Dyshime për korrupsion… Aksidenti me pasojë vdekjen, prokurori i Fierit nxjer fajtor viktimën

Një hetim i nisur dobët nga Policia, i vijuar mangët nga Prokuroria e Fierit dhe mbyllur në mënyrë të paplotë nga gjykata ka ngritur dyshimet për korrupsion në sistemin e drejtësisë tek familjarët e Pajtim Zotaj, i vdekur në një aksident rrugor në 19 Shtator 2018, në rrugën Aranitas-Ballsh.

Çfarë ka ndodhur?

Loading...

Sipas akteve të gjykatës së Fierit, rezulton se: Mëngjesin e datës 19 Shtator 2018, automjeti tip Opel i drejtuar nga Pajtim Zotaj dhe pasagjer Agim Zotaj, humb kontrollin gjatë një parakalimi dhe del nga rruga në aksin Aranitas-Ballsh. Për pasojë, nga ky aksident vdes drejtuesi Pajtim Zotaj dhe plagoset rëndë pasagjeri.

Në vendin e ngjarjes gjendet automjeti tip Benz, i shtetasit B.B., i cili shoqëronte disa nxënës për në shkollën e Ballshit. Shtetasi B.B. dhe një prej nxënësve, dëshmitari A. L., dalin nga mjeti tip Benz dhe shkojnë për t’u dhënë ndihmën të aksidentuarve. Shoferi i Benzit, B.B., merr të aksidentuarit Pajtim dhe Agim Zotaj për t’i dërguar në spital. Pajtimi nuk ia del dhe ndërron jetë, ndërsa kushëriri i tij, Agimi, shpëton, por me pasoja të rënda për shëndetin.

Menjëherë pas aksidentit, Policia Gjyqësore kqyr vendin e ngjarjes, kryen veprimet e para hetimore dhe urdhëron kryerjen e ekspertizës për automjetin e aksidentuar, Opel Zafira, të drejtuar nga viktima Pajtim Zotaj.

Prokurori i Fierit, Petrit Vukaj, në bazë të akteve të referuara nga Policia Gjyqësore, përfshirë edhe ekspertizën, në datë 14 Dhjetor 2018, kërkon nga gjykata e Fierit që të vendosë pushimin e çështjes. Prokurori Vukaj argumenton se, në bazë të aktit të ekspertimit, rezulton që aksidenti ka ardhur për fajt të viktimës.

Në bazë të kësaj kërkese, gjykata e Fierit vendos pushimin e çështjes, me vendimin nr. 270, dt. 28.02.2019.

Familjarët e Pajtim Zotaj janë shprehur kundër këtij vendimi dhe e kanë ankimuar në Gjykatën e Apelit të Vlorës. Sipas tyre, pretendime të cilat i mbështesin në fakte konkrete, aksidenti ka ardhur si pasojë e përplasjes ndërmjet mjeteve Opel të viktimës dhe Benz, të drejtuar nga shtetasi B.B.

Në ankimin drejtuar Gjykatës së Apelit, familjarët e Pajtimit ngrenë një seri dyshimesh për veprimet hetimore të Policisë Gjyqësore, të Prokurorisë së Fierit dhe vendimmarrje të gabuar të gjykatës.

Pikëpyetjet mbi Policinë Gjyqësore

Familjarët e Pajtim Zotaj deklarojnë se veprimet hetimore të kryera nga oficeri i Policisë Gjyqësore, Bujar Arapi janë jo vetëm të paplota, por me dyshime se janë të njëanshme. Nga aktet e dosjes hetimore rezulton se oficeri i Policisë Gjyqësore (OPGJ) nuk ka kqyrur plotësisht vendin e ngjarjes, për të dalë në një konkluzion më të qartë.

Të afërmit e viktimës deklarojnë se OPGJ, fillimisht, nuk ka kryer veprimet bazë të hetimit, përfshirë pyetjen e dëshmitarëve okularë, e të tjerë. Për këtë shkak, familjarët Zotaj i janë drejtuar Shërbimi të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) në Ministrinë e Brendshme. SHÇBA i drejton ankesën Policisë së Fierit në datë 27 Shtator 2018 dhe, vetëm pas këtij momenti, opgj Bujar Arapi nis të kryejë veprime hetimore.

Gjithësesi, edhe këto veprime rezultojnë të jenë të mangëta ose të vonuara në kohë. Duke i qëndruar versionit të përplasjes ndërmjet dy automjeteve, familjarët u ankuan pranë SHÇBA-së se oficeri i Policisë Gjyqësore nuk ka pyetur dëshmitarët në vendngjarje, pra fëmijët që ishin në automjetin Benz.

Pas ankesës, opgj Bujar Arapi pyet dëshmitarët. Por, sipas akteve, rezulton që ai ka pyetur të paktën 3 prej tyre në të njëjtën datë dhe në të njëjtën orë. Diçka e pamundur kjo gjë, pasi një person i vetëm nuk mund të pyesi tre njerëz njëkohësisht. Gjithashtu, ky veprim është edhe në shkelje të nenin 100 të Kodit të Procedurës Penale. Këtë shkelje, siç rezulton më tej, nuk e ka konsideruar as Prokuroria dhe as gjykata.

Gjithashtu, rezulton se, 3 ditë pas aksidentit, një prej familjarëve të viktimës, ka gjetur në vendin e ngjarjes pjesë feneri të një mjeti tip Benz dhe ia dërgon oficerit të Policisë Gjyqësore. Ky i fundit, në mënyrë të çuditshme, pranon që këtë objekt, të cilin nuk ia dinte as prejardhjen dhe as nuk mund të konfirmonte vendin ku është gjetur, t’ia nënshtrojë ekspertizës.

Ky veprim i oficerit të policisë dëshmon se ai, në mënyrë, indirekte, ka pranuar se nuk e ka kryer të plotë këqyrjen e vendit të ngjarjes. Pra ai, me dashje, ka shmangur ekspertizën mbi automjetin tip Benz, për të cilin familjarët e viktimës deklarojnë se e ka përplasur mjetin tip Opel të Pajtim Zotaj.

LEXO EDHE  U akuzua si mikeshë e Lulzim Bashës, deputetja holandeze: Nuk e njoh fare, nuk jam …

Gjithashtu, rezulton se, vetëm pas ndërhyrjes së familjarëve, Policia Gjyqësore ka urdhëruar ekspertimin e mjetit tip Benz rreth dy javë pas aksidentit. Nga kjo ekspertizë nuk rezultuan gjurmë të përplasjes. Por familjarët pretendojnë se koha nga aksidenti deri tek ekspertiza ka qenë e mjaftueshme që pjesët e dëmtuara të ndërroheshin.

Në përfundim të ekspertizës së mjeteve, eksperti i Policisë konkludoi se “mendoj që shkaku i aksidentit ka qenë lëvizja e gabuar e mjetit” të viktimës Pajtim Zotaj, për shkak të një parakalimi. Eksperti është i paqartë, pasi pretendon që nuk mund të kryejë ekspertizën e plotë të mjetit, nëse ai ka qenë në gjendje të rregullt teknike apo, për shkak se i ka përfunduar koha e kolaudimit.

Ndërkohë, familjarët deklarojnë se eksperti nuk i është referuar dokumentacionit të saktë. Sipas tyre, eksperti qëllimisht nuk i është referuar çertifikatës së rregullt të kontrollit teknik, SGS, dokument i cili është administruar më pas në dosjen hetimore.

Po nga ekspertiza, ka rezultuar se pjesa e fenerit të gjetur rreth 10 ditë më pas, është i një mjeti tip Benz me karakteristikat e makinës së dyshuar, por nuk është i tiji. Ky konkluzion ka arritur pas krahasimit me mjetin Benz, rreth dy javë pas aksidentit, ndërkohë që dyshimet e familjarëve janë që drejtuesi i tij, shtetasi B.B., i ka ndryshuar pjesët e dëmtuara

Pikëpyetjet mbi prokurorin

Prokurori i çështjes, Petrit Vukaj ka marrë në dorëzim aktet e Policisë Gjyqësore dhe, në bazë të këtyre, ka kërkuar pushimin e çështjes, duke konsideruar viktimën fajtor për aksidentin. Ai nuk ka pranuar kërkesat e familjarëve të Pajtim Zotaj për ri-ekspertim, si edhe për marrjen në konsideratë të deklarimeve të dëshmitarëve, që janë në kundër-thënie me njëri-tjetrin.

Dëshmitari A.L., i cili gjendej në vendin e parë të mjetit Benz, ka deklaruar para opgj se në momentin e ngjarjes “ai ka ndjerë një tronditje në makinë dhe më tej ka parë tym të bardhë dhe mjetin e Pajtimit që doli nga rruga”.  Ndërkohë, dëshmitarët e tjerë, nxënëset që ishin në pjesën e pasme të Benzit, nuk flasin për “tronditje të makinës”. Familjarët e viktimës i identifikojnë vajzat si të afërme të drejtuesit të mjetit Benz dhe, për këtë arsye, nuk tregojnë të vërtetën.

Gjithësesi, nga dosja hetimore rezulton se prokurori nuk i ka marrë në konsideratë këto kundërthënie mes dëshmitarëve. Madje, edhe kur ekspertiza e mjetit i është dorëzuar në të njëjtën ditë me deklarimet e dëshmitarit A.L., prokurori nuk e ka vlerësuar të arsyeshme që të kërkoj një ri-ekspertim.

Në bazë të praktikës hetimore, sidomos në rastet kur ka kundër-thënie mes dëshmitarëve, prokurori ka të drejtën që të kërkojë kryerjen e ri-ekspertimit, me ekspertë të pavarur. Por, në rastin konkret, prokurori Vukaj nuk e ka vlerësuar të tillë, duke shtuar dyshimet tek familjarët e viktimës se ai nuk ka qenë i interesuar për kryerjen e një hetimi të plotë.

Gjithashtu, prokurori nuk ka marrë në konsideratë disa dyshime të familjarëve të viktimës, për veprime korruptive të oficerit të Policisë Gjyqësore të çështjes. Familjarët e Pajtim Zotaj kanë deklaruar se mangësitë në kryerjen e hetimeve mund të jenë rezultat i parave në formë korrupsioni që drejtuesi i mjetit Benz i ka dhënë opgj-së.

Për të vërtetuar këtë pretendim, familjarët e Pajtimit, kanë kërkuar nga prokurori që të marrë tabulatet telefonike, për të konstatuar nëse ka pasur komunikime mes të dyshuarve. Prokurori, me shumë vonesë, pasi ka mbyllur hetimet, i ka dërguar shkresë kompanive celulare për marrjen e këtyre tabulateve.

Në bazë të Kodit të Procedurës Penale, çdo veprim hetimor i kryer pas mbylljes së hetimeve është nul. Pra, prokurori, megjithëse e ka ditur këtë parashikim ligjor, ka kërkuar tabulatet telefonike pasi kishte mbyllur hetimin, duke krijuar dyshimet se ky veprim procedurial është tërësisht fiktiv dhe nuk mund të përdorej në proces gjyqësor.

Pikëpyetjet mbi gjykatën

Në ankimin drejtuar Gjykatës së Apelit, familjarët e viktimës Pajtim Zotaj pretendojnë se gjykata e Fierit nuk i ka marrë në konsideratë problematikat e shumta të hetimit, të përmendura më lart.

Gjykata-sipas ankimit- e ka konsideruar të drejtë kërkesën e prokurorit, pavarësisht se ky i fundit është bazuar në një ekspertizë të paplotë, si edhe nuk ka vlerësuar si duhet kundërthëniet ndërmjet dëshmitarëve dhe dyshimet për veprime korruptive.

Familjarët e 28-vjeçarit që humbi jetën në aksident, shpresojnë që Gjykata e Apelit të vlerësojë faktet e tyre dhe të kërkojë nga Prokuroria e Fierit ri-hapjen e hetimit.

Loading...
Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here