Nga Boldnews.al
Në Partinë Demokratike dhe gjithë opozitën, kur përmendet ajo, ka një stepje, shumë mundohen të shmangin qëndrimet mbi të, mbiemri rëndon shumë… Por Rudina Hajdari, vajza e deputetit demokrat Azem Hajdari, lideri i lëvizjes studentore kundër sistemit komunist, i vrarë në vitin 1998, po kapërcen çdo parashikim, se ishte aty një emër më shumë në listat e deputetëve të Partisë Demokratike.
Ka vendosur të mos djegë mandatin e deputetes, duke dalë haptas kundër vendimit të partisë, por pas këtij gjesti fshihet diçka më e madhe. A është ajo e dërguara e ndërkombëtarëve që po e përgatisin për ta katapultuar si drejtuese e partisë më të madhe opozitare?
Mjafton që të lexohet fjalimi i saj sot në Parlament. Ndahen dy botë. Brenda sallës duket se gjithçka është në normalitet, por jashtë mureve të trasha të Parlamentit, ka kaos e tension mes protestuesve të opozitës dhe policisë që shtrëngon radhët për të mos lejuar demonstruesit të futen në sallën e kuvendimit.
“Dorëzimi i mandateve në bllok për të shpejtuar një kalim të pushtetit është përshkallëzim ekstrem i sjelljes politike të këtyre 28 viteve. Ripërsëritja e krizave të brendshme në prag të vendimit për çeljen e negociatave na ekspozon në mënyrë të rrezikshme ndaj influencave të tjera. Nuk duhet vendi të shihet faktor destabilizues në Ballkan, por të ndërtojë ura zhvillimi me vendet e rajonit për të garantuar ecurinë drejt rrugës euroaltantike. Të mos lejojmë që të bëhemi shembull i rrezikshëm në sytë e botës”-deklaroi Hajdari.
Është një fjalim dhe qëndrim thuajse tërësisht i ngjashëm me çdo qëndrim të disa zyrtarucëve të Bashkimit Europian, apo të ambasadave të huaja të Shqipëri, që bëjnë protagonizmin më shumë se ndaj politikës, mbi shpinën qytetare që kanë 28-vjet që durojnë ndërkombëtarë që ikin e vijnë dhe mbajnë në këmbë një kastë politikanësh për hir të stabilokracisë së presupozuar dhe jo demokracisë.
Edhe vetë kryeministri Edi Rama nuk do ta hartonte kaq “bukur” këtë qëndrim të Rudinës. Tashmë i zënë ngushtë nën trysninë e protestave, që nuk janë vetëm të “militantëve opozitarë” por mbi të gjitha reagim qytetar, Rama po e sheh si shpëtimin e momentit vajzën e emblemës së PD-së. Është “magjistarja” që mund të krijojë perceptimin se opozita e vërtetë është ajo që vjen nga geni familjar, i së djathtës së vërtetë.
Por Rudina Hajdari, me dëshirën e saj po punon përtej së dukshmes. Flet për stabilitet në një vend në anormalitet, me një qeveri të dehur nga duhma e kanabisit që trullosi edhe Europën, po flitet për normalitet dhe “parime Kushtetuese” në një vend që mungojnë liritë dhe të drejtat themelore të individit.
“Unë ashtu si çdo deputet që është këtu, jam përgjegjese para zgjedhësve të mi, që më kanë votuar, por edhe atyre që nuk më kanë votuar. Një ditë do të gjykohem për rezultate, ose jo, asnjë nuk e gjykon dot vendimin tim, unë do të bëj hapa të sigurtë drejt parimeve të mia, larg politikës së vjetër”-deklaroi Hajdari. Ndërsa ishte në Parlament, bashkë me kolëgët deri një muaj më parë, ajo ishte “politikë e re”… Sot, flet se asaj politike të vjetër i ka ikur koha, ndoshta duke paralëjmëruar një lloj Rilindje edhe në PD.
“Do vij me propozime konkrete. Arsyeja pse jam në politikë dhe qëndrova në Kuvend është se dua të sjell frymë të re parlamentare që do t’i japë fund njëherë e përgjithmonë tranzicionit në vend”-shtoi Ajo. Padyshim që Rudina Hajdari nuk është e vetme në këtë inciativë, fijet lëvizin nga lart dhe shumë larg. Gjithnjë është akuzuar kryeministri Edi Rama se është pjesë e skutave të politikës së errët të Soros, por nuk është i vetmi që “emërohet” nga lozha që bën pazare në vende të vogla dhe pa shenja demokracie, siç është Shqipëria.