Ditën e djeshme, gazetarja dhe blogerja britanike, Alice Elisabeth njoftoi se nuk do të mund të qëndronte më në Shqipëri, e kjo për shkak se nuk i kanë rinovuar lejen e qëndrimit.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Alice Elisabeth Taylor tha se dyshonte që anullimi i procedurave për leje qëndrimin e saj erdhi befas pas shkrimeve kritike si gazetare. Zyrtarët pohuan se po e verifikojnë rastin, por ende nuk kanë dhënë detaje.
Gazetarja britanike Alice Elizabeth Taylor thotë se qeveria shqiptare nuk i përtëriti lejen e qëndrimit në Shqipëri për shkak të punës së saj si gazetare. Ajo jeton në Shqipëri prej një viti e gjysmë, u fejua me një djalë vendas dhe pret të lindë një vajzë nga kjo lidhje. Por tani thotë se qeveria i anuloi rinovimin e lejes së qëndrimit për shkak të punës si gazetare.
“Unë dorëzova gjithë dokumentat sipas procedurës së ligjshme. Ata më thanë se janë në rregull, se kishin gjithçka që duhej dhe se gjithçka ishte shkëlqyer. Bëra edhe pagesën, që ishte hapi i fundit i procesit. Ata më thanë se gjithçka është OK, dhe se mund të shkoja pas dy javësh të merrja dokumentat. Nuk shoh arsye pse një procedurë standarte me vazhdim të rregullt të prapsohet me një urdhër nga lart pak ditë më pas. Procedura e leje qëndrimit tim u anullua nga një zyrtar më i lartë se ai i zyrës së emigrimit”, tha gazetarja Taylor.
Por çfarë shkroi Alisa Tejlër në shkrimet e saj?
“Unë shkrova për lidhjet korruptive që dolën në përgjimet e publikura nga “Zëri i Amerikës” me telefonata gjatë zgjedhjeve të kaluara. Shkrova për protestat e opozitës dhe për tenderat e dyshimta, shkrova për dëmtimet e mjedisit, – tha gazetarja Taylor.
Alice thotë se ka raportuar vetëm fakte, jo komente, por pas kësaj ajo dhe familja e saj u goditën me gënjeshtra nga disa portale që mbështesin qeverinë. Kjo përkoi me kohën kur aplikoi për të përtëritur lejen e qëndrimit. Nuk ishte aspak e lehtë të shkonte nëpër zyra, sepse është shtatzanë dhe për 3 muaj ishte shumë sëmurë. Por zyrtarët i thanë se nuk kishte problem, se mjaftonte një certifikatë mjekësore.
“Kam zgjedhur të jetoj këtu, kam familjen dhe fëmijën tim këtu. Kam bërë qindra shkrime pozitive ër Shqipërinë, por kam po ashtu të drejtën të kritikoj; unë kritikoj sepse dua më të mirën për vajzën time, familjen dhe miqtë e mi dhe nuk mendoj se problemet mund të zgjidhen duke i lënë ato mënjanë – tha gazetarja Taylor.
Alice ka bërë shumë shkrime për të promovuar Shqipërinë dhe turizmin këtu. Ajo organizon komunitetet e banorëve të pastrojnë zonat turistike dhe bashkë me ta ka hequr tonelata plehra nga plazhet. Por këtyre detyrave qytetare, ajo thotë se e ndjen detyrë si gazetare që të shkruajë për gjërat që nuk janë të padrejta, si kanioni i Holtës dhe hidrocentrale të tjera që po dëmtojnë lumenjtë.
Ajo qëndron tani në Shqipëri në mënyrë të paligjshme dhe duhet të largohet, për t’ia nisur gjithë aplikimeve nga fillimi në zyrën e emigracionit. Një raport mjekësor thotë se Alice nuk mund të udhëtojë për shkak të ndërlikimeve të shtatzanisë.
Ndërkohë që gazetarja Alis është në pritje të dokumentave nga zyrat shtetërore, edhe “Zëri i Amerikës” u interesua për të pranë autoriteteve. Zyrtarë të ngarkuar për marrëdhëniet me shtypin pranë policisë dhe pranë ministrisë së punëve të brendshme thanë se do të merrnin informacion për këtë rast dhe mund të kishin një reagim sqarues më vonë./Zëri i Amerikës