Nga Boldnews.al
Një procedurë “rutinore” Vetingu duket se kamuflon një konflikt me natyrë politike ndërmjet komisionerëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kryetarit të Gjykatës së Apelit Durrës, Petrit Çeno.
Gjyqtari, djali i të cilit Enri Çeno ishte kandidat për deputet i Partisë Demokratike në Durrës, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017, do të përballet me trupën e Vetingut, në përbërje të të cilës janë dy komisionerë me lidhje të forta me Partisë Socialiste, e konkretisht Olsi Komici, ish-zv.drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI dhe Lulzim Hamitaj, i konsideruar si një prej njerëzve më të.afërt të Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi.
Enri Çeno, djali i gjyqtarit, sapo ka nënshkruar deklaratën për heqjen dorë nga mandati i deputetit, ashtu si pjesa tjetër e deputetëve dhe pjesës tjetër të listës së kandidatëve të Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Vetëm pak ditë pasi Enri Çeno ndërmori këtë akt, Komisioni i Vetingut thërret në seancë dëgjimore babain e tij, gjyqtarin Petrit Çeno.
Përkatësia politike ndërmjet palëve mund të ishte e pakonsiderueshme, nëse procesi i Vetingut ndaj gjyqtarit Çeno do të zhvillohej në kushte normale ligjore.
Por kreu i Gjykatës së Apelit Durrës, Petrit Çeno, pritet të përballet të Hënën me trupën e Vetingut, në një proces që dukshëm është paragjykues dhe penalizues ndaj tij.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka refuzuar t’u kthejë përgjigje të paktën 14 kërkesave të dërguara nga gjyqtari Çeno në adresë të institucionit, përmbushja e të cilave do të ndikonte në realizimin e një proces të plotë dhe të rregullt hetimi administrativ.
Subjekti Çeno kërkon nga Komisioni i Vetingut marrjen e provave, të cilat janë në favor të gjyqtarit, bazuar në parimin e gjykimit të drejtë, i cili njihet, ndër të tjera, edhe nga ligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”.
Në një përgjigje të pak ditëve më parë, KPK njoftoi subjektin se do t’i kthehen përgjigjet në seancë dëgjimore, duke paralajmëruar në këtë mënyrë mos-pranimin e tyre.
Në disa raste të mëparshme, KPK jo vetëm nuk ka pranuar kërkesat proceduriale, por i ka konsideruar si “tentativa për të shtyrë procesin”, ndërkohë që kjo qasje bie në kundërshtim me legjislacionin shqiptar dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, të cilat njohin parimin e mbrojtjes efektive dhe procesit të rregullt gjyqësor.
Në komunikimet e vazhdueshme zyrtare me gjyqtarin, si edhe në përfundim të raportit paraprak, Komisioni i Vetingut ka konstatuar probleme në kriterin e pasurisë, të cilat në fakt bazohen në premisa të gabuara, të paplota, madje edhe të njëanshme nga trupa gjyqësore.
Së pari, Komisioni i Vetingut ka konstatuar mungesë burimesh financiare për blerjen e një apartamenti 98 m2 dhe garazhdi 22 m2, për të cilat gjyqtari ka deklaruar se e ka blerë nga të ardhurat e tij dhe bashkëshortes së tij, e cila ka ushtruar aktivitetin privat të Agjentes Doganore nga viti 1991 e në vijim, deri në ditët e sotme.
KPK nuk ka njohur të ardhurat e bashkëshortes së gjyqtarit, M. Çeno, për periudhën 1994-1997, kohë në të cilën është blerë apartamenti dhe garazhi i sipërcituar.
KPK nuk ka arritur të sigurojë të dhëna në administratën tatimore për Agjencinë Doganore “G…” të regjistruar në emër bashkëshortes së gjyqtarit dhe për këtë arsye e ka konsideruar periudhë me të ardhura zero për shtetasen M. Çeno në vitet 1994-1997. Sipas KPK, nuk janë gjetur dokumenta në administratën tatimore për të vërtetuar që ka ekzistuar agjencia doganore në emër të bashkëshortes së tij.
Gjyqtari Çeno e ka rrëzuar këtë pretendim, duke vënë në dispozicion dokumentacionin që vërteton se bashkëshortja e tij ka pasur aktivitet tregtar dhe të ardhurat e krijuara prej agjencisë doganore deri në vitin 1997 kanë qenë në vlerën e 6.2 milionë lekëve të reja.
Subjekti e mbështet deklarimin e tij në dokumentat që provojnë se agjencia doganore është regjistruar në Gjykatën e Durrësit. Ky subjekt tregtar, në bazë të ligjit të kohës, nuk regjistrohej në Tatime, por vetëm në bashkinë e qytetit.
Gjyqtari ka kërkuar nga KPK që të kërkojë informacion në Bashkinë Durrës për taksat e thjeshtuara të paguara nga agjencia doganore “G…”, si edhe për rinovimin vjetor të liçensës së agjentit doganor të bashkëshortes së tij. Në këtë mënyrë, KPK do të siguronte të dhëna bindëse për aktivitetin tregtar të bashkëshortes së Petrit Çenos.
Gjyqtari Çeno ka depozituar pranë KPK edhe librezën e pagimit të kontributeve nga ana e bashkëshortes së tij, në bazë të të cilave provohet se të ardhurat e krijuara prej agjencisë doganore kanë qenë aq sa deklaron subjekti, pra 6.2 milionë lekë të reja.
Por, KPK nuk ka arritur të marrë konfirmim zyrtar për këto deklarime nga administrate tatimore, për shkak të zhdukjes së dokumentacionit, sidomos gjatë vitit 1997. Gjithashtu, edhe disa kërkesa të përsëritura të vetë gjyqtarit, drejtuar administratës tatimore, nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga drejtoria e Tatimeve.
Për shkak të mungesës së përgjigjes nga administrate Tatimore, KPK ka gjetur rrugën më të shkurtër. Ajo nuk ka njohur të ardhurat e krijuara nga agjencia doganore, duke e nxjerrë bilancin e të ardhurave të gjyqtarit me vlera negative dhe, në këtë mënyrë, ka rënduar pa asnjë bazë ligjore dhe logjike situatën e gjyqtarit.
Nga ana tjetër, KPK ka kthyer në “çështje” edhe një lapsus të shënuar nga noteri, në kontratën për blerjen e garazhit 22 m2. Në atë kontratë, vlera e garazhit është 460.000 lekë, ndërkohë që noteri e ka shënuar këtë shifër me fjalë “katër milion e gjashtëqind mijë lekë), pra, 10-fishin e vlerës reale.
KPK e ka pasur të lehtë për të kuptuar se bëhet fjalë vetëm për një lapsur, por gjithësesi e ka vlerësuar të nevojshme të ngrejë pikëpyetje mbi burimin financiar për blerjen e garazhit në vlerën “katërmilion e gjashtëqind mijë lekë” të reja. Gjyqtari Çeno ka saktësuar se bëhet fjalë vetëm për një lapsus dhe vlera e saktë është 460.000 lekë. Kjo shifër konfirmohet jo vetëm nga të dhënat e tjera të kontratës, por edhe nga logjika e tregut.
Së dyti: KPK ka konstatuar se subjekti Petrit Çeno nuk ka pasur burime të ligjshme financiare për blerjen e një apartamenti në Kryemëdhenj, Kavajë, në vitin 2003. Gjithashtu, KPK ngritur dyshime se ky apartament është blerë me çmim favorizues, 1.980.000, vlerë më e ulët se çmimi i referencës.
Gjyqtari Çeno i ka hedhur poshtë këto gjetje, duke konstatuar se KPK ka “harruar” të llogarisë në të ardhurat e tij të ligjshme çmimin e shitjes së një apartamenti, në vlerën 5.600.000 lekë. Në analizën financiare të realizuar për atë periudhë, KPK nuk e ka përfshirë aspak këtë shumë, duke e nxjerrë bilancin e subjektit Çeno me vlerë negative.
Subjekti Çeno ka vënë në dispozicion të KPK kontratat e shitjes së atij apartamenti, dokument, më të cilin rrëzon pretendimet e trupës gjyqësore për pamundësi financiare.
Ndërsa, sa i përket çmimit “favorizues”, siç pretendon KPK, gjyqtari Çeno ka vënë në dispozicion dy kontrata të banorëve të tjerë, të cilët kanë blerë apartament në të njëjtën godinë me çmim thuajse të njëjtë. Gjithashtu, gjyqtari Çeno ka kërkuar nga KPK që të investohet dhe të kërkojë kontrata të tjerë në atë godinë, nga ku do të zbulojnë se çmimet e shitjes janë pak a shumë të njëjta me atë që ai ka blerë apartamentin e tij në Kryemëdhenj, Kavajë.
KPK, nisur nga premisa e gabuar, e mospërfshirjes si të ardhura vlerën 5.600.000 lekë të shitjes së apartamentit në vitin 2003, vijon të konsiderojë mungesë burimesh për shpenzimet e kryera nga gjyqtari Petrit Çeno për vitet pasardhëse.
Një “harresë e vogël” në të ardhurat e vitit 2003, e dërgon KPK në konkluzione të gabuara për pasurinë e gjyqtarit Çeno
Së treti: KPK ka konstatuar se numrat e disa pasurive tokë (ullishte), konkretisht 3000 m2 dhe 2750 m2, të përfituara me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) nga bashkëshortja e gjyqtarit, nuk përkojnë me të dhënat e ZVRPP Durrës.
Gjyqtari ka vendosur në dispozicion të KPK-së dokumentat që ai posedon dhe i ka kërkuar KPK-së që të kërkojë sqarime prej Hipotekës së Durrësit se përse ka ndodhur ky mosrakordim ndërmjet numrave të pasurisë.
Kjo situatë mund të ketë ndodhur për shkak të ndarjeve administrative që janë kryer në kohë të ndryshme, por gjithësesi KPK ka pasur detyrimin për ta sqaruar në mënyrë zyrtare me Hipotekën, nga ku mund të merrte edhe informacionin më të plotë.
Së katërti: KPK pretendon se gjyqtari nuk ka deklaruar pronësinë mbi tarracën në një apartament papafingo, të gjendur në një pallat, i cili është ngritur në tokën e bashkëshortes.
Gjyqtari Çeno ka dhënë sqarime të plota, duke deklaruar se ai (bashkëshortja e tij) kanë përfituar 23% të ndërtimit mbi tokën në pronësi të M. Çeno. Pjesa takuese përbëhet nga apartamente dhe garazhe.
Sa i përket tarracës, gjyqtari Çeno ka deklaruar se ai nuk e ka fshehur këtë pasuri, pasi ajo nuk është e tija, por e të gjithë banorëve të ndërtesës.
Pas këtyre sqarimeve të dhëna nga gjyqtari Petrit Çeno, ai do të jetë të Hënën para trupës së Vetingut, për të konstatuar nëse sqarimet e tij janë marrë në konsiderateë. Por, fakti që pjesa më e madhe e provave të kërkuara prej tij nuk janë marrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, krijon dyshimet e forta se procesi ndaj tij ka qenë i paragjykuar.
Dhe, për fat të keq, duket se paragjykimi i KPK ndaj Petrit Çenos mbështetet në bindjet politike të familjarëve të gjyqtarit, të cilat janë të kundërta me ato të komisionerëve të Vetingut.