Intervistë e dhënë për Boldnews.al nga Dr. ILIR CAPUNI, Kryetar i Këshillit Komunal Ulqin, si dhe Drejtor Politik i Forcës së Re Demokratike
Në Samitin e Diasporës, Kryeministri Rama dhe kryetari Thaçi iu bashkangjitën thirrjeve që më 3 mars të votohet lista shqiptare. I madh dhe i vogël e bëri këtë.
Ka pasur thirrje nga faktori shqiptar në Prishtinë dhe Në Tiranë për të votuar listën shqiptare në zgjedhjet e 3 marsit.
Pse ju, shqiptarët e Malit të Zi, i shihni këto zgjedhje kaq të rëndësishme?
— Së pari, mëvehtësimi i Komunës së Tuzit është një kërkesë e kahmotshme e jona dhe tani që u realizua, duhet që përfqësuesit autentikë ta marrin menaxhimin e kësaj komune.
Së dyti, zgjedhjet vijnë në një datë të shënuar, në përvjetorin e Besëlidhjes së Lezhës dhe ne, në këto zgjedhje dalim së bashku dhe presim fitore. Interesat dhe qëllimet tona kombëtare më mirë i adresojmë dhe artikulojmë vetë
dhe realizojmë në partneritet me faktorët tjerë politikë në Mal të Zi dhe në bashkëpunim me shtetet amë dhe me faktorin ndërkombëtar. Përtej aspekteve simbolike, duhet thënë që gjendja jonë nuk është e lakmueshme.
Shqiptarët e Malit të Zi kanë dërguar alarme edhe më heret shteteve amë që neve numrat po na bien dhe problemet po na rriten dhe nuk kemi marrë asnjëhere ndonjë përgjigje adekuate. Tani, së paku na inkurajon kujdesi që po tregohet nga dy shtetet amë.
Neve shpresojmë që rezultatet e këtyre zgjedhjeve të paraqesin një mendësi të re edhe në Ulqin ku shqiptarët kanë numrat për të bërë shumicën, por nuk e menaxhojnë vetë qytetin.
A mundet që këto thirrje që po bëhen nga instancat më të larta kombëtare të iritojnë Gjukanoviçin dhe partinë e tij?
— Nuk ka arsye që të irritohet askush sepse nga po të njëjtat instanca më heret janë bërë thirrje shqiptarëve në Mal të Zi për të votuar Gjukanoviçin si president apo votuar pavarësinë e Mali të Zi dhe ndenjur në këtë kurs.
Faktori politik shqiptar i ka ndenjur besnik këtyre udhëzimeve të shteteve amë, ama në anën tjetër, zgjidhja e problemeve të tjera kyçe të shqiptarëve në Mal të Zi, përveç Komunës së Tuzit, ende zvarritet pa arsye dhe në ndërkohë gjendja e shqiptarëve në Mal të Zi vjen e përkeqsohet. Shqiptarët u janë mirënjohës Malit të Zi për qëndrimet korrekte gjatë momente vendimtare për popullin shqiptar, por kredite për të kërkuar status më të mirë të shqiptarëve në Mal të Zi kemi shumë dhe janë të vjetra dhe historike.
Pse diaspora është kaq radikale në qëndrime dhe në mbështetjen që po i jep bllokut shqiptar?
— Nuk mund ti quaj radikale thirrjet dhe ndihma që vjen nga ata që kanë ikur nga Mali i Zi sepse nuk kanë mundur ta ndërtojnë lumturinë e vet në pronat e veta.
Diaspora i sheh më mirë gjërat dhe proceset demokratike. I sheh më mirë edhe potencialet ekonomike dhe parametrat e mirëqënies sonë këtu. Prandaj, duhet dëgjuar zërin e tyre. Kanë rezon të shëndoshë.
Si do të kalojë procesi zgjedhor?
— Këto janë zgjedhje lokale dhe nuk presim ndonjë tension të mundshëm. Skenaret si ata të aksionit policor “Fluturimi i shqiponjës” i bërë në Malësi një ditë përpara zgjedhjeve parlamentare në shtator të 2006 duhet t’i takojnë të së shkuarës.
Kush do të festojë të dielën mbrëma?
— Duhet të festojnë të gjithë për atë që zgjedhjet do të vijojnë pa probleme. Neve presim rezultat të mirë të bllokut shqiptar dhe kemi një arsye më tepër për të festuar. Do të festojmë edhe ne ulqinakët. Do të festojë diaspora shqiptare. Duhet të festojë edhe Mali i Zi që Komuna e Tuzit po fiton qeversijen e vet të parë e dalë nga zgjedhje të lira.