Vetingu/ Dy seanca dëgjimore, KPK jep vendimin për kryegjyqtaren e Lezhës

Gjyqtarja Ornela Naqellari u përball me disa denoncime të reja pas rihapjes së hetimeve nga KPK, por ajo arriti t’i përgënjeshtrojë ato në seancë, duke nxjerrë edhe mangësi të hetimit nga Komisioni.

Loading...

Kryetarja e Gjykatës së Lezhës, Ornela Naqellari u përball të enjten me një seancë të dytë dëgjimore pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pas vendimit për rihapje të hetimeve për shkak të denoncimeve të reja të mbërritura në adresë të saj.

Denoncimet ishin për çështje që ajo kishte gjykuar apo kishte në gjykim dhe një denoncim shtesë nga kancelarja e Gjykatës së Lezhës, e cila po ashtu kishte bërë një sërë denoncimesh edhe në seancën e parë.

Por Naqellari qe në gjendje të rrëzonte denoncimet e kancelares, e cila e akuzonte se kishte qëndruar në hotele në pronësi të personve me të cilët kishte pasur çështje gjyqësore. Gjyqtarja argumentoi se në një prej rasteve nuk kishte qenë kurrë në ambientin e pretenduar, ndërsa në rastin tjetër solli prova se hoteli ku kishte kaluar pushimet me të fejuarin, nuk ishte në pronësi të personit me të cilin ajo kishte pasur çështje.

“Nxorra nga faqja online e Qendrës Kombëtare të Bizneseve se personi në fjalë nuk është as pronar, as ortak dhe as administrator i hotelit dhe se në emër të tij nuk ka asnjë biznes të kësaj natyre”, tha Naqellari, duke vënë në dukje edhe dobësi të hetimit të KPK që duhej ta kishte kryer këtë verifikim para se t’i kalonte asaj barrën e provës.

Naqellari po ashtu i shpjegoi gjykatës se për njërin prej denoncimeve, çështja ishte ende në gjykim prej saj dhe solli si provë praktikën e gjyqit, ndërsa për rastet e tjera ajo vuri në dispozicion vendimet që kishte marrë, duke shpjeguar se ndaj një pale që pretendohej se e kishte favorizuar, kishte marrë vendime kundër.

LEXO EDHE  Ambasada Amerikane jep lajmin e rëndësishëm/ Si mund të shkoni në USA pa shumë burokracira

Ajo po ashtu shpjegoi se kancelarja e Gjykatës së Lezhës ishte emëruar prej saj në krye të komisionit të prokurorimeve të kësaj gjykate dhe përndryshe nga sa pretendohej në denoncime, i kishte firmosur ato vendime dhe nuk kishte bërë asnjë ankesë.

Pas shpjegimeve të gjyqtares, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mori 15 minuta kohë dhe njoftoi vendim që e konfirmonte Naqellarin në detyrë, duke pranuar shpjegimet e saj.

Seanca e parë ndaj Naqellarit u zhvillua më 11 mars. Trupa gjykuese  e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Suela Zhegu dhe anëtare Brunilda Bekteshi, nuk gjeti probleme me pasuritë e gjyqtares Naqellari.  Sipas relatores Zhegu, deklarimet e saj përputhen sa i përket pjesës së saj takuese në tokat e familjes në Përmet, blerjes së bashku me të fejuarin të makinës së llojit “Skoda” si dhe të kursimeve me vlerë 250 mijë lekë.

Ndonëse deklarimeve të saj i mungonin detajet për vendbanimin, relatorja sqaroi se gjyqtarja Naqellari jetonte me qira në Tiranë.  Edhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe Inspektoriati i KLD-së kishin dorëzuar raporte pozitive për kryegjyqtaren e Lezhës.

Megjithatë edhe kjo seancë u fokusua në denoncimet ndaj saj. Nga 6 denoncime vetëm tre prej tyre u konsideruan se kishin indicie për diskutim. Naqellari ngjashëm me seancën e të enjtes përgënjeshtroi akuzat dhe dha argumentet e saj kundër tyre. Ajo shpjegoi arsyet e konfliktit me kancelaren dhe bëri me dije se kishte bërë kallëzim penal ndaj saj.

Ornela Naqellari e ka filluar karrierën në gjyqësor në vitin 2009, pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës. Ajo ka punuar si gjyqtare në Përmet dhe prej vitit 2016 e kryen funksionin e saj në Gjykatën e Lezhës.

/BIRN/

Loading...
Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here