Përmes një statusi në rrjetet sociale, Ermira Dine, pinjolle e një familjeje të persekutuar shqiptare, njofton të gjithë të njohurit dhe falënderon të gjithë ata që e kanë ndihmuar që të mund t’ia dalë mbanë në një gjyq të rrallë në Gjermani. Pasi kishte akuzuar ish- komandantin e Burgut të Qafë Barit, Edmond Caja, për të kaluarën e tij kriminale, ky i fundit, tashmë shtetas gjerman, kishte bërë kallëzim penal për “kallëzim të rremë” ndaj Ermira Dines, e cila po ashtu jeton në Gjermani. Ky kallëzim i ka përballur të dy shqiptarët në Gjykatën gjermane. Në një seancë të zhvilluar dje, shtetasi Caja ka pranuar të tërheqë akuzën ndaj Dines, e cila tanimë ishte e pajisur edhe me një material të bollshëm dhe me një listë të gjatë dëshmitarësh, të gatshëm të dëshmonin për të kaluarën e ish-komandantit të Qafë Barit. Ermira Dine e ka konsideruar këtë një fitore, një hap të parë drejt vënies në vend të drejtësisë. “Kjo luftë sapo ka filluar”, shkruan ajo.
HISTORIA E GJYQIT
Historia e përballjes mes dy shtetasve gjermanë me kombësi shqiptare nis vitin e shkuar. Ermira Dine, e cila rrjedh prej një familjeje të persekutuar, me një gjysh të pushkatuar në vitin 1944, e ndodhur në një vend të lirë e demokratik si Gjermania, guxoi të akuzojë Edmond Cajën për të shkuarën e tij gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Nuk vonoi që Caja, i cili prej fillimit të viteve ’90 ka ndërtuar jetën në shtetin gjerman e tanimë është një sipërmarrës i suksesshëm, të ngrejë padi ndaj bashkëkombëses së tij për kallëzim të rremë e prishje imazhi. E ndodhur në këtë situatë, Dine ka kërkuar ndihmën e institucioneve përkatëse, që mund ta ndihmonin me informacion rreth aktivitetit të shkuar të Cajës në Shqipëri. Ajo i është drejtuar Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë dhe Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKPK) në Shqipëri.
MBLEDHJA E INFORMACIONIT
Kreu i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Nebil Çika, ka bërë publik letërkëmbimin me zonjën Dine, përmes së cilit ajo e vinte në dijeni për situatën, në të cilën ndodhej dhe i kërkonte mbështetje përmes informacionesh.
“Edmond Caja me ka akuzu mu për kallzim të rremë, pasi unë para disa muajsh i dërgova një E-mail atje ku ai banon… Policia e ka marrë në pyetje dhe ai ka pranu, që ka qenë drejtor i burgut Qafa e Barit në 1985. Tashti duhet të provoj unë që ai ka keqtrajtuar njerëz…, përndryshe do të gjobitem unë. Më duhet një këshilltar… A kemi prova atje. Kur të kesh kohë… më bëj me dije… Kam bërë me dije zotin Simon Miraka. Procesi do të bëhet këtu. Na duhen dëshmues. Më duket se ka ardhë koha e Nürenbergu shqiptar. Këtu në Gjermani funksionon drejtësia. Jeni të lutur të na ndihmoni”, i shkruan ajo Çikës ndër të tjera, teksa shton se arsyeja që e shtyu të hidhte këtë hap ishin eshtrat e pagjetura të gjyshit të saj. “Nuk kam asnjë eksperiencë në këtë fushë, por gjyshi i pushkatuar, në nëntor 1944, akoma i pagjetur, më shtynë të hedh gurin e parë…”, shton ajo.
Nga ana e tij, Çika është treguar i gatshëm ta ndihmojë, madje të hedhë edhe idenë e një kundërakuze ndaj Cajës, nga ana e Dines, për krime ndaj njerëzimit.
“E nderuar zonjë! Duke ju falënderuar për reagimin dhe komunikimin me ne, ju garantoj mbështetjen e plotë timen dhe shoqatës që unë drejtoj në këtë përpjekje tuajën për të denoncuar autorët e krimeve të komunizmit në Shqipëri. Do të mbledhim e do t’ju përcjellim çdo provë e dëshmi që vërtetojnë autorësinë e krimeve kundër njerëzimit të akuzuesit tuaj. Por këmbëngul që duhet ju ta kallëzoni penalisht atë për krime kundër njerëzimit dhe ajo ai juve. Besoj se kjo është e mundur të paktën në Gjermani”, i shkruan Çika, duke iu bërë thirrje të gjithë të mbijetuarve të burgut të Qafë Barit për të vënë në dispozicion dëshmitë e tyre “për krimet e drejtorit kriminel Edmond Caja.
Ata të mbijetuar që ndodhen në Gjermani, mund të kontaktojnë me zonjën Dine dhe mundësisht t’i depozitojnë dëshmitë e tyre direkt në Policinë apo Prokurorinë gjermane”. Nga ana tjetër, Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKPK) në Shqipëri ka ndihmuar Ermira Dinen me një informacion të pasur rreth akuzuesit e mbi të gjitha, i ka vënë në dispozicion një listë të gjatë emrash, të gatshëm të dëshmojnë mbi aktivitetin e Edmond Cajes gjatë viteve që ai ushtronte detyrën e komandantit të Burgut të Qafë Barit.
Mes 43 emrave të gatshëm për të dëshmuar përballë Gjykatës gjermane, janë edhe emrat e shkrimtarit dhe poetit Visar Zhiti, Bedri Blloshmit, vëllait të poetit të pushkatuar Vilson Blloshmi etj. “Duke marrë shkas nga mediat shqiptare, që informuan padinë që ka bërë ndaj jush qytetari gjerman Edmond Caja, në lidhje me një ankesën tuaj ndaj Së kaluarës së Cajës, Instituti ynë ka bërë një verifikim të fakteve, që kanë të bëjnë me të vërtetën e kamp-burgut politik komunist të Qafë Barit, i njohur zyrtarisht si “Reparti 311”, si dhe rolin e ishqytetarit shqiptar, Edmond Caja, në kohën kur shërbente në aparatin shtypës të këtij burgu.
Nga hulumtimet tona rezulton se: Kamp-burgu politik i diktaturës së komunizmit u hap për herë të parë në vitin 1982 me 400 të burgosur politikë, që bënin një punë tepër të rëndë në minierat e këtij kampi. Kampi ka ekzistuar deri në vitin 1990. Nga dëshmitë e shumta të ish-të burgosurve politikë të Qafë Barit dhe dokumente të tjera, vërtetohet se me datën 24 maj 1984, në këtë kamp-burg, ka pasur një revoltë të të burgosurve, e cila u shtyp me dhunë ekstreme, me rrahje e gjymtime nga Toga e Policisë së Repartit 311, Qafë Bari, Pukë, togë e cila drejtohej nga komandanti Edmond Caja, i cili, sipas dëshmitarëve të shumtë okularë, ka marrë pjesë individualisht në tortura, madje, sipas dëshmitarit okular Hysen Haxhiu, Caja ka thyer dhe shtyllën kurrizore të të burgosurit Sandër Sokoli”, thuhet në informacionin zyrtar të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKPK) në Shqipëri, dërguar zonjës Ermira Dine. /Panorama.