënyrë të paligjshme Kanalin ka vetëm një rezultat: në një biletë vetëm kthimi për në Shqipëri dhe një ndalim udhëtimi për dy vjet në gjithë zonën Shengen.
Një rikthim i shpejtë është pa dyshim i garantuar. Holanda dhe Shqipëria kanë një bashkëpunim të shkëlqyer për riatdhesimin/rikthimin. Megjithatë, numri i shqiptarëve të paligjshëm në portet detare holandeze, të cilët përpiqen të kalojnë ilegalisht për në Mbretërinë e Bashkuar, mbetet i lartë. Shqiptarët përbëjnë më shumë se gjysmën e emigrantëve, të cilët bëjnë përpjekje të tilla. Përpjekje të tilla janë të pashpresa. Natyrisht, të gjithë emigrantët janë kapur dhe arrestuar nga pjesa holandeze e Kanalit;
Dhe për ata pak që arrijnë të kalojnë në anën tjetër janë kolegët tanë britanikë janë në pritje nga ajo anë. Numri në rritje i arrestimeve është pjesërisht për shkak të masave ekstra që ka ndërmarrë Holanda. Prezenca dhe kontrollet e Xhandarmërisë Mbretërore Holandeze dhe Policisë portuale janë intensifikuar. E njëjta gjë vlen për mbikëqyrjen nga ana e policisë që merret me të huajt brenda dhe përqark ambienteve të portit.
Kontrolli i kufirit është i mbështetur nga përdorimi i qenve të emigracionit të cilët janë të trajnuar në mënyrë specifike, vënia në dispozicion e një helikopteri dhe sistemeve të kamerave. Gjithashtu policia ndërmerr kontrolle të veçanta mbi emigracionin e paligjshëm edhe në pjesën tokësore, duke përfshirë vend-parkime të njohura për përdorimin nga ana e klandestinëve që fshihen për të kapërcyer brenda apo fshehur poshtë kamionëve. Për ta bërë këtë, ne bashkëpunojmë ngushtësisht me kolegët tanë belgë dhe britanikë për të luftuar migracionin e paligjshëm dhe trafikimin e qenieve njerëzore.
Përveç numrit të lartë të emigrantëve të paligjshëm në portet tona, të cilët përpiqen që në mënyrë të paligjshme të kalojnë në Mbretërinë e Bashkuar si klandestinë të fshehur nëpër kamionë, numri i shtetasve shqiptarë që kanë aplikuar për azil në Holandë është rritur sërish vitin e kaluar.
Këto përkufizojnë zero shans për aplikimet për azil. Në vitin 2018 të gjitha aplikimet për azil nga shtetasit shqiptarë janë refuzuar. Sepse Shqipëria cilësohet si një vend i sigurtë. Varfëria apo mungesa e shpresës nuk përbëjnë arsye për azil.
Aplikimet për azil nga vendet e sigurta procedohen me prioritet, pas të cilit azil-kërkuesi kthehet shumë shpejt mbrapsht në vendin e tij të origjinës. Edhe në rastet e apelimit, e gjithë procedura mund të përfundojë brenda 8 javësh.
Dhe në mbyllje dua të theksoj faktin që do të bëjmë të gjithë përpjekjet tona për të evituar faktin që këta emigrantë të paligjshëm të përfundojnë në një situatë tejet çnjerëzore. Dhe së fundit dëshiroj të falënderoj zv.ministren Rovena Voda dhe pres me kënaqësi vazhdimin e bashkëpunimit tonë të shkëlqyer dypalësh.