Portali AlpeNews i kontrolluar nga ish-gazetari Alfred Peza, ka raportuar dhe sponsorizuar një artikull tërësisht të rremë duke deformuar dhe tjetërsuar të dhëna elementare që mund të gjenden lehtësisht nga kushdo me një kërkim në Google. (Lexoni këtu artikullin e AlpeNews)
Artikulli ka në shënjestër një autore të huaj, aktive në Shqipëri, ajo quhet Alice Taylor, e cila shkruan periodikisht në portalin Exit.al dhe pikërisht duke ndjekur gjurmët e zonjës Taylor, portali i zotit Fredi pretendon se ka zbuluar evidenca që lidhin zonjën Taylor me Lulzim Bashën dhe me lobet ruse.
Për ta bërë sa më të thjeshtë zbërthimin e këtij artikulli, shqyrtojmë pretendimet e artikullit hap pas hapi:
Hapi-1:
AlpeNews raporton: Së fundmi, Basha ka dhënë një prononcim për televizionin rus “Russia Today”, nga ku përsërit të njejtat indicie të pafaktuara se qeveria shqiptare është e kapur nga krimi. Përkundër nga sa pretendoi dje zyra e shtypit të Partisë Demokratike, se Basha nuk kishte folur kurrë për këtë televizion, videoja e mëposhtme tregon se si Basha nxin vendin nga ekrani i “Russia Today”.
Verifikim fakti: Lulzim Basha nuk ka dhënë ndonjë intervistë për Russia Today. Basha është prononcuar për Associated Press dhe RT e ka blerë shërbimin nga Associated Press, ashtu siç e blejnë dhe TV-Klan apo Top Channel.
Artikulli thotë se pretendimet e Bashës se qeveria është e kapur nga krimi janë të pafaktuara, por do mjaftonte dosja hetimore 339. dhe lista e deputetëve socialistë të djegur nga ligji i dekriminalizimit, për të vërtetuar lehtësisht se qeveria dhe rilindja janë në një ortakëri të hapur me elementë të krimit të organizuar.
Hapi-2:
AlpeNews raporton: Po në të njejtin edicion informativ (në Russia Today) ka dhënë një intervistë për “Shqipërinë e krimit dhe të drogës”, gazetarja me origjinë angleze Alice Taylor. Taylor nuk është një emër i panjohur për shqiptarët. Me banim tanimë në Tiranë, ajo është një editorialiste e rregullt në portalin e këshilltarit të Komunikimit të Bashës (Neritan Sejminit) exit.al. E jo vetëm kaq. Alyce Taylor rezulton të jetë e fejuar me truprojën personale të Lulzim Bashës, Ergys Hoxha. Siç duket nga fotot, Hoxha është një nga dy truprojat e besuar të Lulzim Bashës që e shoqërojnë atë kudo që shkon.
Verifikim Fakti: Neritan Sejamini nuk mban ndonjë post zyrtar në Partinë Demokratike, as si këshilltar i kryetarit. Portali Exit.al i kontrolluar nga Sejamini është qartësisht në oponencë me Edi Ramën dhe mbështet opozitën, por njëkohësisht është një ndër portalet më rigoroze dhe më profesionale në raportimin dhe analizimin e informacioneve, në ndryshim nga shumë media që vetëshpallen të pavarura, por këndojnë propagandën bajate të rilindjes 24 orë pa ndalim.
Personi Ergys Hoxha që AlpeNews e identifikon si të fejuarin e autores Alice Taylor dhe truprojën personale të Lulzim Bashës, në fakt nuk është aspak truproje dhe aq më pak truproje i Lulzim Bashës. Artikulli i zotit Fredi mashtron kallëp dhe në lidhje me truprojën.
Hapi 3:
AlpeNews raporton: Taylor rezulton të jetë gjithashtu korrespodente nga Tirana për portalin rus tsarizm.com. Në bordin drejtues të këtij portali është lobisti rus Yuri Vanetik, mik dhe bashkëpunëtor me Nick Muzin, Mike Flynn dhe Kemal Alptekin, që të tre lobistë të Lulzim Bashës. Yuri Vanetik është sot nën hetim nga departamenti amerikan i shtetit pasi sipas prokurorëve amerikanë, ai e përdor portalin për të fabrikuar shkrime në favor të klientëve për të cilët lobon si përfaqësues zyrtar, veprim që drejtësia amerikane e cilëson të paligjshëm.
Verifikim fakti: Portali tsarizm.com nuk është portal rus. Është një portal i themeluar nga publicisti amerikan L.Todd Wood, ky portal deklaron listën e bashkëpunëtorëve (nga disa vende të botës) dhe financuesëve të tij. Mjafton një lundrim në faqen e këtij portali për të kuptuar se linja editoriale nuk është aspak një linjë pro ruse, përkundrazi.
Hapi 4:
AlpeNews raporton: Në këtë mënyrë, zinxhirit të lidhjeve ruse të Bashës i shtohet edhe gruaja e truprojës së tij, një blogere e cila përveçse portalit të partisë, shfrytëzon edhe mediat në pronësi të lobistëve rusë si Yuri Vanetik, për të bërë propagandën e kreut demokrat. E më keq akoma, Taylor bën me të njejtën gjuhë si Basha, propagandën kundër të ardhmes europiane të Shqipërisë, përmes deklaratave të saj në “Russia Today”.
Verifikim fakti: Zoti Fredi mashtron. Nuk rezulton ndonjë zinxhir rus, sepse “i fejuar”i i zonjës Alice Taylor, shtetasi Ergys Hoxha nuk është fare truprojë i Bashës, portali “tsarizm.com” nuk është në pronësi të autorit Yuri Vanetik dhe ç’është më e rëndësishmja, një artikull i mbushur me fakte të pavërteta, si ky që publikon zoti Fredi në portalin e tij, në fakt nuk vendos aspak gazetaren Alice Taylor në pozitat e propagandueses së Bashës apo aq më keq të rusëve, në fakt e vetmja gjë që arrin të vërtetojë ky artikull i zotit Fredi është niveli ekstrem i mediokritetit, mashtrimit dhe sharlatanizmit, që ka përfshirë propagandën e rilindjes.
Hashtag.al në ditët në vijim, do të ofrojë për lexuesit një info-analizë me të dhëna dhe informacione të dorës së parë, që hedhin dritë mbi nevojën e Edi Ramës kohët e fundit për ta shfaqur veten si mik i shquar i amerikanëve duke spekuluar me gjasme lidhjet ruse të opozitës.
Edi Rama është investuar me të gjitha bateritë e tij propagandistike në këtë skemë spekulimi. Disa të dhëna të dorës së parë, tregojnë se në fakt Edi Rama mund të ketë arsye të forta për ta paraqitur veten si “pro amerikan”, pasi në prapaskenë ai është gjendur në një presion të fortë për marrëdhënien e tij vëllazërore me Presidentin e Turqisë Erdogan, ndërsa Erdogan është shndërruar së fundmi në aleatin kryesor të Rusisë në rajon, si në fushën e energjitikës ashtu dhe në bashkëpunimin ushtarak.
Por nëse Edi Rama është nën presion si pasojë e ujdive të tij “gjeopolitike”, në rastin e zotit Fredi dhe shkrimeve të tij në portal, situata duhet marrë me sportivitet.
Zoti Fredi është nga Peqini. Për të kuptuar lehtësinë e papërballueshme me të cilën zoti Fredi këput dokrra, ju ftojmë të ndiqni videon e mëposhtme, ku ai shfaqet duke bërë premtime të paimagjinueshme për sportdashësit e Peqinit.
Vini re me kujdes mimikën e Edi Ramës në video ndërsa dëgjon premtimet vizionare të zotit Fredi, mimika e Ramës dhe gajasja e tij, është ndoshta treguesi më domethënës se sa zbavitëse mund të jetë kombinimi i idiotësisë me mashtrimin. / Hashtag.al/