Shenjat e ardhjes së Imam Mehdiut dhe të Mesihut të Premtuar janë përmendur qartë edhe në Kuranin Famëlartë. Këto dhe shpjegimin e tyre do të paraqesim në fjalë të Themeluesit të Xhematit Musliman Ahmedia, Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.
Themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia, Mesihu i Premtuar a.s., duke komentuar suren Et-Tekuir, thotë:
“Dhe kur devetë, me barrë dhjetëmuajshe, do të braktisen” (El-Takvir 81:5)
“Ndër shenjat e kohës së dexhalit janë … kur shkenca dhe teknologjia do të përparojnë. Disa shpikje dhe kryevepra janë përmendur si shembuj në këtë sure. Ato janë … “ue idhel isharu ut-tilet”(Et-Tekuir 81:5), kur devetë do dalin jashtë përdorimit sepse ato nuk do të kenë asnjë vlerë. Në arabisht fjala “ishar” përdoret për devetë me barrë, të cilat arabët i vlerësonin shumë.
Është shumë e qartë se ky ajet nuk ka asnjë lidhje me Kiametin, sepse koha e Kiametit nuk është ajo kohë kur mashkulli i devesë mbars devenë, por ajeti shënjon shpikjen e trenit. Kurani flet veçanërisht për devetë me barrë për të treguar lidhjen e fortë të kësaj shenje me këtë botë, e jo me ditën e kiametit.”
(Ruhani Khazain, vol. 6, “Shehadetul Kuran”, f. 318 Rabwah, Pakistan, 2008, botimi i parë: 1893)
“Edhe Profeti Muhammeds.a.v.s., duke shpjeguar kohën e ardhjes së Mesihut të Premtuar, thotë: që do të thotë, në kohën e Mesihut të Premtuar njerëzit nuk do të udhëtojnë më me deve.
(“Sahih Muslim”, Kitabul iman, bab nuzul Isa ibni Merjem)
Pra, asnjeri nuk do të udhëtojë me deve, që do të thotë se do të shpikej një mjet tjetër transporti, si treni. Pse është përmendur deveja? Kjo sepse pikërisht ajo ishte mjeti kryesor i arabëve për transport, me të cilin ata udhëtonin duke marrë edhe plaçkat e shtëpive të tyre të vogla. Dihet, nëse përmendët një kafshë e madhe bartëse si deveja, kafshët e tjera bartëse vetë nënkuptohen.Shkurt, paralajmërohet se do të shpiken mjetet e tilla të transportit, të cilat do të zëvendësojnë edhe devetë… A mund të ketë shenjë më të qartë se kjo! Ajeti i Kuranit flet për ditët e vona duke thënë: “kur devetë të braktisen”, dhe kjo tregon shumë qartë shpikjen e trenit. Pra, si ajeti i Kuranit ashtu edhe hadithi i Profetit Muhammed s.a.v.s. paralajmërojnë për të njëjtën kohë. Në hadith, nga që kjo shenjë është përmendur në lidhje me ardhjen e Mesihut të Premtuar, atëherë duhet ta kuptojmë se edhe ajeti flet për shenjat e ardhjes së Mesihut të Premtuar.”
(Ruhani Khazain, vol. 6, “Shehadetul Kuran”, f. 308-309, Rabwah, Pakistan, 2008, botimi i parë: 1893)
“Zoti e dinte shumë mirë se paralajmërimi i revolucionit madhor përmes devesë do të ndikonte shumë në zemrat e arabëve dhe se tek ata, nuk do të kishte aq vlerë ndonjë paralajmërim tjetër sesa ky. Për këtë arsye kjo profeci është përmendur në Kuranin Famëlartë, përmbushja e së cilës duhet t’i bënte besimtarët që të brohorisnin me gëzim, se Kurani i Madhërishëm paralajmëroi për kohën e fundit, kohë e cila është e Mesihut të Premtuar, e jaxhuxhit dhe e maxhuxhit dhe e dexhalit. Deveja, shoqëruesja e vjetër e arabëve, me të cilën ata udhëtonin nga Meka në Medinë dhe gjer në Siri shkonin për tregti, do të ndahet nga ata përgjithmonë. Subhanallah! (lavdi Zotit) Çfarë profecie e qartë është kjo! Më do zemra që të hedh parulla nga gëzimi, sepse kjo është një shenjë shumë e madhe se Kurani Famëlartë, Libri ynë i dashur, është nga Zoti. Një shenjë kaq e hapur nuk përmendet as në Tevrat, as në Ungjill dhe as në ndonjë libër tjetër të botës.”
(Ruhani Khazain, vol. 17, “Tohfa golarvia” f. 196-197, Rabwah, Pakistan, 2008, botimi i parë: shtator 1902)
“Dhe kur njerëzit do të bashkohen” (El-Takvir 81:8)
“Profecia e bashkimit të njerëzve është përmbushur në shumë aspekte. Në një aspekt ky bashkim shpjegohet me shumë shembuj, si telegrafi, i cili u vjen në ndihmë njerëzve në kohë të vështira. Ai sjell lajme nga njerëz të dashur dhe nga vendet e largëta. Madje ndodh që lajmi vjen te kërkuesi, para se të lëvizë ai nga vendi i tij, duke iu mundësuar atyre të komunikojnë, sikur ata takohen me njëri-tjetrin, pa pasur ndonjë pengesë prej tyre.
Bashkimi i njerëzve në një tjetër aspekt tregohet se rrugët tokësore dhe detare do të bëhen pa frikë dhe vështirësitë e udhëtimit do të zhduken, në mënyrë që njerëzit të udhëtojnë pa asnjë frikë nga një shtet në një shtet tjetër. Pa dyshim, në kohën tonë shtetet e ndryshme kanë lidhje të forta me njëra-tjetrën dhe njerëzit njohin njëri-tjetrin më shumë se përpara, sikur ata të takoheshin çdo ditë. Allahu i Madhërishëm bëri që njerëzit e një vendi të takohen me njerëzit e një vendi tjetër, tregtarët ose ata që kanë zanate të ndryshme kanë krijuar lidhje me zanatçinjtë e vendeve të tjera. Ata bashkërisht përpiqen të fitojnë sa më shumë duke pësuar sa më pak humbje. Ata janë bërë bashkëveprimtarë për të gjetur çdo gjë të mirë, gëzimi, ushqimi dhe lehtësie. Gjithçka eksportohet ose importohet nga një vend në një tjetër. Pra, shihni sesi Allahu i Madhërishëm i bashkoi njerëzit, ashtu sikur ata të jenë udhëtar të një varke.
Bashkimi i njerëzve në një aspekt tjetër u realizua nga mjetet e transportit, qofshin tokësore qofshin detare. Edhe kështu njerëzit takohen dhe bashkohen me njeri-tjetrin. Një tjetër shkak i bashkimit të njerëzve u bë edhe posta. Në kohën tonë, mjetet e postës janë përmirësuar ndjeshëm duke bërë të mundshëm dërgimin e letrave deri në skajet e botës. Me siguri do të habiteni nëse do të mendoni pak për dendësinë e dërgimit të letrave në të gjithë botën, shembullin e të cilit nuk mund ta gjeni në kaluarën. Gjithashtu, do t’ju çudisë edhe shtimi i udhëtarëve dhe tregtarëve. Pra, të gjitha këto janë mjete për t’i bashkuar njerëzit dhe shembullin e tyre nuk mund ta gjeni dot në kohët e mëparshme. Unë ju ftoj që për hir të Zotit të mendoni pak, a keni dëshmuar këto gjëra më përpara? A keni lexuar gjëra të tilla në libra të tjerë të mëparshëm?
Ajeti që paralajmëron për publikimin e librave tregon për shtypin. Vetë dëshmoni sesi Zoti ka krijuar një popull që shpiku mjetet e shtypit. Shihni se sa shumë shtypshkronja janë hapur në Indi dhe në vende të tjera! Kjo është punë e Zotit. Ai na ndihmon ne për ta përhapur fenë tonë, librat tanë dhe këshillat tona në çdo popull, në mënyrë që njerëzit t’u vënë veshin dhe të udhëzohen … Ajeti “Dhe kur do të grumbullohen egërsirat” tregon se do të shtohen injorantët dhe mëkatarët, besimi dhe frika (takua) ndaj Zotit thuajse do të zhduken. Me sytë tuaj dëshmoni sesi pusi i mirësisë është shterrur dhe shumica e njerëzve vrapojnë pas së keqes, duke u treguar mendjelehtë për fenë, kur shikojnë diçka të keqe, e përvetësojnë, por kur shikojnë diçka të mirë, ia kthejnë shpinën. Ata i shikojnë me dashuri gjërat që kanë shpikur mosbesimtarët, ndërsa krijimtarive të Zotit ua kthejnë shpinën.”
(Ruhani Khazain, vol. 5, “Aina kamalat-e-Islam” f. 470-474, Rabwah, Pakistan, 2008, botimi i parë: 1893)
“Për sa i përket ajetit “Dhe kur lumenjtë do të çahen” (Et-Tekuir 81:7), edhe këtë mund ta dëshmoni vetë sesi Allahu ka krijuar një popull që çau lumenjtë duke nxjerrë kanalet prej tyre. Ata vazhdojnë të bëjnë kështu dhe mësojnë edhe gjërat më të imta të kësaj fushe. Ata kanë sjellë lumenjtë përmes kanaleve deri në vendet e pabanuara, në mënyrë që t’i përbanojnë ato dhe të largojnë thatësira. Ata po bëjnë kështu për të përfituar sa më shumë nga toka.”
(Ruhani Khazain, vol. 5, “Aina kamalat-e-Islam” f. 469-470, Rabwah, Pakistan, 2008, botimi i parë: 1893)
“Ka mundësi që ndër këto ajete, disa mund të kenë lidhje edhe me ditën e kiametit, por lidhja e tyre e parë është me këtë botë, sepse këto janë shenjat e ditëve të vona. Kur bota do të ketë marrë fund, atëherë çfarë shenjash mund të quhen këto! Ndoshta në mesin e myslimanëve mund të ketë edhe të pamend të tillë, të cilët duke mos kuptuar këtë sekret, këto profeci mendojnë se janë për botën e pastajme, ndërsa ato me përmbushjen e tyre në këtë botë, do të duhej t’ua forconin besimin. Të gjitha këto profeci, edhe në librat e mëparshëm, janë quajtur shenjat e kohës së Mesihut të Premtuar. Lexoni (Dhjatën e Vjetër) Danieli, kapitulli 12.”
(“Tohfa golarvia” f. 90, fusnotë, botimi i parë: shtator 1902)
“Kjo epokë është e tillë që Allahu i Madhërishëm ka krijuar mjetet që e kthejnë botën në një qytet dhe kështu përmbushet profecia e Kuranit që thotë: “Dhe kur njerëzit do të bashkohen”. Tani, të gjitha fetë kanë dalë në fushë beteje dhe duhet që ato të përballen me njëra-tjetrën. Por, vetëm një do të jetë e vërtetë që do të triumfojë së fundmi.”
(Gazeta El-Hakem, 31 tetor, 1902, f. 1
“Çdo kulm ka një rënie dhe çdo zhvillim ka një prapësi. Siç e shihni edhe furtuna ndalet kur arrin malet e larta, gjithashtu, nata zbardhet në fund. Kështu thotë edhe Allahu i Madhërishëm në Kuranin Famëlartë: “Për natën kur bie terri dhe për ditën kur nisë të zbardhë” (Et-Tekuir 81:18-19) d.m.th. “Ne japim dëshminë e natës kur arrin të përfundojë ajo dhe të ditës kur ajo fillon të marrë frymë”. Në këtë ajet është përmendur se agimi do të vijë medoemos kur nata e kalon kulmin e saj… Prandaj, edhe Allahu i Madhërishëm deshi që t’u japë besimtarëve edhe një herë epokën e përparimeve dhe t’u tregojë që ata kanë një Zot të Plotfuqishëm, që gjithashtu është Rrahman dhe Rrahim dhe Sundues i asaj dite kur të gjithëve do t’u jepen vlerësimet e veprave të tyre, ditën kur do të ringjallen të vdekurit.”
(Ruhani Khazain, vol. 18, “E’xhazul Mesih” f. 158-159 Rabwah, Pakistan, 2008, botimi i parë 20 shkurt, 1901)
“Përveç kësaj, janë përmendur edhe shenja të tjera të rënies shpirtërore, siç thotë: “Dhe kur dielli do të paloset” (Et-Tekuir 81:2) që do të thotë injoranca (shpirtërore), demoralizimi dhe një errësirë e paparë do ta pushtojnë botën. “Dhe kur yjet do të zbehen”(Et-Tekuir 81:3) që do të thotë se edhe drita e devotshmërisë së dijetarëve do të zbehët. “Dhe kur yjet do të rrëzohen”(El-Infitar 82:3) që do të thotë dijetarët e Zotit do të marrin fund. (Këto shenja nuk shpjegohen me kuptimin e drejtpërdrejtë) sepse nuk është e mundur që njerëzit të rrojnë në këtë botë edhe kur yjet rrëzohen përtokë. Duhet ta dini se edhe në Ungjill janë përmendur shenja të tilla për kohën e ardhjes së Mesihut të Premtuar duke thënë se ai do të vijë në kohën kur do të rrëzohen yjet dhe dielli e hëna do të pushojnë së ndriçuari. Një i mençur kurrsesi nuk i merr këto profeci me kuptimin fizik. Si është e mundur që edhe dielli të errësohet dhe yjet të bien përtokë dhe toka të mbetet e sigurt me njerëzit dhe pastaj të vijë Mesihu i Premtuar?!”
(Ruhani Khazain, vol. 6, “Shehadetul Kuran”, f. 318-319, Rabwah, Pakistan, 2008, botimi i parë: 1893)
“Vetëm në epokën time, në muajin e Ramazanit, ndodhën eklipset e diellit dhe të hënës; në epokën time, në përputhje me thëniet autentike të Profetit Muhammed s.a.v.s., të Kuranit të Shenjtë dhe të Librave më të hershëm, ra murtaja në të gjithë vendin, dhe vetëm në epokën time filluan të ekzistonin mënyra të reja transportimi të quajtura hekurudha dhe vetëm në epokën time, sipas profecive të mia, ndodhën tërmete të tmerrshme. A nuk është e vërtetë se nëse njeriu i frikësohet Zotit dhe e do Atë, ai nuk duhet të guxojë të më mohojë mua?! Shihni! Unë betohem për Zotin e Plotfuqishëm dhe ju them se janë shfaqur, po shfaqen dhe do të shfaqen mijëra shenja për të vendosur vërtetësinë time. Nëse ky do të ishte një plan i njeriut, ai kurrë nuk do të kishte pasur kaq shumë mbështetje dhe ndihmë.”
(Ruhani Khazain, vol. 22, Hakikatul Vahi)
E përktheu në shqip: Samad Ghori